Ndahet nga jeta këngëtari i njohur durrsak, Qemal Kërtusha
Këngëtari i njohur durrsak Qemal Kërtusha u nda sot nga jeta në moshën 90-vjeçare.
Në repertorin e tij numërohen mbi 1 mijë këngë të kënduara nëpër skenat tona apo ato botërore.
Në vitin 2008, Kërtushës iu akordua titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit, ndërkohë që pas propozimit të bërë, pritet t’i akordohet edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Qemal Kërtusha ka qenë dhe mbetet një figurë emblematike e këngës durrsake, dhe jo vetëm.
Këngët e tij kanë ngritur peshë zemrat e gjithë shqiptarëve dhe qindra të tjerëve në skenat e vendeve të ndryshme të botës ku ka kënduar, në rreth 12 gjuhë të ndryshme.
Në fillim të viteve ’60, këngëtari Qemal Kërtusha kishte arritur apogjeun e suksesit të vetë muzikor, duke u dalluar si një nga figurat më të shquara të muzikës së lehtë dhe të këngëve popullore.
Ai ka prekur skenat e shumë vendeve, më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri. Për herë të parë në skenë është ngjitur me grupet amatore të qytetit të tij të lindjes, Durrësit, e më pas me Ansamblin e Ushtrisë në vitin 1955, ku ka pasur një axhendë shfaqjesh në Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, ish-Bashkimin Sovjetik.
Më tej, në vitin 1968, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve ai ka korrur duartrokitje në Rumani e Bullgari, ndërsa në vitin 1970 ai vazhdoi me sukses në Turqi, Algjeri, Marok e Egjipt.
Shtypi i atyre vendeve ka shkruar me superlativa për këtë surprizë nga Shqipëria e izoluar asaj periudhe, i cili nëpërmjet zërit të tij afirmoi edhe zërin e atdheut të vet njëkohësisht.