Albspirit

Media/News/Publishing

Kompanitë teknologjike, masa kundër Rusisë

Ukraina ka nisur një fushatë publike, kryesisht nëpërmjet mediave sociale, duke u bërë thirrje institucioneve të fuqishme teknologjike që të ndërpresin marrëveshjet me Rusinë. Lista e kompanive që kanë marrë masa kundër Rusisë me siguri do të zgjerohet në ditët dhe javët në vazhdim.

 

Ndërkohë që lufta në Ukrainë vijon, me forcat ruse që i afrohen kryeqytetit, Kievit, industria teknologjike në botë po u bashkohet qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar në marrjen e masave për të ndëshkuar Vladimir Putin.

Dhjetëra kompani në Silicon Valley dhe në botë, po i përgjigjen pushtimit të Rusisë, duke e izoluar vendin nga produktet e tyre, shërbimet dixhitale dhe sistemet. Më poshtë është një listë e kompanive që kanë marrë masa kundër Rusisë, e cila me siguri do të zgjerohet në ditët dhe javët në vazhdim.

 

Apple – Gjiganti i teknologjisë njoftoi se do të pezullojë shitjet e produkteve në Rusi, për shkak të shqetësimit të madh të pushtimit të Ukrainës.

Kompania kufizoi aksesin edhe në shërbimin e pagesave nga celulari Apple Pay dhe disponueshmërinë e aplikacioneve të mediave shtetërore ruse, mes të cilave RT dhe agjencia e lajmeve Sputnik, për shkarkimin e tyre jashtë Rusisë. Si masë sigurie për ukrainasit, Apple çaktivizoi edhe trafikun dhe incidentet në Ukrainë nga Apple Maps.

Google – Kompania eliminoi mediat ruse që financohen nga shteti, mes të cilave RT, nga funksionet që lidhen me lajmet dhe instrumentin e kërkimit Google News. Google u ka hequr të drejtën shërbimeve të mediave ruse që të fitojnë para nëpërmjet Google Ads te faqet e saj web dhe aplikacionet.

Ndër të tjera, ua ka ndaluar mediave shtetërore ruse të përdorin funksionet e Google për të blerë hapësira reklamash dhe për të vënë reklama në shërbimet e Google, si Gmail. Google Pay ka bllokuar institucione të ndryshme financiare ruse nga rrjeti i tij.

Meta –  Rrjeti, i cili zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp u kufizoi aksesin RT dhe Sputnik brenda BE-së dhe ndaloi mediat shtetërore ruse të shfaqin reklama, ose të fitojnë para në platformat e saj kudo në botë.

Oracle – Gjiganti i software me seli në Teksas tha se “ka pezulluar të gjitha aktivitetet” në Rusi, disa orë pasi Ministria e Transformimit Dixhital të Ukrainës i bëri thirrje shoqërisë në Twitter të ndalte biznesin në Rusi.

YouTube – Faqja për ndarjen e videove, në pronësi të Google, u ka hequr mundësinë kanaleve mediatike shtetërore ruse të fitojnë para nëpërmjet reklamave në video.

Twitter – Rrjeti social ka pezulluar reklamat në Rusi dhe Ukrainë, në mënyrë që të mos shpërqendrojnë vëmendjen nga siguria publike. Ndërkohë, Rusia ka kufizuar aksesin në Twitter.

TikTok  Aplikacioni për video TikTok u ka kufizuar aksesin account-eve të mediave ruse që kontrollohen nga shteti, mes të cilave RT dhe Sputnik në BE.

Netflix – Platforma e streaming ka ndalur transmetimin e kanaleve të televizioneve shtetërore ruse si Channel One në shërbimin streaming, por do të vazhdojë të funksionojë në Rusi.

MIT – Massachusetts Institute of Technology ndërpreu marrëdhëniet me Skolkovo Institute of Science and Technology, universitet rus kërkimi  në Moskë.

TSMC – Kompania më e madhe e gjysmëpërcjellësve në botë, me seli në Tajvan, po ndërpret shitjet e chip-ave në Rusi, duke përfshirë edhe chip-at e markës Elbrus të zhvilluar në vend.

Intel – Prodhuesi amerikan i chip-ave ndërpreu shitjet në Rusi.

AMD – Edhe Advanced Micro Devices i ndali shitjet e chip-ave për kompjuterët në Rusi. Së bashku me Intel, dy kompanitë përfaqësojnë një pjesë të madhe të tregut CPU desktop.

Dell Technologies – Prodhuesi i kompjuterëve u zotua të pezullojë shitjet e produkteve të tij në Rusi dhe Ukrainë, duke premtuar se do të monitorojë nga afër situatën për të përcaktuar hapat e ardhshëm.

Uber – Aplikacioni ride-hailing po distancohet nga shërbimi rus ride-sharing Yandex.Taxi.

Bolt – Startup-i europian i ride-hailing ndërpreu funksionin në Bjellorusi, pasi vendi mbështeti sulmin e Rusisë në Ukrainë. Aplikacioni i saj i dërgesave, Bolt Market, hoqi “të gjitha produktet e prodhuara në Rusi ose të lidhura me kompanitë ruse”.

Snapchat – Rrjeti social tha se nuk do të shfaqë reklama në Rusi, Bjellorusi apo Ukrainë. Kompania ka pezulluar të gjitha shitjet e reklamave në Rusi dhe Bjellorusi.

Viber – Grupi japonez Rakuten, i cili ka në pronësi aplikacionin e mesazheve Viber, tha se do të heqë reklamat nga aplikacioni i tij në Rusi.

Roku – Kompania që prodhon aparatura streaming për TV tha se do të ndalojë kanalin shtetëror rus të lajmeve RT në Europë.

Microsoft – Gjiganti i teknologjisë tha se do të eliminojë të gjitha aplikacionet e mediave shtetërore ruse nga app store i Windows dhe nuk do të lejojë reklamat në faqet web të mediave shtetërore.

Electronic Arts – Prodhuesi i madh i videolojërave tha se do të heqë ekipin kombëtar dhe skuadrat ruse nga lojërat e FIFA. Ai tha se do të heqë edhe ekipin kombëtar rus dhe bjellorus dhe skuadrat e hokej mbi akull në lojën e fundit NHL.

Nokia – Prodhuesi finlandez i pajisjeve të rrjetit njoftoi se do të ndërpresë dërgesat në Rusi, në mënyrë që të respektojë sanksionet e vendosura ndaj vendit.

Ericsson – Kompania suedeze e telekomunikacioneve do të pezullojë dërgesat në Rusi, sipas një komunikimi të brendshëm nga CEO i saj.

Rest Of World

Please follow and like us: