Albspirit

Media/News/Publishing

Oligarkët shpërthejnë ndaj Putinit: Jepi fund luftës!

Oligarkët rusë kanë shprehur shqetësime për pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Moska, ndërsa vendet Perëndimore vazhdojnë të godasin miliarderët pranë Kremlinit me më shumë sanksione për luftën. Manjati rus Oleg Deripaska, i cili ka qenë i njohur për lidhjet e tij të ngushta me presidentin Vladimir Putin, tha në Twitter më 7 mars se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne kemi nevojë për paqe sa më shpejt të jetë e mundur, pasi tashmë e kemi kaluar pikën pa kthim…E gjithë bota do të jetë ndryshe, Rusia gjithashtu do të jetë ndryshe”, shkruan në postimin e tij, Deripaska. Më pas ai mbajti një tjetër postim, duke shkruar se: Unë nuk jam gjithmonë dakord me Harari Yuval – për mua ai ka qenë gjithmonë politikisht shumë korrekt për të qenë një historian i paanshëm. Por këtu unë pajtohem me të, dhe jam i sigurt se shumica e njerëzve rusë e pranojnë – ne kemi nevojë për paqe.

Gjithashtu më 7 mars, në një deklaratë drejtuar punëtorëve të një fabrike çeliku në qytetin e Novolipetsk (NLMK), një tjetër manjat rus, Vladimir Lisin, tha se jetët e humbura në Ukrainë ishin një tragjedi që ishte e vështirë të justifikohej. Lisin, kryetar i NLMK-së dhe aksionari kryesor i objektit, bëri thirrje për përpjekje diplomatike paqësore për zgjidhjen e konfliktit dhe shprehu shpresën se lufta do të ndalet së shpejti. Biznesmeni i pasur rus Oleg Tinkov njoftoi më 6 mars se nuk është më miliarder pasi ka humbur shuma të mëdha parash pasi u vendosën sanksione kundër tij dhe Rusisë për luftën në Ukrainë. Ai gjithashtu u kërkoi gazetarëve që të mos e quanin oligark. Javën e kaluar, Tinkov dhe tre manjatë të tjerë rusë — Mikhail Fridman, Pyotr Aven dhe Aleksei Mordashov, të cilët ishin gjithashtu në shënjestër të sanksioneve perëndimore, kërkuan publikisht një ndërprerje të armiqësive. Më 7 mars, kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi sanksione të reja kundër 10 rusëve, të cilët i quajti “bashkëpunëtorë” në pushtimin “të pajustifikuar” të Ukrainës. “Kjo përfshin ish-zyrtarë të lartë dhe aktualë të qeverisë, oligarkë dhe mbështetës të udhëheqjes ruse,” tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe kryeministrin holandez Mark Rutte. Trudeau shtoi se emrat e personave të sanksionuar erdhën nga një listë e përpiluar nga politikani i opozitës rus i burgosur Aleksei Navalny. / Burimet Interfax dhe Reuters

Please follow and like us: