Albspirit

Media/News/Publishing

LIDERSHIPI I FEMRËS SI LIDERSHIP SHËRBËTOR

Dr. Iris Halili

“Lidershipi i vërtetë arrihet kur liderët e kuptojnë që janë në shërbim të njerëzve që drejtojnë”. Pete Hoekstra

 

Lidershipi i femrës është një fakt i epokës postmoderne. I shfaqur si një fenomen i natyrshëm në të gjitha nivelet, ai ka sjellë tipare që padyshim kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Pothuaj të gjithë teoricienët e lidershipit arrijnë në një pikë të përbashkët mendimi: lidershipi femëror prezanton tiparet e lidershipit transformues, shpirtëror, pjesëmarrës e mbi të gjitha të atij shërbëtor. Gjithashtu, të gjitha studimet njëzëri konkludojnë se femrat në krahasim me meshkujt kanë një nivel më të lartë të inteligjencës emocionale dhe ky është një tjetër faktor që i bën ato të suksesshme në misionin e liderit. Po të shkojmë mbrapa në kohë, pikërisht te roli i femrës ndër shekuj do të dallojmë se ajo në fakt gjithmonë ka drejtuar në heshtje. Miti i Adamit dhe i Evës është një provë e fortë. Adami vërtet e shijoi i pari mollën por drejt këtij akti e orientoi dhe e drejtoi Eva. Ajo ishte udhëheqësja e vërtetë, që në heshtje e me bindje e çoi Adamin drejt aktit final. Po t’i kthehemi shumë miteve greke, por edhe më të lashta se to, gjithmonë do të vemë re femrën që këshillon në heshtje, vepron në heshtje por që gjithmonë ka influencë e gjurmë në vendimmarrje.

Njeriu i lashtë jo rastësisht kishte vendosur në Olimp shumë perëndi femra; ishin ato që në më të shumtën e herëve vendosnin fatet e njerëzve, fatet e paqes apo të luftës. Kjo rrëfen më së miri se në ndërgjegjen e njeriut të lashtë femra kishte aftësi drejtuese, përcaktuese, dhe mbi të gjitha, shumë herë decizive. Po t’i rikthehemi rolit të saj në institucionin e parë që historia e njerëzimit ka njohur dhe që është familja, do të shohim që femra sërish ka pasur një rol lidershipi në heshtje. Ajo nuk shfaqet hapur, por është prapa çdo vendimi dhe jep mendimin e saj te partneri duke influencuar thellësisht në gjykimin dhe vendimet e tij. Ajo ka drejtuar “nga prapa dhe në heshtje” në jetë të jetëve. Kjo do të thotë se pozicioni i saj i sotëm në lidership nuk është risi për seksin femëror, por është thjesht një shprehje e hapur e asaj që ajo e ka kryer ngaherë dhe është thjesht një shfaqje natyrore e arketipit të trashëguar.

Femra në vetvete trashëgon shumë arketipe që e kthejnë atë vetvetiu në një lider të suksesshëm, por pikë së pari ajo mbart arketipin e shërbimit pa kushte. Nëse femra është një lider, ajo shfaqet së pari si një lider shërbëtor. Ndër teoricienët e lidershipit i pari që foli për lidershipin shërbëtor ka qenë në vitin 1970 Robert Greenleaf i shkollës amerikane të lidershipit, i njohur edhe si babai i lidershipit shërbëtor në botën moderne. Në fakt termat lider dhe shërbim, i kemi gjetur shumë pranë njëri-tjetrit si fillim në Bibël në gojëtë Jezusit. Sipas Tij, çdokush që pretendon të jetë një lider, së pari duhet të jetë një shërbëtor, pra duhet t’u shërbejë ndjekësve të tij.

Shërbimi për femrën nuk është diçka që ajo duhet ta mësojë apo për të cilën ajo duhet thelluar në studime; përkundrazi, është diçka që te femra gjendet fare natyrshëm pasi është pjesë e lindur e saj. Në ndryshim nga meshkujt, ajo nuk shqetësohet aspak të kryejë shërbimin maksimal dhe pa kushte në çdo pozicion lidershipi. Këtë ajo e bën pa sforco dhe pa drojë. Është arketipi femëror që e çon femrën vetvetishëm drejt lidershipit shërbëtor. Nisur nga arketipat e trashëguar të femrës dhe krahasuar këto me cilësitë e liderit shërbëtor do të shohim shumë ngjashmëri, por mbi të gjitha të dy palët ndajnë të njëjtat vlera njerëzore. Le të rreshtojmë disa ngjashmëri mes krahasimeve:

1.

Femra është e prirë të japë dashuri, po ashtu bën edhe lideri shërbëtor. Askush më shumë se një femër nuk mund të njohë artin e dhënies së dashurisë. Femra ka qenë gjithmonë një ‘dhënëse”. Arketipi e udhëheq të japë ndjenja pozitive pa kushte. Roli i saj në familje më shumë se i kujtdo tjetër ka qenë shpirtëror dhe ajo është ndjerë gjithmonë e privilegjuar në realizimin e këtij misioni. Ajo mbetet dhënësja e përjetshme dhe e devotshme e ndjenjave dhe ajo nuk ndihet aspak në siklet në këtë rol. Gjithmonë i kemi bërë pyetjen vetes, pse një femër qan pa drojë në publik ndërsa për një burrë kjo do të quhej dobësi? Përgjigja është fare e thjeshtë. Femra nuk ka drojë t’i shfaqë hapur ndjenjat e saj dhe në mënyrë krejt të sinqertë. I njëjtë është lideri shërbëtor, ai nuk kursehet t’i shfaqë hapur emocionet e tij pozitive për ndjekësit. Këta të fundit e duan liderin shërbëtor pikërisht se gjejnë tek ai njeriun që i do pa kushte dhe u shërben pa kushte.

2.

Femra nga natyra ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranuese dhe jo përjashtuese. I tillë është edhe lideri shërbëtor. Arketipi i saj ndër shekuj është zhvilluar më shumë drejt pranimit se drejt përjashtimit. Që nga mitet më të lashta e deri tek ato më moderne gjejmë figura të femrës që e prezantojnë atë më shumë drejt paqes dhe krijimit të urave të progresit se drejt regresit apo shkatërrimit. Roli i saj në familje për mijëra vjet ka qenë të ndërtojë harmoni dhe ura komunikimi. Ajo nuk e dëshiron dhe nuk e ushtron përjashtimin. Arketipi që vjen nga roli i saj në familje na mëson se në rolin e nënës, femra gjithmonë i ka pranuar fëmijët e saj pa asnjë mëdyshje edhe pse mund të mos ketë qenë dakord me zgjedhjet apo veprimet e tyre.

Poema e famshme e Robert Frostit, “Vdekja e ishpunonjësit” mund të jetë një referencë e mirë për këtë çështje. Kjo poemë konsiderohet në historinë e letërsisë, psikologjisë apo dhe sociologjisë, si referenca më më e mirë se si dy sekse apo karaktere të ndryshme mbajnë qëndrim krejt të ndryshëm për të njëjtin fenomen. Wiliam dhe Mary janë një çift pa fëmijë që jetojnë e drejtojnë një fermë. Silas është një ish-punëtor i tyre që dikur i ka braktisur duke ua lënë punën pa mbaruar. Poema fillon kur Mary kthehet në shtëpi dhe i tregontë shoqit se kishte takuar Silasin, që ishte shumë i sëmurë dhe pa strehë dhe dëshironte të vinte dhe të kalonte ditët e fundit të jetës në shtëpinë e tyre. Wiliam zemërohet nga kjo kërkesë dhe nuk pranon kurrsesi t’i hapë derën dikujt që e kish tradhtuar dikur. Nga ana tjetër Mary, shumë zemërgjerë, ofron natyrën pranuese dhe të butë të femrës, duke vlerësuar se do të ishte më mirë që atij t’i hapej dera duke lënë prapa çdo gjë që kish ndodhur më parë. William pasi kundërshton pritjen e Silas i thotë së shoqes: “Shtëpia është vendi ku dhe kur duhet të shkosh dhe ku ty të presin” ndërsa e shoqja ia kthen: “Unë do ta quaja, shtëpia është ajo gjë që ndoshta edhe nuk e meriton”.

Pra dukshëm William i qëndron besnik parimit të korrektësisë, ndërsa Mary atij të zemërgjerësisë dhe pranimit pa kushte. Shtëpia për Wiliamin është vetëm vendi ku duhet ta meritosh pritjen, ndërsa për Maryn shtëpia duhet të jetë streha e përhershme, pavarësishtnëse e ke merituar apo jo pritjen. Parimi human “çdo njeri ka nevojë për një strehë” është bindja e Maryt, ndërsa ajo e Wiliamit është “çdo njeri duhet ta meritojë një strehë”. Ky dialog kaq i thjeshtë nga dy fermerë mbart në fakt një filozofi të tërë, që fillon me pyetjen: A duhet dhënë dashuri pa kushte apo kjo duhet merituar? Duhet hapur porta dhe duhet ndihmuar e pranuar çdo nevojtar apo kjo duhet merituar? Mary simbolizon shpirtin e butë të femrës, e cila gjithmonë ka qenë dhe mbetet dhënësja pa kushte. Ajo simbolizon ndërkohë edhe lidershipin shërbëtor që parim thelbësor ka shërbimin ndaj ndjekësve pa asnjë kusht dhe pa pritur asgjë në këmbim

3.

Femra e ka kujdesin pjesë të arketipit të saj; të tillë e ka kujdesin edhe lideri shërbëtor. Ndjekësit për femrën në lidership janë si vetë fëmijët e saj. Misioni i parë biologjik i çdo femre ka qenë dhe mbetet kujdesi pa kushte ndaj fëmijëve. Pushteti për femrën nuk është qëllim në vetvete, as mision që është thirrur për ta arritur. Në të kundërt kujdesi është qëllim, është mision që ajo e trashëgon dhe ushtron shumë mirë.

Femra e ndjen pushtetin, e kërkon dhe e shijon si kujdestari, jo si ekzistencë apo kënaqësi ekzistence. Kjo e afron akoma dhe më shumë me liderin shërbëtor. Qëllimi universal i çdo femre është të shohë fëmijët e saj të arrijnë më të mirën, të realizojnë ëndrrat e të jenë sa më të suksesshëm dhe për këtë ajo afron kujdesin maksimal krahasuar me këdo përreth saj. Në të njëjtën formë të vetvetishme femra në lidership përpiqet, kujdeset dhe sakrifikon maksimalisht që ndjekësit e saj të arrijnë qëllimin dhe suksesin. Dhe këtu ajo është sërish shumë pranë liderit shërbëtor.

4.

Si femra dhe lideri shërbëtor kanë aftësinë dhe durimin të dëgjojnë dhe të shfaqin tolerancë. Duke qenë prej mijëra vjetësh në hije, femra ka ndërtuar arketipin e një natyre tolerante dhe në shërbim, ku dëgjimi me durim ka qenë pjesë e pandarë. Duke dashur gjithmonë të përkrah partnerin e saj mashkull, ajo pas çdo dëgjimi ka dashur ngaherë të jetë e sinqertë dhe e vërtetë në këshillat e saj, por ajo asnjëherë nuk ka reshtur së qeni tolerante, pasi dhe vetë pozicioni saj si seks i dytë, ja ka imponuar këtë qëndrim ndër gjenerata.

Të njëjtin profil ka lideri shërbëtor. Ai është dëgjuesi më i mirë krahasuar me të gjithë llojet e tjera të lidershipit, por ai është dhe më paqësori dhe toleranti. Lideri shërbëtor i dëgjon me vëmendje ndjekësit e tij, kërkesat e tyre dhe përpiqet maksimalisht të vihet në shërbim të tyre. Ai zgjedh gjithmonë paqen në vend të luftës, tolerancën në vend të konfliktit, fjalën në vend të armës. Martin Luter King apo Gandi ndërtuan një lëvizje të tërë të bazuar vetëm në këto parime dhe fituan një kauzë që deri para tyre dukej krejt e pamundur.

5.

Femra sakrifikon, po kështu vepron dhe lideri shërbëtor Arketipi i femrës gjithmonë është ndërtuar mes veprimeve të sakrificës. Edhe e gjithë anatomia e saj është bazuar në bazë të akteve të sakrificës. Çdo femër mban me vete pasurinë e të qenit nënë dhe natyrshëm çdo nënë ka instinktin të vendosë fëmijët para vetes, të vetëflijohet për fëmijët në çdo rast e në çdo kohë. Ajo mban fëmijën 9 muaj në trupin e saj; ajo ndien dhimbje gjatë lindjes. Ajo i jep gji dhe kujdeset për fëmijën për vite me radhë; ajo kujdeset për sa e sa shumë detaje rrotull shtëpisë. Vetë trupi i saj është ndërtuar me një anatomi për të vuajtur më shumë. Natyrshëm, ajo është ndërtuar biologjikisht të durojë më shumë; ndaj në pozicione lidershipi ajo nuk zgjedh të sakrifikojë; ajo e bën këtë natyrshëm, pasi arketipi i saj punon po kaq natyrshëm. Nga ana tjetër, lideri shërbëtor sakrifikon për ndjekësit deri në vetëmohim.

Nuk është rastësi që në më të shumtën e rasteve liderët shërbëtorë janë kthyer në heronj të ndjekësve të tyre dhe kanë frymëzuar gjenerata. Vetë jeta e tyre e vetëmohuar dhe e sakrifikuar është një shembull frymëzimi. Gandi apo Martin Luter King janë shembujt më konkretë. Përderisa një femër trashëgon gjithë arketipat për të qenë një lider i suksesshëm shërbëtor, kjo do të thotë se femra nga natyra është e prirë të jetë një lider shumë i arrirë; Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sa herë që shohim një femër në drejtim ajo vetvetiu është e suksesshme. Analiza që bëmë u referohet virtyteve të lindura të femrës që e prijnë atë drejt lidershipit shërbëtor. Por lidershipi në vetvete është ndoshta pozicioni/ profesioni më i vështirë dhe jo i lehtë për gjithkënd. Kjo do të thotë se ndonëse nga arketipi femra trashëgon shumë dhunti të artit të drejtimit, sërish kjo nuk do të thotë se ajo automatiksht do të jetë e suksesshme kudo dhe sa herë drejton.

Lider më shumë bëhesh se lind, thonë njëzëri të gjitha shkollat e lidershipit. Mes tipareve të trashëguara dhe atyre të fituara apo të përvetësuara, gjithmonë krijohet një balancë dhe nuk dihet kush merr me shumë përparësi. Tiparet e lindura kanë të bëjnë më shumë me natyrën e liderit, por tiparet e fituara kanë të bëjnë më shumë me karakterin e tij dhe dihet se sikurse në jetë edhe në lidership përcaktuese nuk bëhet natyra e liderit por karakteri i tij. Ndaj nuk është habi që ne kemi njohur e parë shumë femra të suksesshme në lidership, sikurse kemi parë edhe opozitat e tyre!!!!!!

Please follow and like us: