Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Tregim për një poezi të Bardhyl Londos

Mund të ketë lenë diku edhe Bardhyl Londo historinë se si e shkroi poezinë e tij “Vdekja e vajzës së poetit Naim Frashëri”.
Është një nga poezitë e veçanta, nga ato që një herë e mirë lidhin një autor me lexuesin e vet.
Në pamje të parë do të dukej sikur në këtë poezi është paketuar vaji elegjiak i poezisë së vetë Naim Frashërit “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”, për ta sjellë këtë dhimbje njëqind vjet me vonë, nga viti 1886 në vitin 1986, kur kjo poezi u botua në 20 tetor.
Por njëkohësisht, po njëqind vjet më vonë ka ndodhur që bota poetike e Bardhyl Londos, me jetën reale shqiptare të kohës së vet, ta transferojë drejt viteve të jetës së poetit me legjitim të romantizmit, me një humbje si plagë.
Poetit i vdiste vajza dhe s’kishte tjetër pasuri
veç detit të dashurisë për mëmëdhenë.
Në mbrëmjet e trëndafilta, vajzat e mehmurëve
për një katedrale në Paris ëndërronin, për një kopsht në
Vjenë.
Dhe vargjet e Bardhyl Londos të përfshira në vëllimin ‘Si ta qetësoj detin” të vitit 1988, duket se gjejnë një fole njëqindvjeçare për të shprehur kontraste të fuqishme shoqërore mbi të cilat jeta ndërtohet, deri në polarizime tragjike, shumë herë të skajshme, por gjithnjë reale.
I dëgjojmë si kumbojnë këto vargje dhe kujtojmë gjithë pëshpëritjet tiranase mbi privilegjet, deri atëherë të fshehura nën çati.
Dhe më kumbonjëse, por si plagë bëhen edhe emrat e paarritshëm Paris dhe Vjenë, të dy prej qyteteve më të bukur të botës.
Dhe poeti kulmon.
Për një puçërr në pulpë vajzat e mehmurëve Niseshin në Vjenë, iknin në Paris.
Kur lexon këto vargje edhe më pranë vjen dhimbja e poetit Naim Frashëri, dhe vaji i tij i njëqind viteve të shkuara.
“Pa ty mbeta, pa ty mbeta, moj me lotë!
U shkretofsh, o qiell, moj zuzarja botë!”- Klith poeti në poezinë e tij. Dhe është një rast i rrallë që nga një poezi të lindë një poezi tjetër.
Është poezia e Londos që nënkupton një mospranim tjetër shoqëror, që shpreh edhe mundësinë e mos ekzistencës së një padrejtësie… Dhe pikërisht kjo është arsyeja që sjell edhe dramën e ditëve, kur kjo poezi u shkrua.
Dhe kështu edhe një poezi mund të krijojë gjithmonë histori të sajat.
Një prej tyre, lidhet me organizimin e mbrëmjes poetike me rastin e ditës se poezisë, në 20 tetor të vitit 1990, katër vjet pasi kjo poezi ishte botuar për herë të parë.
Punoja aso kohe përkohësisht në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku kisha marrë përsipër organizimin e kësaj mbrëmjeje, që do të organizohej në sallën e Teatrit Kombëtar. Isha lidhur me autorë dhe aktorë që isha e sigurt që do të përcillnin deri në timbër pulsin e poezisë shqipe, mundësisht edhe të asaj dekade që po përfundonte krejt e nderë…
Mendova se poezia e Bardhyl Londos “Vdekja e vajzës së poetit Naim Frashëri” do t’i shkonte për shtat një mikes sime të mirë, me një temperament të madh, aspak melodramatik në ndërtimin e karaktereve, frymë që deri sot, asaj ia ka dhënë të plotë vetëm dramaturgjia botërore.
Dhe kishte rëndësi që ajo të pranonte qoftë pjesëmarrjen…
E mora vëllimin me titullin domethënës “Si ta qetësoj detin” të nxjerrë nga vargu i një prej poezive më të bukura për dashurinë, të shkruar nga Londo, ku ai thotë deri sot kur është ngjitur në qiell.
Unë i shkruaj letër sime shoqeje,
I them: qielli i ngjan sombreros së Pablo Nerudës,
I them: deti ka mall të na shohë të dy,
I them të më dërgojë 50 lekë se dietat m’u mbaruan. Pastaj për ta qetësuar
I them: nuk kam pasur takikardi.
Po detin,
Detin vallë,
Si ta qetësoj për ty?
Bardhyl Londo e zbret edhe këtë poezi dashurie, në botën e shqetësimeve, si e tregon vetë shkëputja e një vargu për t’i dhënë një adresë gjithë vëllimit.
Sepse shqetësimi nga shoqëror në universal, që del edhe jashtë fuqisë së dashurisë bëhet gjithnjë e më shumë moto e poezive të tij.
Që të mos ia prishnin mendjen edhe poezi të tjera të vëllimit, ia dhashë të shtypur në një fletë poezinë “Vdekja e vajzës së poetit Naim Frashëri”. Por mikja ime mund të lexonte kë poezi që të donte nga ky vëllim.
A këto dy emra qytetesh Vjenë dhe Paris që tingëllonin ende në mënyrë fantazmagorike dhe të paarritshme për shqiptarët deri në atë fund shekulli.
Ndërsa vetë Naim Frashëri i kishte sjellë aq pranë me poezinë për shpatën e Skënderbeut në një muze të Vjenës dhe fabulat e La Fontenit, të cilat i kishte përkthyer për tekstet shkollore që në shekullin XIX-të…
Por në poezinë e Bardhyl Londos nën tingujt e një mospranimi, mbivendoset një gjendje tjetër reale, ajo që i përket edhe atij.
O zot, atëherë mund të thoshim. Çdo demaskim kaq i rrezikshëm për një periudhë që ende nuk e kemi aq larg, u bëka vetëm me ndihmën e Naimit.
Por nuk përjashtohej edhe mundësia që këtë poezi ta ketë mbrojtur edhe vetë kategorizimi që çdo pushtet i bën krijuesve të vet. Se mund të pranohet që jeta e një poeti nuk mund të barazohet me atë të çdo lloj merhumi që ka në dorë punët e shtetit, sado që ky të zvogëlohet e të bëhet si pendë që kalon nga shekulli në shekull, në saje të një mekanizmi poetik.
Dhe në një vend si Shqipëria mund të pranohet fare lehtë si konsensus, edhe ky mentalitet…
Çdo poezi të jep mundësinë të flasësh gjatë, si pasqyrë që sjell edhe një periudhë të veçantë. Mund të thuash edhe se Bardhyl London edhe në krijime të tjera, të shkruara pas viteve ‘90 e ka ndihmuar ajo trimëri e mbrojtur prej Naimit, e përdorur me art, pa arritur në keqkuptim se kush mund të thotë përveç tij në kulmin e këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit të lidhur me botën, që kurrë mos ardhsh edhe ti demokraci, që nuk mund të lexohet jashtë një konteksti të caktuar dhe zhgënjimeve ndonjëherë naive, për një shoqëri që nuk i mbarojnë merhumët.
Por, në tetor të vitit 1990 ende ishim tjetër.
Edhe mikja ime, mund të arrinte të thoshte gati me një zë të mekur…
Kjo poezi është botuar…
Po po, është b-o-t-u-a-r. Flet për vajzën e Naim Frashërit. b-o-t-u-a-r. Dhe pas një heshtjeje të gjatë si përgjigje mbeti vetëm pyetja e saj.
– Po Kadriu, çfarë do të recitojë.
– Tradhëtorët, më duket se i them edhe sot. Dhe përsëri Naim Frashëri.
Dhe me kaq pak fjalë me njëra-tjetrën u ndamë…
Por unë e dija se si aktorja e njohur dhe mikja ime e mirë do të punonte seriozisht mbi çdo fjalë dhe timbër të vargjeve të Bardhyl Londos. Dija edhe se nga tingëllimi çdo fjalë merr formë tjetër shumë më të drejtpërdrejtë. Dhe këtë përshtypje pata edhe kur dëgjova të interpretuar prej Kadri Roshit, poezinë “Tradhëtorët”, në një interpretim, ku dëgjuesi mbetej i lirë, që gati dredhërisht, t’i adresohej kujt të donte, veçanërisht në atë periudhë si të nderë. Edhe ashtu edhe kështu. Ti gjeje vetë.
Por me poezinë “Vdekja e vajzës së poetit Naim Frashëri” ishte ndryshe.
Pas poezive të tij të shumta për figura historike, ku shpesh edhe Bardhyl Londo unifikohet me tronditjet dhe sakrificat e shqiptarëve në shekuj, ai ka dalë në një fushë të re mejdani.
Është koha që edhe metafora mund të çahet si molusk.
Por duhet thënë se që kur është shkruar kjo poezi e deri sot duket sikur kanë kaluar edhe 100 vjet të tjerë.
4.Në vëllimin e tij të fundit, “Prilli i hidhur” të vitit 2021, me të cilin fillon edhe faza e tij e fundit e krijimtarisë, Bardhyl
Londo zbret në një mënyrë tjetër drejt poezisë së Naimit, “Vajtim mbi trupin e bijës sime të vdekur”. I ka ardhur radha kthimit të plotë drejt vetes.
Ka arritur çasti që Bardhyl Londo, si e nënvizon në një shkrim të tij lamtumire edhe botuesi i tij Bujar Hudhri, mund të zbërthejë vetë jetën si nëpër çaste kur po fiket furtuna. Dhe motivet shfaqin dhimbjen e përhershme njerëzore.
Dhimbja jeton deri sa bëhet edhe atdhe në poezinë e Bardhyl Londos. Nuk ka as në mitologji një dhimbje kaq të madhe. Dhe kjo gjithnjë kthehet në një gjendje reale.
5… Ka një histori të vogël çdo poezi kur shkruhet.
Por gjithnjë ka edhe një histori të përballjes së një poeti me lexuesin… Herë-herë ajo bëhet historia e një emocioni. Herë- herë dhe herë historia e një ndjesie. Herë historia e një pulsimi të fuqishëm jete ose e përballjes së poetit me ekzistencën e tij.
Por, çdo poezi në radhë të parë zë vend, për atë që u jep njerëzve, si në një moment të caktuar, po aq të barasvlershëm edhe për një kapërcim poetik, që do të thotë edhe shoqëror për një periudhë tjetër.
Por, në se lexuesi i sotëm ka nevojë të kuptojë më mirë periudhën kur u formua dhe u stazhionua poezia më e mirë e Bardhyl Londos duhet thënë gjithashtu se poezia “Vdekja e vajzës së poetit Naim Frashëri” nuk u lexua në atë mbrëmje poetike. Sepse vetë aktorja e pati të pamundur. Dhe përsëri pa asnjë koment tjetër. Dhe kjo tregonte se sa i fortë kishte qenë impakti i asaj poezie në çdo lexues, edhe sikur ta kishte folur nën zë.
Dhe sigurisht që përveç meje dhe aktores që në një takim në Zvicër e ka pohuar frikën e saj për t’i thënë para një publiku të gjerë ato vargje, askujt mund t’i shkojë në mendje se kjo ka ndodhur. As vetë poetit Bardhyl Londo, poeti që gjatë ndryshimeve demokratike, shkroi
për këpucët e lagura që shqiptarët i mbanin në këmbë, që mund të thuhet se e bashkuan edhe më fort me një lexues të gjerë, sepse gjithnjë ka poezi të veçanta nga të cilat një autor tërheq për gjithë kohërat lexuesin e vet. Dhe kjo ka ndodhur edhe me një poet romantik të avangardës botërore si Walt Whitman, që jo një palë këpucë që lageshin, por me poezinë kushtuar Linkolnit, “Kapiten, kapiteni im” e sjell lexuesin e tij të parë pas vetes. Dhe ky është impakti që e mban poezinë gjallë”.
6… Në gazetën “Drita” të 21 tetorit të vitit 1990, u botua një informacion i shkurtër, mbi organizimin e po asaj mbrëmjeje letrare me rastin e ditës së poezisë, ku premtohej se do të flitej më gjatë në numrin e ardhshëm, por që u harrua shpejt.
Flitej në atë informacion, për pjesëmarrjen dhe leximet e disa poetëve të ftuar, si Jevrem Bergovic nga Mali i Zi një emër i njohur dhe mik i letërsisë shqipe, i Marina Dobresku, Livin Johan Stolciu, nga Rumania, Todor Callovski, Daut Dauti, Njazi Muhameti dhe Mateja Matevski nga Maqedonia e atëhershme, Skalambini e Salimbeni nga Kalabria, Marko Gancev dhe Marin Georgiev nga Bullgaria dhe nga Turqia Kaja Estash, që kishte marrë pjesë në kolokiumin ndërkombëtar kushtuar Naim Frashërit, me sa duket një nga emrat me neutralë, a konsensualë për të gjithë shqiptarët, në atë periudhë ndarjeje dhe pritje, kur nuk flitej ende për disa poetë të tjerë.
Nuk përmendej në atë informacion të thatë, asnjë emër poetësh shqiptarë, sikur të mos ekzistonin. Ishte lënë me sa dukej për të folur herë tjetër mbi poezinë plot guxim që kishte lexuar Teodor Keko. Por me sa dukej nuk kishin tingëlluar mirë gjithë poezitë që ishin lexuar.
Nuk përmendej as emri i Edvin Hatibit, 16 -vjeçar që paraqitej për herë të parë me poezitë e tij, as emri i Preç Zogajt, që sfidonte me një poezi dashurie, kur të gjithë ishin sy e vesh, as emri i Pavlina Manit, që kumboi fort titullin e poezisë sime “Sapo jam zgjuar nga një ëndërr e keqe”.
Dhe dihej se ajo sallë asaj mbrëmjeje u duk më e përzishme se asnjëherë tjetër, nga mundësia e parë e hapur e çdo rileximi të vargut shqiptar.
Gjithnjë do t’i kthehem asaj mbrëmje aq domethënëse, ku mungoi poezia e Bardhyl Londos, që tregonte se po mbërrinte një periudhë tjetër.
Dhe poezia vazhdonte shiun e vet ripërtëritës. Dhe mbeteshin edhe vargjet e Bardhyl Londos.
“Dhe pas shtërzimesh shtëllungash shiu shungullojnë
Shën shiun..
Please follow and like us: