Albspirit

Media/News/Publishing

Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filozofike në Bari nderon poeten Irma Kurti

 

 

 

Një tjetër vlerësim për poeten dhe shkrimtaren shqiptare Irma Kurti. Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filozofike në Bari e nderon me titullin “Ambasadore për Shqipërinë”. Titulli i jepet nga Senati Akademik si një personalitet që është  dalluar për punën e saj si dhe për meritat e rëndësishme kulturore të arritura në fushën ndërkombëtare.

Akademia përbëhet nga intelektualë, profesorë nga universitete të shumta dhe studiues, të cilët ndajnë vlerën etike dhe estetike të Artit dhe të Letërsisë bashkëkohore, që manifestohet përmes spektreve të ndryshme krijuese, të dijes dhe pjesëmarrjes shoqërore e kulturore duke favorizuar integrimin e mjeteve shprehëse të jetës dhe artit. Ajo ka për qëllim mbrojtjen dhe përhapjen e kulturës në territorin kombëtar dhe në botë, duke ushqyer dashurinë dhe adhurimin për qytetërimin italian.

Irma Kurti do të promovojë eventet kulturore të Akademisë, duke kontribuar për t’u dhënë atyre një vlerë të mëtejshme përsosmërie dhe prestigji. Aktualisht, një nga këto veprimtari është Konkursi Akademik Ndërkombëtar për Letërsinë Bashkëkohore Lucius Annaeus Seneca (Seneka).

Presidenti Ekzekutiv i Konkursit është Massimo Massa, president Nderi Corrado Calabrò, president i Komisionit Pasquale Panella dhe Drejtuese artistike Maria Teresa Infante.

Përzgjedhja e emrit të filozofit dhe dramaturgut roman Seneca lind nga nevoja për t’i bërë konkurruesit të reflektojnë mbi temat themelore të ekzistencës, kusht thelbësor në udhëtimin e jetës së çdo qenieje njerëzore, për të dalluar midis të ligjshmes dhe të paligjshmes, midis rendit dhe kaosit, midis drejtësisë dhe padrejtësisë, midis së drejtës dhe së gabuarës.

Konkursi ka afat deri në datën 31 maj 2022 dhe krijuesit që banojnë jashtë Italisë mund të konkurojnë me një maksimum prej tre poezish në seksionin S. Poezitë duhet të jenë të shoqëruara nga versioni origjinal në gjuhën shqipe.

 

 

 

Please follow and like us: