Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA godet aleatët e Putinit me sanksione të reja

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë.

Në mesin e të shënjestruarve janë:

  • Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov dhe
  • Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur në Rusi dhe aleat i Putinit

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se do të vendosë ndalesë në viza për 19 oligarkë rusë dhe dhjetëra anëtarë të familjeve të tyre.

“Qëllimi është që të maksimizohet ndikimi mbi Putinin dhe Rusinë dhe të minimizohet dëmi ndaj nesh dhe aleatëve tanë në gjithë botën”, ka thënë Biden, në fillim të takimit që ka zhvilluar me kabinetin e tij dhe nënpresidenten, Kamala Harris.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se oligarkët dhe dhjetëra familjarë të tyre do të përjashtohen nga sistemi financiar amerikan.

Asetet e tyre në SHBA do të bllokohen dhe pronat e tyre nuk do të mund të përdoren.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar Peskovin si “shitës kyç të propagandës ruse”.

Edhe Britania e Madhe vendos sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë

Miliarderi rus, Alisher Usmanov, i cili ka lidhje me ekipet angleze të futbollit, Arsenal dhe Everton, është sanksionuar të enjten edhe nga Britania, në tentim e sipër për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin për pushtimin në Ukrainë.

Ndalesa në udhëtim dhe ngrirja e aseteve do të aplikohen edhe ndaj ish-zëvendëskryeministrit rus, Igor Shuvalov.

Numri i oligarkëve të sanksionuar nga Britania tani ka shkuar në 15.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se “për aq kohë sa Putin vazhdon sulmet barbare ndaj ukrainasve të pafajshëm, ne do të vazhdojmë të shfrytëzojmë çdo fuqi që kemi për të rritur dhimbjen ekonomike ndaj Putinit dhe makinës së tij të luftës”.

Nën presion për të vepruar më shpejt, Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss do të krijojë një Taskforcë për Oligarkët.

Aty do të përfshihen ministra dhe zyrtarë nga departamente të ndryshme për të koordinuar sanksionet dhe për të krijuar raste kundër shënjestrave.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Please follow and like us: