Kemi mjaftueshëm ushqime dhe rezerva/Vuçiq i ‘Ballkanit të hapur” e do Serbinë jashtë luftrave
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia tashmë ka marrë një vendim lidhur me sanksionet ndaj Rusisë dhe se ai vendim i është paraqitur opinionit. Këtë deklaratë, Vuçiq e ka bërë më 7 mars duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me qëndrimin që ka Beogradi ndaj ngjarjeve në Ukrainë. Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Serbia mbështeti integritetin territorial të atij vendi dhe në të njëjtën kohë vendosi të mos u bashkohet sanksioneve, të cilat Bashkimit Evropian i vendosi ndaj Moskës zyrtare. “Të udhëheqësh vendin në kushte të këtilla, nuk është gjë e lehtë. Do të dëshiroja ta ruajmë Serbinë nga konfliktet, luftërat dhe problemet e mëdha”, tha Vuçiq, më 7 mars në Leskovc, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për vendosjen e mundshme të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Më 2 mars, Beogradi zyrtar votoi për të miratuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën dënohet sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Presidenti i Serbisë tha më 7 mars se për shkak të konfliktit në Ukrainë, në situatën aktuale globale ekzistojnë shumë aktorë që duan pranim të përshpejtuar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. “Në qoftë se do të pranoheshin në ndonjë organizatë ndërkombëtare, kjo do të thoshte se ata thyen Marrëveshjen e Uashingtonit. Ne do t’i befasonim ata me një përgjigje efektive. Atë ditë do të mësojnë emrat e disa shteteve që e tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Vuçiq. Presidenti i Serbisë tha në Leskovc se Serbia ka hequr dorë nga dërgimi i një note proteste Turqisë në lidhje me qëndrimin e deklaruar për hyrjen e Kosovës në NATO. “Ne morëm vendimin që të mos dërgojmë notë proteste në Turqi, sepse kam pasur një bisedë me (presidentin turk) Recep Tayyip Erdoganin dhe më sqaroi se çfarë ka thënë ai, çfarë u transmetua dhe morëm vendim që të mos dërgojmë një notë të tillë”, tha Vuçiq. Sipas mediave turke, Ergodan ka thënë më 1 mars se Turqia e ka njohur menjëherë Kosovën si shtet dhe se, sipas tyre, kështu do të veprojë edhe kur Kosova të bëjë kërkesë për anëtarësim në NATO. Vuçiq përsëriti se rezervat e mallrave dhe ato energjetike të Serbisë janë të siguruara dhe se nuk ka nevojë që qytetarët të krijojnë rezerva të ushqimit dhe derivateve të naftës. Vuçiq tha se vendimi për ndalimin e eksportit të grurit nga Serbia, i cili ishte paralajmëruar dy ditë më parë, do të merret nesër ose pasnesër. “Mullisëve do t’u lejohet të eksportojnë miell edhe për disa kohë. Do të ketë mjaft grurë për qytetarët e Serbisë, por edhe për rrethin tonë”, ka deklaruar Vuçiq, ndërkaq si një prej problemeve me importin e lëndëve të para, ai ka përmendur mungesën e hekurit dhe koksit për fabrikën e hekurit në Smederevë. Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, më 7 mars, deklaroi se rezervat e mallrave të Serbisë janë plot me stoqe dhe se në arkën e shtetit ka para për të blerë gjithçka që është e nevojshme. “Kursi është i qëndrueshëm. Nëse do të jetë e nevojshme, shteti do të reagojë dhe do të pranojë mbi vete barrën e çdo krize të mëtejshme”, tha Malli. Ai ka theksuar që Serbia ka mjaftueshëm miell, grurë, misër, karburant, oriz, krip dhe sheqer. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.