Albspirit

Media/News/Publishing

A mund t’i afrohet Putinit një vrasës në Kremlin?

Nga: Nigel Jones / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

A mundet një vrasës ta eliminojë Putinin? Po si Lufta e Dytë Botërore që nuk ndodhi pa vullnetin dhe pa agjenturën djallëzore të Adolf Hitlerit, e njëjtë është lufta e Putinit dhe pushtimi i Ukrainës – si dhe gjakderdhja e tmerrshme e mjerimi i papërshkrueshëm njerëzor që vjen nga kjo. A mund të ndalet ai? Lajmi i keq është se, për momentin, shanset për këtë nuk janë të mira.

Putini mbrohet 24 orë rresht – përgjatë shtatë ditëve të javës – nga një prej njësiteve më të forta të sigurisë në botë që e ka izoluar liderin në një flluskë të mbyllur. Qasja ndaj tij rreptësisht kontrollohet – pothuajse në mënyrë maniake – në të njëjtën mënyrën si qasja ndaj Stalinit dhe ndaj Hitlerit. Janë pothuajse zero shanset e qasjes te ky diktator nga një vrasës i vetmuar i jashtëm, si Fanny Kaplin – gruaja hebraike e Ukrainës e cila në vitin 1918 shtiu me tre plumba në drejtim të liderit bolshevik, Leninit, duke ia shkaktuar më vonë një seri sulmesh në tru që e sakatuan dhe përfundimisht ia sollën vdekjen diktatorit sovjetik. Nëse ndalet Putini, nëse përmbyset, ai arrestohet ose vritet, por autorët e një përpjekjeje të tillë duhet të jenë brenda klikës që e rrethon. Momentet jonormale kërkojnë akte të jashtëzakonshme dhe, vetëm kur mendojnë se e ardhmja e tyre është drejtpërdrejt e rrezikuar nga veprimet gjithnjë e më të rrezikshme të Putinit, klika ka të ngjarë të veprojë.

Putini i ka poshtëruar tashmë publikisht anëtarët e rrethit të tij të brendshëm, duke i qortuar kur kanë shtruar pyetje të matura në lidhje me veprimet e tij. Ata nuk mund të kenë ndjenja të fuqishme për këtë njeri kaq të padashur. Por, a është e mundur që shtimi i dyshimeve ndaj tij ta tejkalojë frikën që kanë për të ardhmen e tyre?

Historia është e mbushur me shembuj të atentateve të suksesshme që janë kryer nga njerëzit e afërt të pushtetarëve diktatorialë. Natyrisht, Jul Cezari u vra nga anëtarët e Senatit Romak; shumë perandorë romakë, si Kaligula, u vranë nga rojet personale pretoriane dhe, të paktën njëri nga ta – Klaudi – mbase u helmua nga gruaja e vet, Agrippina. Në kohët moderne, Mbreti Faisal i Arabisë Saudite u vra në vitin 1975 nga nipi, ndërsa kryeministrja e Indisë, znj. Indira Gandhi, më 1984 u qëllua për vdekje nga truprojat sikhë që u indinjuan prej sulmit të saj në Tempullin e tyre të shenjtë të Artë në Amritsar.

Në prag të sundimit tridhjetëvjeçar, Stalini i sëmurë dhe i plakur ishte aq psikotik saqë i arreston dhe torturon mjekët e vet me dyshimin se ata po e helmonin, ndërsa i kërcënonte me vrasje miqtë e kolegët e tij të Byrosë Politike Sovjetike. Ka dëshmi të mjaftueshme se njëri prej tyre, shefi i policisë sekrete sovjetike dhe i shërbimeve të sigurimit, Lavrenti Beria, për ta shpëtuar lëkurën e vet veproi pa mëshirë duke e helmuar shefin – me dozën e duhur të helmit për minj, uarfarin – e duke ia shkaktuar sulmin në tru që më 5 mars 1953 sjell fundin e jetës mizore të Stalinit. Beria me krenari mburrej për këtë akt, duke u thënë shokëve: “E bëra! Të gjithëve ju shpëtova”.

 Spekulimet për vrasjen e Putinit mund të duken si supozime por, siç ka thënë një historian i shquar – profesori Michael Burleigh në studimin e tij të vitit 2021, “Dita e vrasësve”, që flet për atentatet përgjatë shumë epokave – vrasja e liderëve politikë, që nga Jul Cezari e deri në ditët e sotme, ka qenë një goxha mënyrë e zakonshme për t’ia dhënë historisë një shtytje shumë më të dobishme seç do ta jepnin zgjedhjet apo zhvillimet abstrakte sociale dhe ekonomike.

Kur të gjitha vendimmarrjet janë të përqendruara në duart e një sunduesi të vetëm të gjithëfuqishëm, siç është rasti me Putinin, vetëm largimi fizik i tiranit mund t’ia japë fundin tiranisë e do ta eliminojë rrezikun që ai paraqet. Por, mbase duhet të kemi kujdes se çfarë dëshirojmë. Vdekja e parakohshme e Leninit e hapi rrugën për ngritjen në një pushtet suprem të modelit shembullor të Putinit, Josif Stalinit.

Vrasjet gjithashtu mund t’i nisin luftërat – më e famshmja është ajo e vitit 1914 e vrasjes së arkidukës së Austrisë, Franz-Ferdinandit nga Gavrilo Principi, që e nxiti Luftën e Parë Botërore – por ato gjithashtu mund t’i përfundojnë ato. Nëse e suksesshme në qëllim do të ishte një prej dy bombave që gati e vranë Hitlerin në nëntor 1939 dhe në korrik 1944, nuk ka dyshim se Lufta e Dytë Botërore do të kishte përfunduar më herët dhe se do të kishin shpëtuar miliona jetë.

Diçka më pak e njohur, por ndoshta më e rëndësishme për presidentin Putin – në rrethanat aktuale dhe për njohuritë e tij të ngushta të historisë së Rusisë – është vrasja e suksesshme e carit Paveli I në Kështjellën e Shën Mikelit në Shën Petersburg, në mars të vitit 1801. Njëjtë si Putini, me vendimet e tij të çrregullta në politikën e jashtme, cari gjithnjë më ekscentrik e më i izoluar e kishte tjetërsuar qarkun e zyrtarëve ushtarakë dhe civilë që e rrethonin. Pakënaqësia e tyre e arriti kulmin me komplotin që përfundoi me hyrjen në shtëpinë e Pavelit dhe me vrasjen e tij. Ai u pasua nga i biri, Aleksandri I, i cili përfundimisht i dha fund aleancës së Pavelit me Napoleonin, gjë që e tërboi perandorin francez.

Pra, nëse alarmohen sa duhet për rrjedhat gjithnjë e më kaotike të luftës në Ukrainë – dhe nga reagimi i ashpër i botës ndaj kësaj – a ekziston një shans i vogël që rrethi i ngushtë i gjeneralëve dhe i burrave të korruptuar te të cilët mbështetet pushteti i Putinit, se do ta marrin një fletë nga shënimet e zyrtarëve të Berias dhe të Car Palit e do t’ia japin fundin krizës duke u përplasur me shefin?

Teksa po mbyllen mundësitë e hapura për kleptokratët dhe ish-policët sekretë që Putini i ka mbrojtur e promovuar, ndërsa zemërimi i popullit rus veçse po rritet, shpresa më e madhe – për t’i dhënë fund kësaj krize – mund të jetë te njerëzit e këqij që reagojnë për ta rrëzuar diktatorin e keq, e ndoshta të çmendur, që ata dhe Rusinë po i çon në humnerë.

Gjatë një intervistë të filmuar, Putini i ka thënë një herë një gazetari se në fëmijëri e kishte mësuar një mësim të vlefshëm për pushtetin, kur e ka çuar një mi në cep, në bllokun e banesave ku u rrit. Në vend që të nënshtrohej, miu kërceu në fytyrën e tij dhe e sulmoi. Është koha që minjtë e Kremlinit ta mësojnë të njëjtin mësim. /Telegrafi/

Please follow and like us: