Albspirit

Media/News/Publishing

“Lady D” për vajzat dhe gratë që i japin bukuri dhe aromë kësaj bote

Ambra Hysa

Kur bëhet fjalë veçanërisht për vajzat dhe për gratë, jam shumë e ndjeshme…

Sepse pak kohë në parë, kam shkruar një libër që ka në qendër Gruan inspiruese dhe të fortë e cila mund të jetë model për të gjitha vajzat e reja, sepse ne kemi nevojë për modele të mira dhe frymëzuese, si boshtin për të mbështetur mendësitë e bukura dhe ëndrrat tona, si motivin për të arritur versionin më të lartë të vetes…kemi nevojë për frymëzim…dhe unë jam frymëzuar nga çdo grua e bukur që kam njohur për ta shkruar këtë libër.

Një roman i cili më ka hapur derën për në portën e zemres së shumë zonjave apo zonjushave, por jo vetëm…kam takuar të rinj dhe të reja dhe kam dashur që nëpërmjet librit të prek sadopak jetët e tyre, ti frymëzoj ashtu siç unë frymëzohem çdo ditë për të krijuar Gruan që gjithmonë kam ëndërruar të bëhem, Gruan që të gjitha ne kemi nevojë të na zgjasë dorën, kur jemi ende vajza të vogla…

Kjo grua është “Lady D”. 

Padiskutim një ndër qëllimet e mija është të lë gjurmë duke i ndihmuar vajzat…

Vajzat që nuk mund ta ngrejnë zërin, edhe përshpërima e tyre dëgjohet.

Vajzat dhe gratë janë të bukura, të gjitha pa përjashtim, gjithmonë e kam besuar këtë…

Bukuria është relative, bukuria është në sytë e atij që e sheh, por çdo grua ka diçka magnetike, diçka që e diferencon, diçka që fshihet nën petkun e përsonalitetit të saj por reflektohet edhe së jashtmi dhe shkëlqen.

Nuk është kusht që gratë të jenë të bukura por ato thjesht janë.

Buzëqeshja është diamant në portretin e tyre, sytë i vezullojnë nga dashuria, dëshira për jetën, familjen, ëndrrat, të bukurën.

Gratë janë pasionante dhe kjo i bën ato jashtëzakonisht tërheqëse.

Nuk ka asnjë fuqi grimi që mund të sfidojë atë të përsonalitetit, një grua që vishet me vetëbesim dhe reflekton forcë karakteri, është më e bukura në botë.

Vetëbesimi është gjithçka që një grua duhet të posedojë, por ai nuk ngjan me parfumet, nuk mund të merret dhe të hidhet mbrëmjeve para se të dalësh, ngjan me virtytet, mësohet dhe përvetësohet ndër vite.

Gratë janë trimëresha, gratë dashurojnë fort, dhurojnë mirësi dhe përkëdhelje, kjo lexohet në portretin e tyre prej gjysmë hëne.

Asgjë nuk shkëlqen më shumë sesa një grua që ka dashuri brenda saj.
Kur e ke zemrën të mbushur me dashuri dhe je e lumtur, shikon të njëjtën gjë dhe tek të tjeret, kur të ka pushtuar mërzia dhe urrejtja, ndodh po e njëjta gjë. Bota është vetëm një reflektim i qënies sonë.

Gratë nuk duhet të tentojnë t’i përshtaten kanoneve të bukurisë që shoqëria ka krijuar, ato nuk duhet të vuajnë dhe të përpiqen të qëndrojnë brenda kornizave që shoqëria imponon.

Gratë duhet të jenë të lumtura, të lira dhe autentike, vetëm kështu mund të ndjehen të bukura.

Ka ekzistuar gjithmonë një “garë e heshtur” bukurie mes grave, është koha që kjo të marrë fund.

Gratë duhet të festojnë autenticitetin e tyre çdo ditë dhe të ecin si mbretëresha duke drejtuar kurorën në kokat e njëra-tjetrës.

Nuk ka asnjë garë, gara e vetme është bukuria në zemrat tona, vetëm ajo bukuri reflektohet së jashtmi.

Një grua e shëndetshme mbetet e jashtëzakonshme, ata që i kanë krijuar modelet e bukurisë janë po ata të cilët mund dhe duhet t’i rrëzojnë.

Një grua me strija është e jashtëzakonshme, një grua me thinja është e mrekullueshme, një grua me ‘defekte’ është secila nga ne, sepse nuk ka qënie perfekte, bukuria vërtet qëndron në imperfeksion.

Ne jetojmë në trupin tonë, është detyra jonë të ushqehemi shëndetshëm, por nuk është detyra jonë ta “vizatojmë” atë për të iu përshtatur modeleve apo kornizave që shoqëria ka vendosur, të cilat ne shpesh përpiqemi t’i ndjekim deri në dëshpërim, duke harruar se ata në të vërtetë nuk ekzistojnë.

Gratë janë të bukura.

E dashuroj kur evidentojnë bukurinë e tyre natyrale, të gjithë esencën dhe veçantinë, gra të tilla i konsiderojmë shpesh “të guximshme”, “unike”, ose “plot stil”.

Një grua mbahet mend gjithmonë për elegancën e saj dhe të qenurit ndryshe.

Nuk mund të lësh gjurmën tënde në këtë botë nëse përpiqesh të jesh dikush tjetër ose kërkon të përshtatesh me masën.

Rrudhat poshtë syve tregojnë se ti ke jetuar, çdo rrudhë ka një histori, kjo nuk e bën portretin tënd më pak të bukur, përkundrazi, e shton ëmbëlsinë.

Gratë janë të magjishme në çdo kohë, por ata shpesh e harrojnë këtë.

Gratë kanë nevojë të dëgjojnë shpesh se janë të bukura.

Shpirti i tyre i butë, veshur me forcën e një uragani, ka nevojë të ujitet dhe të përkëdhelet njëlloj si trëndafilat.

Gratë, nuk kanë nevojë të përshtaten, ato thjesht kanë nevojë të duhen.

Jo vetëm për 8 Mars!

Please follow and like us: