DW: Sanksionet ndaj Rusisë ‘trondisin’ tregjet e financave, asgjë s’do jetë më si më parë
Një mundësi e ndërprerjes së importit të naftës dhe gazit rus i ka rritur rrufeshëm çmimet në stratosferë. Një fuçi e llojit të naftës bruto Brent kushtonte pak para hapjes së bursës të hënën (07.03) 139 dollarë, ky është niveli më i lartë i çmimit që nga korriku i vitit 2008. Edhe çmimet e tregtimit me shumicë për gazin në Europë janë rritur me 60 përqind në 350 euro duke e thyer rekordin e së premtes. (04.03). Përpara ndërhyrjes ruse në Ukrainë çmimi ishte nën 80 euro.
Karburanti dhe ngrohja do të shtrenjtohen gjithnjë e më shumë
Këto rritje të vrullshme të çmimeve të lëndëve të para dhe shqetësimi për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës çuan në rënien e kursit të aksioneve në bursë. Pas humbjeve të rënda në tregjet aziatike, edhe bursat në Europë e nisën javën me minuse të forta. Indeksi gjerman i aksioneve, DAX, ra me gati pesë përqind duke shënuar vlerën 12.438 pikë. Gjatë së hënës megjithatë deri në mbylljen e bursës pati disa rritje të lehta me vlera të përkohshme në plus. Ngjashëm u zhvillua edhe tregtimi i Eurostoxx, që në minutat e para të bursës ra me 3,7 përqind, por më pas pati një ripërtëritje të lehtë të kursit. Depozituesit po i drejtohen tani arit: çmimi i një ons troje për herë të parë qysh nga vera 2020 ka arritur në më shumë se 2000 dollarë, për shkak të dobësimit aktualisht të euros, çmimi i arit është rritur si asnjëherë më parë. “Ne ndodhemi në fillimin e një rendi të ri të ekonomisë botërore”, kështu i shpjegon reagimet e tregjeve të financave Robert Halver, strateg i tregjeve të kapitalit në Baader Bank.
Në përgjithësi ekonomia në Gjermani dhe në Europë do të prodhojë dukshëm më pak për shkak të mungesave dhe çmimeve të larta. Krahas rritjes së kostove të energjisë edhe dëshira për konsum do të bjerë, vërejnë ekspertët. Gjermania është e varur fort prej importit të energjisë dhe tregtisë botërore.