Albspirit

Media/News/Publishing

Rajmonda Xhetani: E dashur grua!

Nuk është vetëm kjo dita jote, ti meriton të festosh më shumë se një herë në vit. Forca, inteligjenca, klasi, e sharmi yt nuk mund të vihen re vetëm sot. Ti ke lindur e fortë dhe ke mundësi të jesh çdo ditë e më shumë. Një grua e fortë është e bukur, ajo e pranon luftën që kalon, e plagët e marra vetëm e fisnikërojnë. Kush tha që një grua e fortë s’mund të jetë e ndjeshme dhe femërore? Frika dhe lotët nuk të bëjnë të dukesh e dobët. E dashur, nuk ka asgjë më të fortë se një grua e “e vrarë” që është rikthyer në jetë. Është mahnitëse ajo grua që qesh, qan, lumturohet, vuan e në një të nesërme dhuron pafund dashuri. E fortë është ajo që di të fsheh pikëllimin, edhe kur i është cenuar paqja në shpirt e që nuk viktimizohet për të mbajtur pranë vetes një burrë. Vetrespekti fiton mbi ndjenjat… E dashur, buzëqesh! Vrarja më e fortë në fytyrën tënde, duhet të jetë vija e buzëqeshjes. Të lumturon vëmendja dhe respekti? Nuk bën gabim t’i kërkosh. Kërkoji e kur nuk i merr, kushtoi kohë një personi që i mbushet shpirti nga shkëlqimi i syve të tu dhe do e “vriste” çdo lot i yti. Është shumë bukur të komunikosh me dikë që të kupton edhe kur ti nuk flet. Nuk të pëlqen rruga ku po ecën? Po të mundon? Ndërro rrugë, pa zhurmë… mbase një rrugë e bukur është e shtruar për ty, e dikush që nuk frikësohet nga asgjë do të ecë me ty. Kështu do të jesh e qetë dhe e sigurtë për çdo hap të hedhur. Zgjuarsia jote nuk duhet të të trembë. Përmbush veten me të dhe njerëzit që të zbukurojnë jetën. Është energjia e më shumë se e një mijë diejve që fshihet brenda teje. Bëhu ndodhia më mahnitëse që Zoti ka shkruar në jetën e dikujt! Mos vrapo pas parave, rend pas një shpirti të bukur, aty do gjesh gjithë pasurinë që ti ke nevojë. Asnjë dhuratë nuk e mund dot fuqinë e një shpirti të bukur e të fjalëve që dalin nga ky shpirt. Ato shërbejnë si “lëndë diegëse”, për të kaluar e harruar çdo pengesë, dhimbje e problem. E dashur grua… çdo ekperiencë që kalon është diçka e re e mësuar, le të jetë e hidhur, nuk ka mësues më të mirë. Mbushi “bateritë” me afeksion për një burrë që të frymëzon të mos jesh vetëm e që është i sigurt për hapat që do të hedhë me ty. Dashuria e çarmatos një femër nga pushteti… le ta pranojmë! Një femër di të jetë, një vajzë e hijshme, një shoqe e shkëlqyer, një nënë e mrekullueshme si dhe një profesioniste që përpiqet të promovojë maksimalisht vlerat dhe aftësitë e saj. E dashur, vlera jote nuk është vetëm fiziku yt, e mos lejo të vlerësohesh vetëm për të. Mos u ul në një cep të një zyre, shtëpie, e aq më tepër në qoshe të zemrës së një mashkulli! Nëse një grua zotëron një buzëqeshje plot dritë, një shpirt e mendje të bukur, mund të ndryshojë jetën e kujtdo që ka pranë.

Please follow and like us: