Albspirit

Media/News/Publishing

Senatori amerikan, apel rusëve: Ndaloni marrëzinë!

“Ngrihuni dhe ndalojeni këtë marrëzi me cdo mënyrë që të mundni”; pas thirrjes polemizuese për të vrarë Vladimir Putin, senatori republikan në SHBA, Lindsey Graham iu drejtua sërish rusëve pas një lidhjeje me Zoom që pati me kreun e shtetit ukrainas Volodymir Zelensky, duke i kërkuar të ngrihen kundër luftës së pakuptimtë të presidentit te tyre.

Lindsay Graham: Pata një telefonatë me presidentin Zelensky e me shumë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, dhe ja çfarë mund t`iu them: ai dhe populli i Ukrainës janë të mrekullueshëm. Ata janë të gatshëm të luftojnë deri në vdekje për lirinë e tyre. President Zelensky la të kuptohet se me avionë dhe dronë mund të jenë një forcë luftarake më efikase, prandaj, le t`u dërgojmë avionët dhe dronët që u nevojiten. Ai e theksoi se sektorët e naftës dhe gazit rus duhen sanksionuar, duhet bërë çdo gjë që e dëmton ekonominë ruse, që do të ndihmonte popullin ukrainas dhe do ta bënte këtë luftë më të vështirë për Putinin. Edhe pse Putini është armiku ynë, populli rus duhet ta ndiejë përgjigjen tonë. Unë kam një thirrje për rusët: Ngrihuni tani dhe jepini fund kësaj çmendurie!

 Deklarata e mëparshme e Graham, që sugjeronte që Putini të vritej si mënyrë për t`i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë, shkaktoi reagime të ashpra nëpër botë. “A ka ndonjë Brut në Rusi, sepse e vetmja mënyrë që të mbarojë kjo punë është që dikush atje ta eleminojë këtë njeri”, qe shprehur ai gjatë një emisionin të Fox News.

Një sërë anëtarësh të Kongresit amerikan iu kundërvunë ashpër kësaj thirrje, ndërsa edhe vetë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se nuk e mbështesin vrasjen e liderit të një vendi të huaj apo ndryshimin e regjimit, duke nënvizuar se nuk është kjo politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ Top Channel

Please follow and like us: