Janusz Bugajski: A mund të mposhtet Putini?
Ndërsa forcat ushtarake ruse në Ukrainë përparojnë, Putini, dukshëm, ka arritur në përfundimin se Moska mund t’i bëjë ballë sanksioneve të reja financiare, madje edhe izolimit të Rusisë nga Perëndimi.
Ai është i bindur se NATO nuk do të luftojë për Ukrainën dhe po përllogarit se uniteti perëndimor do të fillojë të dobësohet, teksa lufta vazhdon dhe sanksionet dëmtojnë edhe ekonomitë europiane. Por edhe nëse ambiciet e Kremlinit për pushtim ngrijnë, Uashingtonit i duhet të përpilojë një strategji të re madhore për të de-imperializuar Rusinë.
Qeveritë perëndimore kanë tentuar politika të shumta mbrojtëse dhe reaguese për të kufizuar ekspansionizmin e Moskës. Por dështimet e tyre në të shkuarën, në Kremlin kanë përforcuar idenë se Perëndimit i mungon vullneti për t’iu kundërvënë një Rusie agresive.
E vetmja strategji që mund të dëmtojë vetëbesimin e Putinit duhet të fokusohet në të ardhmen e vetë Rusisë. Një qasje e tillë kërkon objektiva dhe metodologji të qartë.
Qëllimi përfundimtar do të ishte ndalimi i ofensivave neo-perandorake të Rusisë duke ndihmuar qytetarët e saj të transformojnë vendin e tyre në një federatë të mirëfilltë, e cila i pranon fqinjët si shtete të pavarura dhe të afta të vendosin vetë për aleancat e tyre ndërkombëtare.
Sidoqoftë, pasi ky “skenar transformimi” është gjithnjë e më i pamundur për shkak të rezistencës që Kremlini shfaq ndaj çdo reforme politike, politikbërësit amerikane duhet të përgatiten për një mundësi alternative: “skenarin e shpërbërjes”.
Kur në mesin e rënies ekonomike dhe një embargoje që dëmton financiarisht, federalizmi dhe pluralizmi nuk arrijnë të materializohen, atëherë zërat separatist do të jenë më tërheqës. Kremlini do të ketë ulje të mbështetjes për sulmet e tij të jashtme, kur politika e brendshme të bëhet më konfliktuale, burimet të shfrytëzon më pak dhe qytetarët të mos binden më.
Vetëm pak vite para rënies së tij, Bashkimi Sovjetik u përfshi në nisma të shumta ushtarake jashtë vendit, mori nën kontroll gjysmën e Europës dhe vazhdonte të trumbetonte epërsinë e tij ekonomike ndaj Perëndimit, teksa fshihte krizën e brendshme.
Politikat e jashtme të ashpra të Moskës shërbejnë për të fshehur rënien e brendshme dhe dështimin e shtetit në Rusi. Në të vërtetë, përshkallëzimi i problemeve të brendshme ka të ngjarë ta bëjë regjimin rus më agresiv dhe më konfrontues në mënyrë që të tregojë forcën e vet përpara se kapacitetet t’i zvogëlohen në mënyrë domethënëse.
Protestat masive në Bjellorusi mbi manipulimin flagrant të zgjedhjeve, verën e vitit 2020, ishin një paralajmërim paraprak për Moskën. Urtësia konvencionale/tradicionale mbi pasivitetin e popullit bjellorus reflekton imazhin e përhapur për shtetasit rusë.
Por protesta në mbështetje të protestuesve bjellorusë u raportuan në mjaft rajone të Rusisë. E megjithëse tubimet në fund u shtypën, ndërsa shkaqet e protestave nuk u adresuan as në Rusi as në Bjellorusi.
Demonstratat e papritura kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe sulmet ndaj godinave qeveritare në Kazakistan, në fillim të janarit 2022, shërbyen, po ashtu, për t’i kujtuar Moskës se zemërimi i popullit zien nën sipërfaqe.
Imazhi i stabilitetit dhe pasivitetit të popullit, për të cilat Bjellorusia dhe Kazakistani janë të famshme, nuk mund të merret si të mirëqena as për Rusinë. Për më tepër, ngjarjet me ndikim, si rënia e vlerës së monedhës dhe rënia e shpejtë e standardeve të jetesës mund t’i përshkallëzojnë trazirat publike.
Rritja e trazirave të brendshme mund ta bindë regjimin në Rusi se një strategji më e guximshme dhe më e rrezikshme e politikës së jashtme sjell përfitime të brendshme. Por një politikë e tillë mund të ketë ndikim krejtësisht të kundërt.
Stepja ushtarake në Ukrainë me humbje që shtohen në mesin e forcave të armatosura të Rusisë, mbledhja e provave të krimeve të luftës prej Kremlinit ndaj civilëve dhe sanksionet ndëshkuese të perëndimit nuk do të jenë të volitshme për Putinin. Regjimet në Rusi që i humbin luftërat ose nuk munden t’i fitojnë ato kur kanë “luajtur aq shumë mbi fitoren”, bien.
Lufta për pushtet brenda shtresës në pushtet, më pas, mund të shpërthejë fuqishëm.
Në një video-konferencë, së fundmi, Putini hodhi poshtë një propozim që rajonet ruse të cilët nuk duan të jenë më pjesë e shtetit, të lejohen të ndahen. Ai paralajmëroi një përsëritje të luftërave të përgjakshme si në ish-Jugosllavi, kur shpërbëhej gjatë viteve 1990, dhe u shpreh se kishte rreth 2,000 pretendime territoriale në mbarë vendin që duheshin trajtuar me “shumë seriozitet”, pasi ato mund të shpërbënin Rusinë.
Pohimi i Putinit tregon se kushtet brenda vendit po përkeqësohen në disa fronte jetike: ekonomike, demografike, sociale, rajonale, etnike dhe politike.
Është në interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së që të ndihmojë Rusinë ose të federalizohet ose të shpërndahet, të decentralizohet ose të shpërbëhet. SHBA-së i duhet të zhvillojë një strategji paraprake për menaxhimin e rënies së Rusisë duke mbështetur rajonalizmin dhe federalizmin, duke pranuar aspiratat për sovranitet dhe mëvetësi, duke përshtatur pozicionin e fuqive të tjera të mëdha, duke forcuar sigurinë e vendeve në kufi me Rusinë dhe duke promovuar trans-Atlantizmin dhe trans-Pacificizmin në mesin e shteteve që formohen nga një Rusi në shpërbërje.
Neglizhimi i dështimit të shtetit rus mund të jetë më i dëmshëm për interesat perëndimore sesa parapërgatitja për të menaxhuar pasojat ndërkombëtare të kësaj. Rënia e papritur e Bashkimit Sovjetik mbi tridhjetë vjet më parë duhet të shërbejë si mësim se revolucionet gjeopolitike ndodhin pavarësisht nga mohimet e Kremlinit apo aderimi i Perëndimit në një status quo- kalimtar.