Trajtimi i sfidës më të madhe të zhvillimit të kohëve të sotme
NGA FIONA MCCLUNEY* LUIGI SORECA*/ Është pranuar globalisht se pabarazia gjinore, bashkë me ndryshimin klimatik dhe krizën mjedisore, është një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit të qëndrueshëm të kohës sonë. Konfliktet e armatosura e shtojnë këtë sfidë në mënyrë dramatike, sikurse po shohim këto ditë në Ukrainë, ku mijëra gra po i ikin marrëzisë së luftës, të detyruara të lënë pas çdo gjë.
Megjithatë, ndërkohë që e njohim shumë mirë çmimin e padrejtë që paguajnë gratë në kohë lufte, ekziston një besim i gjerë se ndryshimi klimatik “nuk bën dallim midis gjinive”, kësisoj, vijojmë të shohim përfshirje të ulët të grave në vendimmarrje. Por në të vërtetë, kriza globale klimatike nuk ndikon njësoj te gratë si te burrat. Të drejtat e grave dhe vajzave, nevojat dhe përparësitë e tyre, shpërfillen sistematikisht nga politikat dhe programet për klimën, mjedisin dhe rrezikun ndaj fatkeqësive.
Koeficienti i mbijetesës së tyre në fatkeqësi është i ulët, qasja në ndihma sa vjen e ulet dhe dhuna me bazë gjinore në shtëpi, në punë e në hapësira publike sa vjen e rritet, sikurse u vu në dukje nga “pandemia e fshehur” gjatë krizës së COVID-19-ës. Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, “Barazi gjinore sot për një të ardhme të qëndrueshme”, është një mundësi për të përkujtuar gratë dhe vajzat anembanë botës, që janë në vijën e parë të drejtësisë mjedisore dhe ndryshimit klimatik.
Pa dyshim, si pjesë e agjendës së saj të integrimit në BE, Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme për të harmonizuar kuadrin e vet ligjor për ndryshimet klimatike dhe barazinë gjinore me legjislacionin e detyrueshëm të BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Janë hartuar strategji të rëndësishme për të trajtuar sfidat e ndryshimeve mjedisore dhe klimatike.
Strategjia e re Kombëtare për Barazi Gjinore në Shqipëri – për herë të parë – i vë theksin parandalimit të riskut nga emergjencat dhe fatkeqësitë natyrore, ndërsa angazhimet kombëtare për ndryshimin klimatik përfshijnë referenca ndaj barazisë gjinore.
Studimet tregojnë se fatkeqësitë natyrore prekin më shumë ekonomitë e varura nga prodhimi bujqësor, i cili në Shqipëri përbën 18% të PBB-së dhe punëson 40% të fuqisë punëtore. Për shkak se gratë shqiptare, më së shumti punojnë tokën pa pagesë dhe në mënyrë informale, ato janë shumë më të cenueshme ndaj efekteve të ndryshimit klimatik.
Shqipëria duhet ta bëjë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave pjesë reale të veprimit të saj lidhur me klimën dhe mjedisin. Për ta bërë këtë, është e nevojshme që të shtohen kapacitetet në nivele kombëtare dhe vendore, të rritet bashkërendimi midis institucioneve dhe partnerëve dhe të përmirësohet mbledhja e të dhënave të ndara sipas gjinisë për të matur ndikimin e diferencuar të fatkeqësive dhe ndryshimit klimatik.
Gjithashtu, nevojiten hapa të guximshëm për të kapërcyer stereotipat gjinorë që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në inovacione, digjitalizim dhe ekonominë e gjelbër. Gratë dhe vajzat janë në krye të veprimit për klimën gjithandej në botë. Zërat e tyre duhet të forcohen dhe të dëgjohen me vëmendje, edhe në Shqipëri. Ne duhet t’i forcojmë aftësitë e tyre për t’u bërë ballë fatkeqësive dhe ndryshimit klimatik, të përkrahim pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tyre të konsiderueshme si vendimmarrëse.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le të mos harrojmë ato gra e vajza që kanë ngritur zërin e tyre. Sikurse shprehet dhe aktivistja shqiptare për drejtësinë mjedisore, Rea Nepravishta: “Ne duam të shohim gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat, të punojnë krah për krah për të krijuar një botë të ngritur mbi kujdesin për njëri-tjetrin dhe për tokën, dhe jo mbi shfrytëzimin e tyre. Ne besojmë se kjo është porta për një të ardhme më të mirë”.
* Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri * Ambasador i BE-së në Shqipëri