SHBA dhe Turqia koordinohen për mbështetjen ndaj Ukrainës
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbesin “në koordinim të ngushtë” teksa po punojnë për zgjidhjen diplomatike të pushtimit rus të Ukrainës, tha Ministria e Jashtme e Turqisë pas bisedimeve që zhvilluan të shtunën zëvendësministrat e Jashtëm të dy shteteve.
Raportet midis Turqisë dhe SHBA-së kanë qenë të tensionuara viteve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë edhe blerjen nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 dhe dallimeve të politikave në Siri dhe në lindje të Mesdheut. Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj Ankarasë më 2020 për shkak të blerjes së sistemit S-400.
Turqia ndan kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka raporte të mira me të dy shtetet. Ankaraja e ka cilësuar si të papranueshëm sulmin rus, por ka kundërshtuar që të vendosë sanksione ndaj Moskës.
Në deklaratën pas bisedimeve midis zëvendësministrit të Jashtëm turk, Sedat Onal, dhe nënsekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman, në Ankara, Ministra e Jashtme turke tha se aleatët “kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
“U theksua rëndësia e të qenit në koordinim të ngushtë për të menaxhuar ndikimet e shumanshme të krizës dhe për të mbështetur një zgjidhje diplomatike”, u tha në deklaratë dhe u shtua se dy zyrtarët biseduan edhe për raportet dypalëshe.
“U konfirmua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh përmes një dialogu të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar dhe u theksua se pavarësisht mospajtimeve të vazhdueshme për disa çështje, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një agjendë të gjerë pozitive”, u tha në deklaratë.
Në përgjigje të pushtimit rus, Turqia ka mbyllur për qarkullimin e anijeve Ngushticën e Bosforit dhe Dardaneleve që lidhin Mesdheun me Detin e Zi sipas marrëveshjes së vitit 1936 që kufizon qarkullimin e disa anijeve ruse.
Megjithatë, Ankaraja ka kritikuar Perëndimin për përgjigjen ndja sulmit, duke thënë se sanksionet mbi Rusinë duhet të kenë synim që ta ndalin luftën.
Edhe pse ka raporte të ngushta me Rusinë në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë, Rusia po ashtu i ka shitur dronë Kievit, gjë që e ka zemëruar Moskën. Turqia, turizmi i së cilës varet shumë nga turistët rusë, po ashtu kundërshton politikat e Moskës në Siri dhe Libi, por edhe aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë.