Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Duhet një armëpushim brenda opozitarizmit

Dëmi më i madh që ka vendi sot është çarja e opozitës. Këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e ulët në votime me rreth 30% në ato 6 Bashki, ku përjashto Shkodrën të tjerat ishin rrëzuar nga skandalet. Logjikisht duhej të kishte një revansh opozitar por kjo nuk ndodhi. Arsyeja e parë është pikërisht çarja fatale e opozitës, e dyta reforma territoriale dhe e treta largimi i pjesës më vitale nga vendi. Por le të ndalemi tek opozita pasi po shoh që shumë zëra e konsiderojnë këtë garë jo politike, jo si pjesëmarrje për të fituar, pasi qeveria kështu e ashtu, por si një barometër për të kuptuar se cila është opozita reale, Lulzim Basha apo Sali Berisha? Me një fjalë, kush duhet tashmë ta drejtojë opozitarizmin në Shqipëri, Lulzim Basha apo Sali Berisha etj.? Sinqerisht më vjen keq të justifikosh sot humbjen me preteksin se hymë në garë për të zbuluar opozitën reale apo liderin real. Me këto shifra që po shohim, edhe sikur t’i mbledhësh, pra shifrat e PD-ës së Bashës dhe Shtëpisë së Lirisë së Sali Berishës, prapë opozita nuk ka fituar. Përjashto Shkodrën, ku nëse votat e kandidatit të Bashës do i ishin shtuar kandidatit të Berishës, hendeku do ishte i madh. Dhe Shkodra ka arsye, pasi në këto 9 vite qeverisje ka qenë me e denigruara publikisht se çdo metropol tjetër në Shqipëri. Rama ia kërkoi po publikisht të ndryshonte, por ai kurrë nuk ia kërkuar vetes se tij një gjë të tillë. Sot opozitarizmi si fitues, si ai i vendit të tretë, kanë humbur. A është Lulzim Basha një nga shkaktarët. As nuk luan topi që po. Megjithatë nuk mund të themi që u futëm në këto zgjedhje për të zbuluar se kush është lideri real! Shpresoj që brenda kampeve të kenë mbetur nga pesë burra me mend në kokë, siç e themi ne, që t’i kërkojnë qoftë Lulzim Bashës por edhe Sali Berishës, hapjen e krahut. Për Bashën nuk ia vlen të diskutosh më. Nëse do të rrijë një anëtar i thjeshtë, e ka në dorë ai. Sali Berisha bëri një betejë për t’u admiruar, e para për moshën, e dyta për futjen e primareve dhe kolegjialitetit në një forcë politike. Forcat politike në Shqipëri nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 vdiqën, mori një hov brutal kulti i individit, aq sa sot socialisti e shikon Edi Ramën si klasa punëtore dikur Enver Hoxhën. Kështu edhe demokratët Sali Berishën apo ata mendjembushurit në sektorin e tretë, Lulzim Bashën. Duhet një hapje krahu frontale, një qilizëm intelektual se zgjedhjet e vitit që vjen janë në prag. Një ide e kam ofruar edhe unë, më i votuari a më të votuarit, i, e, 25 prillit të vitit 2021, pra zgjedhjeve të fundit, sidomos ata që thyen edhe herësin, të jenë kontigjenti nga ku duhet të dali lidershipi i ri. Dhe më kryesorja, jo më aleanca bizarre me kryetarë partish që kanë si anëtarë vetëm veten. Vendi ka nevojë për një epokë të re si ajo viteve 90-të. Mjaft i dhatë mandate dikujt vetëm pse flet bukur studiove. Madje nëse kanë mbetur edhe aty me pesë pare mend në kokë, nuk kanë pse rrinë deputet asnjanjës me votat e demokratëve të braktisur. Keni kampionin Fatmir Mediu përshembull. Ata 30% që kanë votuar janë me kuota të larta nga e majta. Këtu duhet kërkuar dështimi. Sali Berisha për sa bëri bravo i qoftë, duhet ta vazhdoj betejën e tij jo për veten, por për demokratët. Eshtë historia e tyre dhe suksesi i tyre. Arsyeja që Basha është sot sektori i tretë, është pikërisht kundërvënia karshi historisë së demokratëve. Sali Berishën e quajnë kriminel ajo shtresë sociale që quan normale vrasjet, internimet, persekutimet, varret e humbura të një shpure të tërë shqiptarësh nga Enver Hoxha, kësaj aradhe, iu shtua sot edhe Basha me shpurën e tij. Pra kjo është kundërvënia karshi historisë. Ka ardhur koha e rrotacioneve, e ndjesës, e hapjes së krahut. Ndryshe Shqipëria po pason sektorin e Lindjes nga ku me mjetet e demokracisë po prodhojnë gjoja liderë të fortë. Në fakt po prodhojnë ca ministatuja nga Stalini deri tek Enver Hoxha. Faktet i keni të gjallë. Lindja është në një luftë të pashpresë, deri sa avionë e tanke luftarakë shkelin civilët në rrugën e madhe. Shkurt është koha për një armëpushim të madh brenda opozitarizmit.
Please follow and like us: