Imazhet e fëmijëve ukrainas trondisin botën perëndimore dhe tregojnë fytyrën e diktatorëve
Janë viktimat më të pafajshme të luftës së Vladimir Putin në Ukrainë. Imazhet e fëmijëve që kalojnë kufijtë duke qarë, po mallëngjejnë botën. Megjithëse Rusia thotë se nuk po i shënjestron civilët, mbi 38 fëmijë thuhet të jenë vrarë deri më tani.
E qarë që të copëton zemrën ajo e këtij vogëlushi ukrainas. Ofensiva e pamëshirshme e Rusisë e ka detyruar të lërë pas shtëpinë dhe lodrat, për të kërkuar mbrojtje në një vend të huaj. Është vetëm një prej mijëra viktimave të pafajshme të luftës, që çdo ditë kalojnë kufijtë për t’i shpëtuar bombave.
Më e dhimbshme historia që sjellin me vetë këtë të mitur që janë strehuar në një qendër për fëmijë në Lviv. Janë fëmijë jetimë, që përveçse fillimit të vështirë në jetën pa prindër, nuk i kursyen as bombat ruse. Tani janë të sigurt, por të shënjuar nga trauma e luftës.
Sytë e këtyre fëmijëve tregojnë dramën e vërtetë të luftës, e megjithatë ata mund të konsiderohen fatlumë. Mbi 38 të mitur nuk arritën dot në kohë të gjenin vendstrehim, ndërsa zjarri i ushtrisë ruse i gjeti më shpejt. E ndërsa lufta sa vjen e bëhet me egër, bilanci i jetëve të këputura ende pa nisur pritet të bëhet edhe më tragjik.