Fritz RADOVANI: JO GJAK… JO!
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Banojshim në Tiranë, tek shtëpia numur 173 në rrugën e Kavajës.
Asht kenë data 13 Tetor 1943, ora 13.13’, porsa kishim ngranë drekën. Nga ora që kishte ra në dysheme e prishë, dij edhe sot orën e ngjarjes.
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, erdhi si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrshim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, na u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e Babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu, e nuk dij gja ma gjatë veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU”!
Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të Tij, tue përshkue trunin e tue dalë mbas veshit të majtë (si më tregonte Nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.
Nana vërriste me një britëm kushtrimi: “Kuku, Kolë, shka të gjeti, rrezikziu ti”! E, nësa rrihte kryet me grushta, tue kja, thërriste: “Kolë, si më lé!”. Unë vetëm vështroja me trishtim e, pa kuptue asgja ma gjatë i strukun për fustan të nanës, që atëherë ishte 34 vjeç, isha tue pritë kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e po kalonte drama.
Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift me këmishë të bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë nëpër atë breshën bombash, me një gju në gjak, u ul pranë Babës dhe përshpëriti dishka! Unë mendova se po e çon Babën prej atij pellgu gjaku, por, kishte mbarue gjithshka. Prifti nuk iku për pak kohë derisa Nanës i erdhi axha i saj At Mati Prennushi, i cili kishte marrë vesht fatkeqësinë e madhe që e kishte gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai me kenë pranë nesh. Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës, të lame me gjak nga qindra të vramë e të coptuem. Rreth vitit 1962 pata marrë vesh prej Nanës se prifti që i bani Babës Shartët e Fundit, ishte kenë At Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër me té mbasi pat dalë prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue në burgun e Burrelit.
Natën që baba vdiq u nisëm për Shkodër bashkë me Nanën, At Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge nga plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj nga çeta të vogla partizanësh).
Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00 e natës. Kujtoj se të nesërmen, Baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyrë gri, në një shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të bardha. Shumë vetë përrreth vajtonin.
Vaji e gjamët me kishin topitë. Di se dikush më çoi hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk mund ta harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth trupin.
Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova kurrma!
Ai u varros në Rrëmaj, me një funeral madhështor, që drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuej gjithë Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë Shiroka, vendlindja e tij.
Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer 1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel, një ushtarak i naltë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza ka thanë këto fjalë: “Sikur Shqipnia, të kishte 10 ushtarakë të përkushtuem dhe atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte bijtë as fara tek ju”. (Dëshmi gojore në vitin 1991, nga Don Ndoc Ndoja).
Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza.
Kam pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue, mbasi plot një vit mbrapa më 29 nandor 1944, u vesh gjithë Shqipnia me të zeza, pikërisht atë ditë, kur “patën hi këta”.
Me këta pak rreshta i drejtohem të gjithë vrastarve kudo kjofshin, tue i perfshi edhe gjakbasit rus të Shekullit XXI mbi Ukrahinen e pafaj: Hiqni dorë nga vllavrasja! Hiqni dorë nga masakrat e mnershme mbi Popullin e pafaj! E mos harroni se “Moshatarët e mij tre vjeçarë të sotem, Jetimët e Pafaj, do t’ ju kujtojnë persa të jetë jeta, si vrastarë të Baballarve Tyne!”
Jo Gjak.., JO!
Melbourne, 7 Mars 2022.