Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NË 90-VJETORIN E LINDJES SË SHKRIMTARIT NAUM PRIFTI

Si sot, më 7 Mars 1932, në Rehovë të Kolonjës, lindi shkrimtari e dramaturgu Naum Prifti. Ka studjuar për mjekësi, po kryesisht është marrë me letërsi, duke shkruar afro 100 vepra letrare në të gjitha gjinitë e saj: Kryesisht tregime, novela, drama, komedi, skenare për filma artistikë, skenare për filma multiplikativë, pjesë teatrale për fëmijë dhe për Teatrin e Kukullave, legjenda e rrëfime, skica, skeçe e tregime humoristike, reportazhe, fejtone e përralla, studime e reçensa për teatrin. Prej tyre, më të vlerësuara janë librat me tregime “Çezma e floririt” (1960), “Një pushkë më shumë” (1966), “Litari i zjarrtë” (1970), “Njëqind vjet” (1983), “Erë mali, erë fushe” (1985), ” Nëna e diellit” (2002), novela për fëmijë “Cikua dhe Beni” (1964), legjenda e rrëfime për Skënderbenë etj, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për vitin 2000, si edhe “Çmimi i Madh i Nderit” për tregimin”Atë dimër” në vitin 2004. Është çmuar shumë vlera e tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt”, i cili u bë edhe film, me titullin “Pylli i Lirisë”, sidomos për gjetjen interesante e stilin e përafërt të të rrëfyerit me atë të Mitrush Kutelit. Paskëtaj xhirohet filmi artistik “Toka e përgjakur” sipas tregimit të tij “Litari i zjarrtë” që pasohet nga filmat “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Era e ngrohtë e thellësive” si edhe “Kush vdes në këmbë”, që shquhet për vlera patriotike, profesionale e jetësore, si edhe për gjuhën e përsosur letrare.
Shkrimtari e dramaturgu Naum Prifti është nga autorët më prodhimtarë, që e karakterizon edhe cilësia e tyre. Studjues të njohur e kanë vlerësuar krijimtarinë letrare të këtij shkrimtari, duke e krahasuar me atë të Çehovit e të Turgenjevit. Ka punuar shume vite ne revistat “Hosteni” e “Ylli” dhe së fundi në Drejtorinë e Arteve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1992 emigron në SHBA, pranë të vëllait Petër Prifti, ish nxënës e bashkëudhëtar i Nolit e figurë e shquar e shkencës albanologjike, si një nga dijetarët më me emër. Aty Naumi zgjidhet edhe si Sekretar i Federatës Panshqiptare “VATRA”, detyrë që e mbajti disa vite… Duke i uruar mikut tim Naum Prifti shëndet e lumturi familjare në këtë përvjetor të shënuar, dëshiroj të ripublikoje edhe një fragment nga shkrimi i gjatë që bëra për krijimtarinë e tij dhe takimin tonë në Amerikë, të botuar në librin tim “SHPIRTI ARTISTK” (2014)
NAUM PRIFTI, I TËRI DHE I PLOTË
Më 5 qershor 2005, nga New Yorku, miku im i hershëm Naum Prifti, kolegu, bashkëpunëtori e shoku intim i viteve të mia më të të bukura e më të vlefshme të jetës sime, më dërgoi librin e tij “Teatri në kohën e krizës”, që do ta përpija në çast për thjeshtësinë dhe vlerat e veta dhe përmes të cilit do të ritakoja Naumin e vërtetë, ashtu sikur e njihja “vetëm unë”. As që e mendoja fare se, më 6 prill 2008, unë do të trokisja në shtëpinë e tij, tepër të thjeshtë, në New York, për t’u çmallur e për të marrë librin e tij të ri “Midis dy kohësh”, ku do të gjeja po atë Naum sikundër qe dhe është dhe sot: i tërë dhe i plotë. Rrallë se gjen sot në letrat shqipe autor kaq prodhimtar e enciklopedik që të shënojë në krijimtarinë e vet afro njëqind tituj, që përbëjnë vlera reale, dinjitoze për kulturën kombëtare.
46 vjet më parë, kur unë vazhdoja studimet në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, (sot Akademia e Arteve), gjatë procesit të zgjedhjes së fragmenteve dramatike për provimin e vitit të dytë në lëndën “Mjeshtëria e Aktorit”, pedagogu ynë i talentuar Andrea Malo, na rekomandoi që, në mungesë të dramava të mirëfillta nacionale ( të cilat, në atë kohë, ishin fare te pakta), t’i hidhnim sytë nga prozatorët shqiptarë, veçanërisht ndër tregimtarët, sidomos tek ata që paraqesin ngjarje, karaktere e lëndë dramatike… Dhe, mbaj mend se surpriza e atij provimi qe paraqitja e një tregimi të Naum Priftit, “ E fejuara”, zgjedhur dhe interpretuar prej studentit Bexhet Nelku, i cili dha shenjat e para të një aktori potencial. Pastaj regjisori-pedagog Malo do t’i kujtonte prozatorit Prifti se kishte një stof e një penë prej dramaturgu! Postulati i Çehovit (“E thjeshta,-e vërteta”), gjente shprehjen e plotë në atë skenëzë baritore që paraqeste Naumi, ku takimi i Raufit me Sadeten procedonte natyrshëm, përmes një dialogu konçiz e emocional, duke zbuluar gradualisht jetën e karakteret e tyre përpara një ngjarjeje krejt të zakonshme që kishte të bënte me lidhjen e jetës së të rinjve me njëri-tjetrin.
Ishte pikërisht kjo prirje e Naum Priftit drejt teatrit që do të më lidhte me të përfundimisht. Por kishte edhe diçka tjetër, thelbësore, në këtë mes: shijet dhe qëndrimet e përbashkëta, qetësinë e jashtme dhe të brendshme, ekuilibrin shpirtëror, çiltërsinë dhe sinqeritetin, thjeshtësinë dhe një ndjenjë humori për t’i kapërcyer vogëlsitë e peripecitë jo të vogla të jetës. Me këtë njeri babaxhan,për afro 50 vjet, do të më ndante vetëm internimi, burgu dhe më pas mërgimi im i detyruar dhe i padrejtë, për t’u parë përsëri larg Shqipërisë, në Kontinentin Amerikan! Do të na mjaftonte vetëm gjysmë dite për t’i rikujtuar të gjitha.
Së pari, dramën lirike “Rrethimi i bardhë” që shkëlqeu dhe u varros brenda 2-3 vjetësh nga “syri i keq” i udhëheqësit Hoxha, i cili edhe këtu vuri re prishje të unitetit në kushtet e “rrethimit borgjezo revizionist”. Po realisht, kjo dramë e thjeshtë e me karakter poetik, s’ishte gjë tjetër veçse një hymn njerëzor, kushtuar karaktereve të forta që përballojnë rrethana të vështira të jetës. Kjo dramë dilte mbi të zakonshmen e të ashtuquajturave “ drama dokumentare” e të atyre që u bënin jehonë “flakë për flakë” ideve e propogandës partiake, pa u përqëndruar fare në vlerat njerëzore e në psikologjinë e tyre…Vetëm se, Naumi, ashtu sikundër lëndohej shpejt, po aq shpejt edhe e merrte veten. Si njeri këmbëngulës e me një bagazh jete, por edhe me humor brenda vetes, shkroi komedinë “Dasmë pa nuse”, të cilën ma dha për ta lexuar kur jepja mësim në Akademinë e Arteve. Më pëlqeu menjëherë dhe aty për aty bashkë me kolegen, pedagogen Drita Agolli, vendosëm ta vëmë në skenë si punë diplome me studentët Timo Flloko, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Saimir Kumbaro, Niko Kanxheri etj, duke krijuar një atmosferë groteske, që sfidonte ashpër paragjykimet e asaj kohe. Dy vjet më vonë Naumi shkroi dramën “ Mulliri i Kostë Bardhit”, një vepër me figura realiste, e cila u vu në skenën e Teatrit Dramatik “A. Moisiu” të Durrësit nga regjisori Pandi Stillo. Dramat e mëpastajme si “Plumbat e shkronjave”, “Një verë e thatë”, “Zani Partizani”, “Lenini mes fëmijëve” dhe disa pjesë për botën e kësaj moshe, ndonëse nuk patën jehonën e duhur, rrëfenin për interesat e gjera letrare të këtij dramaturgu të talentuar, diapazonin e të cilit do ta ngushtonte dogmantizmi i kohës, tok me frikën e një ndëshkimi të mundshëm.
Please follow and like us: