Albspirit

Media/News/Publishing

RAMONA TULLUMANI, NJË SOPRANO SHQIPTARE NË SKENAT E NEW YORK-UT

Ekipi artistik ndërkombëtar “Freda World Music”, nën drejtimin e Maestro Leonardo Quadrini, organizon ditën e Shtunë, më 2 Prill 2022, ora 19:30 te Salla “Zankel” performanca origjinale të muzikës klasike e arieve klasike nga Verdi, Puccini, Donizetti dhe të tjerë në Zankel Hall në Carnegie Hall ku e ftuar speciale do jetë Ramona Tullumani, soprano kryesore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, soprano Ramona Tullumani flet me detaje për organizimin, rëndësinë e aktivitetit artistik me famë ndërkombëtare dhe fton bashkatdhetarët në  Amerikë për t’iu bashkuar kësaj nate magjike.

NJË SHQIPTARE NË CARNEGIE HALL

Një kënaqësi e veçantë për mua, është një moment i rëndësishëm në karrierën time. “Carnegie Hall” është një ëndërr për çdo artist dhe unë ndjehem shumë e kënaqur që më erdhi kjo ftesë e mrekullueshme nga Anthony Freda dhe nga agjensia e tij.

NJË SOPRANO SHQIPTARE NË “FREDA WORLD MUSIC”

Ky është një ekip i cili realizon koncerte dhe shfaqe në skena shumë të rëndësishme në Evropë dhe botë. Për momentin është vendosur ky koncert në New York. Shpresoj që të jetë një sukses për këtë agjensi dhe për Anthony Fredën.

NJË SOPRANO SI PROMOTORE E TRADITËS OPERISTIKE SHQIPTARE

Mendoj që arti im është një vlerë shumë e madhe per kulturën e vendit tim. Artistët janë diplomatët më të mirë në botë. Unë kam prekur shumë skena në Europë dhe mendoj që tani ishte momenti më i përshtatshëm për karrierën time për të qënë në New York.

OPERA SHQIPTARE DHE VËMENDJA E MUNGUAR E INSTITUCIONEVE KULTURORE

Opera ka një histori shumë të hershme në vendin tim. Unë duke qenë mbesa e baritonit të famshëm shqiptar Ramiz Kovaçi e njoh mirë vlerën e operës shqiptare dhe të zhvillimit të saj, lindjes dhe vlerësimit që ajo ka dhe ka pasur në vendin tim. Ka shumë për të bërë, por mendoj që nëse është dëshira dhe ndjesia e duhur çdo gjë mund të realizohet. Pa art nuk ka kuptim asgjë…

FORCA E ARTIT PËR TË TRANSFORMUAR SHOQËRITË

Çdo kohë ka pasur tranzicionin e saj në art. Arti lëviz, ndryshon, zhvillohet apo qëndron në vend, ndonjëherë edhe bastardohet, por përsëri arti i vërtetë nuk vdes kurrë, përkundrazi, këto tranzicione e bëjnë akoma më të fortë.

SHTETI DUHET TA NDIHMOJË ARTIN, TALENTET E REJA

Mendoj që shteti ndryshon, politikat e tij ndryshojnë, si janë në një kohë, s’janë në një tjetër, por rëndësi ka që arti dhe artistët të jenë të fortë, rëndësi ka të dalin talente, gjë që vitet e fundit ka pësuar vështirësi. Shteti duhet ta ndihmojë artin, talentet e reja, artistët e rëndësishëm të vendit…

NJË MESAZH PËR BASHKATDHETARËT NË USA

E lumtur pafund që do të përformoj para jush, para shqiptarëve të mrekullueshëm, që jetojnë e punojnë në SHBA. Mezi po pres te jem aty, me ju. Të këndoj dhe të mbush zemrat tuaja, që jam e bindur se janë gjithmonë me mall për atdheun tonë të dashur.

KUSH ËSHTË SOPRANO RAMONA TULLUMANI?

Ramona Tullumani ka lindur në Tiranë. Është një soprano e njohur me origjinë shqiptaro-bullgare. Ka studiuar në Liceun Artistik për piano dhe muzikë klasike. Është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për kanto. Që në vitin e parë të Akademisë zhvilloi një “Master Class” me sopranon e njohur Katia Ricciarelli. Pas diplomimit ka marrë pjesë në “Master Class” me sopranon Raina Kabaivanska në Sofje, Bullgari. Ka kryer specializimin në Vjenë me Eda Muser. Ka luajtur rol kryesor në shumë opera të cilat janë zhvilluar në Shqipëri, Itali dhe Bullgari, ku do të përmendim disa prej tyre, “Rigoletto”, “La Traviata”, “Boheme”, “Elisir D’Amore”, “Rigoletto”, “Gianni Schicchi”, “Flauti magjik”, “Peshkatarët e perlave” dhe “Le Villi”. Ka marrë pjesë në shumë koncerte, ku më i dashuri për të është ai i “Tre Tenorëve”. Ka kënduar në ditëlindjen e Papës në Vatikan në Romë.

Please follow and like us: