Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Stuhi Amar

Më maskara burrë se unë nuk besoj se ke njohur ndonjëherë?
Mund të çuditet bota kur të lexojë këtë pyetje që në të vërtetë i ngjan më shumë një pohimi. Por kjo s’është çudi. Më në fund arrita të pohoj këtë ndërgjegjësim, duke besuar se jam një maskara.
Dhe ti më uleshe në prehër si engjëll i dërguar nga botë, që s’e di kujt i përket ekzaktësisht…
Pohova shpesh paaftësitë e mia. Nuk e di nëse e bëra nga ndërgjegjia ime përballë teje a nga frika e Zotit se mos më djeg në ferr? Ferrin vazhdoj ta jetoj çdo ditë larg teje. Asnjë rëndësi nuk ka, cilado që të jetë. Përderisa kjo nuk solli asnjë nga gëzimet tona.
Kujt i duhet një burrë si unë?
As ty Amar, aq më tepër ty. Gruas së hekurt që sfidoi çdo mendësi të kohës, të botës, të dreqit a djallit si të duash quaje ti. E një burrë si unë i përtyp si kafshata me vaktet e ditës duke ndjerë shijen e hidhur. Më ngec në fyt loti yt. E di çfarë? Ushqehem me gënjeshtrën se të kam harruar. Ky ushqim turbullon lëngjet në stomakun tim. Dua të nxjerr veten nga zorrët. Dhe e bëj sa herë, mendja ime vozit në ujrat e mendimeve torturuese për ty. Të ndjek kudo si hije, se s’mmunda të bëj dritë.
Qurravitjet e mia s’të duhen aspak. Ato janë dështimi tërësor i një burri që fshihet pas respektit të rremë. Ai që dëgjon akoma hirarkitë e një dinastie primitive.
Ai që nuk është i zoti të përmbys botën për të të pasur ty. Bota s’është asgjë. Kudo që ta shohësh. Dyer të mbyllyra ku fshihen heshtjet e gjithësecilit me natën. Hierarkia dhe respekti për njerëzit e dashur të cilët nuk i zgjedhim janë gënjeshtra më e madhe që përdor njeriu. Një rrenë me bisht, një mashtrim si vetë paburrëria ime.
Këtu është një hendek i madh i krijuar nga kohërat. S’e di akoma sa kohë do të duhet për këtë ndryshim? Ajo që di me siguri është se, vuaj i fundosur në thellësi të këtij hendeku pa asnjë rrugëdalje të bardhë në mendjen time. Si mbytete njeriu në boshllëqe të tilla?…
I vetmi ngushëllim i gjithçkaje është ekzestenca jote Amar. Kjo ekzistencë që nuk të le të largohesh prej zemrës. Të ruaj me kujdes aty. Dhe pse ti ankohesh shpesh për mungesat e mia. Asnjëherë nuk je vetëm. Kështu marr frymë. I vdekur mes të gjallëve.
Jo Amar s’i duhet kërkujt një burrë si unë. Aq më tepër ty. Ty që mbi çdo piedestal të dhimbjes ndërtove një rrugë për të vazhduar.
Vështirë të ecësh mbi dhimbjen tënde. Por gruaja si ti ecën mbështetur në forcën e saj. Ti je e fortë. E fortë sa një stuhi Amar!
Shkatërroje botën e ndërtuar nga mendësitë e ushqyera në kohëra që fshihen mirë pas shkëlqimit të rremë, ngrehur prej hunde nga uni i sëmurë, nga egoizmi i një burri të paburrë.
Pohoj atë pjesë timen që e njohe vetem ti. Dhe askush tjetër nuk guxoi ta prek. Dhe ballë meje se solli askush.
Veç ti Amar.
Gruaja që di si i këndohet një zemre.
Që di sa shumë duhet të heshtësh pas dhimbjes së gjatë. Të flasësh me shikimet drejt shpirtit nga ku paburrëria e një burri mbyll portat e çdo nisje të re. Por ti mund të shikosh aq thellë e nuk ke frikë asgjë. Lë prapa gjithë rehatinë e krijuar me aq brishtësi prej gruas zemër mirë, pa pritur as më të voglin shkëmbim.
Se dashuria e vërtet ka emrin tënd, Amar!
Çfarë t’i ofroj një gruaje si ty, kur qava si fëmijë e të pyesja gjithmonë se çdo të bëhej me ty. Ku veç premtimeve boshe nuk gjeta asgjë tjetër veç se të ruaj të fshehtë. Dëshira të ndezura mbetën të gjitha ëndrrat e mia për ty. Sepse unë nuk jam gjë tjetër veç, burri që kënaq veten me gruan e radhës.
Shkruaj të lehtësoj shpirtin. Fjala më del vrullshëm. Si tërbimet e tua Amar kur pabesisht u mundova të të ve në vendin që nuk e meritoje aspak. Ndaj zinxhirët e mefshtë të mendësis së një burri nuk i lidhin dot furtunat e tua. Bëhesh një mot i egër nga padrejtesitë e natyrës.
Ti je një stuhi Amar, një stuhi që rehatohet në brigjet e mia të përqafta. Zgjas krahët e të mbështjell. Si dy degë thyhemi të dy. Dëgjoj zhurmën e një trugu që hesht pas stuhisë…
Please follow and like us: