Albspirit

Media/News/Publishing

Rusia është sërish prapa perdes së hekurt

Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

 

Vladimir Putini është nxënës goxha i etshëm për historinë ruse. Verën e kaluar vetëbotoi një ese të gjatë, “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, që gjithashtu ishte manifest për luftë. Por, në morinë e gjithë mendimeve të tij historike, Putini e anashkaloi një shembull të rëndësishëm që përsëritet: rolin që kanë luajtur luftërat e dështuara në ndryshimin e regjimit në Rusi.

Humbja në Luftën e Parë Botërore i krijoi kushtet për Revolucionin rus në vitin 1917. Poshtërimi i Moskës në luftën ruso-japoneze të viteve 1904-1905, gjithashtu ndihmoi në provokimin e një revolucioni të dështuar. Lufta e Krimesë e viteve 1853-1856 çoi në vdekjen, ndoshta nga vetëvrasja, të carit Nikolla I. Në kohët më reja, lufta shteruese në Afganistan kontribuoi goxha shumë në rënien e Bashkimit Sovjetik më 1991.

BRSS-ja i humbi rreth 14 mijë trupa gjatë një dekade të luftimeve në Afganistan. Qeveria ruse ka pranuar se ka humbur rreth 500 ushtarë – të vrarë në ditët e para të pushtimit të Ukrainës. Shifrat reale ka të ngjarë të jenë dukshëm më të larta. Lyudmila Narusova, senatore ruse, ka folur për një trupë ruse prej 100 ushtarësh me vetëm katër të mbijetuar. Ndërsa, më e keqja e luftimeve vjen më vonë.

Pra, a është e mundur që dështimi në luftë të rrëzojë edhe një herë qeverinë ruse? Shumica e ekspertëve me të cilët kam biseduar mendojnë kjo se nuk ka gjasa – të paktën në afat të shkurtër. Ben Noble i Kolegjit Universitar të Londrës është “skeptik ndaj pretendimeve se Putini do të rrëzohet shpejt, me një grusht shteti në pallatin presidencial – ose se elita ekzistuese mund të tërhiqet përballë protestave masive”. Dominic Lieven, njohës i madh i kolapsit e Rusisë cariste, gjithashtu na paralajmëron të mos llogarisim shumë në shthurjen e shpejtë të sistemit të Putinit.

Në anën tjetër, falë sanksioneve perëndimore, i shpejtë do të jetë dëmi ekonomik në Rusi – për shkak të luftës në Ukrainë. Fitimet e 20 vjetëve të fundit mund të shuhen brenda javësh. Michael Bernstam i Universitetit të Stanfordit beson se ngrirja e aseteve të bankës qendrore të Rusisë do të ndikojë që bankat tregtare dhe zinxhirët e furnizimit të kollaptojnë në një kohë të shkurtër, duke e kthyer pjesën më të madhe të ekonomisë në shkëmbim.

 Klasa e mesme urbane e Rusisë është mësuar me botën e Ikea-s, iPhone-ve, kartave Visa të kreditit dhe me pushimet e shkurta drejt Evropës ose Gjirit. Kjo botë ka marrë fund. Shumë prej oligarkëve të cilët e mbështetën Putinin për ta ruajtur pasurinë e vet, i kanë humbur perandoritë e tyre të biznesit ndërkombëtar dhe jahtet.

Janë zhdukur gjithashtu liritë e fituara me vështirësi, si dhe lidhjet me botën e jashtme. Në shumë aspekte, Rusia tashmë është më e izoluar se sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë – kur të paktën ishte e mundur të udhëtoje në Evropën Lindore apo kur ekipet sovjetike konkurruan në Kupën e Botës e në Olimpiadë. Rusia tashmë është e përjashtuar nga garat ndërkombëtare sportive, ndërsa Aerofloti i ka anuluar fluturimet ndërkombëtare – me përjashtim të Bjellorusisë fqinje. Ky izolim ka të ngjarë të vazhdojë për sa kohë që lufta ose pushtimi i Ukrainës vazhdon.

Në Rusi tashmë janë bllokuar qasjet në Facebook dhe në faqet e mediave të huaja si BBC. Përhapja e “informacioneve të rreme” për luftën (që nuk duhet të quhet luftë, por operacion special ushtarak) dënohet me 15 vjet burg. Rusia tashmë është po aq totalitare sa Kina – por pa ekonomi funksionale, pa udhëtime në vende të huaja dhe pa mallra konsumi që ndihmojnë për ta mbajtur nën kontroll klasën e mesme kineze.

Përdorimi i shpejtë i represionit nga Putini tregon se sa i shqetësuar është ai për gjendjen e tij të brendshme. Me super të pasurit dhe klasën e mesme urbane të mërzitur, diktatori i Rusisë (sepse i tillë është tani) varet nga baza thelbësore e mbështetjes: rusët e zakonshëm jashtë qyteteve të mëdha dhe një rreth i brendshëm besnikësh.

Sondazhet ruse flasin për nivele të larta të mbështetjes për luftën. Por, duke e pasur parasysh klimën e represionit, ato sondazhe nuk kanë shanse të jenë të besueshme. Nga llafet që i përhapin bëhet me dije se versioni i Putinit për konfliktin po besohet shumë, ndoshta nga shumica e rusëve. Televizioni shtetëror e kontrollon narrativën për luftën në Ukrainë. Por, realiteti – në formën e viktimave dhe të humbjeve ekonomike – shpejtë mund ta minojë fabulën zyrtare. Edhe nëse kjo ndodhë, duhet pasur guxim të madh për protesta publike. Demonstruesit rrezikojnë të rrihen, të burgosen dhe të humbasin punët që i kanë. Shkatërrimi i lëvizjes së protestës në Bjellorusi, vitin e kaluar, bën me dije se represioni shpesh funksionon nëse është i pamëshirshëm.

Shpresat për largimin e Putinit duhet të mbështeten, pra, kryesisht në një grusht shteti në pallatin presidencial. Siç ka analizuar politologu Milan Svolik, “pjesa dërrmuese e diktatorëve e humbin pushtetin më shumë nga ata që janë brenda dyerve të pallatit presidencial sesa prej masave jashtë”. Por, Putini na del se është i rrethuar nga besnikët të cilët kanë botëkuptimin e tij nacionalist dhe konspirativ, fatet e të cilëve janë të lidhura ngushtë me liderin.

 Edhe nëse shtohen dyshimet te disa në rrethin e brendshëm, është ende e rrezikshme dhe e vështirë ta bësh një lëvizjeje kundër Putinit. Udhëheqësi rus gjithmonë kujdeset për truprojat e veta, disa prej të cilëve janë bërë burra shumë të pasur.

Në pjesë tjera të botës, diktatorët si Robert Mugabe i Zimbabvesë ose Nicolás Maduro i Venezuelës i degraduan shtetet e tyre në varfëri dhe izolim – por gjithsesi arritën të mbaheshin për shumë vjet në pushtet.

A do të jetë kjo vërtet e mundur në Rusinë moderne? A mundet Putini me i burgosë përsëri bashkatdhetarët e tij prapa një perdeje të hekurt? Fati i Ukrainës, i Rusisë dhe pjesës më të madhe të botës varet nga kjo përgjigje. /Telegrafi/

Please follow and like us: