Albspirit

Media/News/Publishing

Ego-sintonia dhe Vetënjohja e Un-ikalitetit Narcizist!

Pikturë e John W. Waterhouse (1849-1917) – Ehoja dhe Narcisi, 1903
S. Guraziu – Ars Poetica, N 2020 (Humoreskë)

(…provo ta puthësh veten në pasqyrën e lëngshme të liqenit, syhapur ama aq “verbërisht” sa të mbytesh, aq i përhumbur sa t’fundosesh në vetë imazhin tënd…).

***
Për fat të keq bota nuk funksionon sipas “imagjinatës”, dihet se hënat ëndërrtare të shkrimtarëve dhe i gjithë universi oniristik janë diç tjetër. As vetë lunatikët ndoshta s’i ngushëllon imagjinata. Megjithatë, ashtu duke u vërdallur në “lartësinë” e tyre ata mbase dhe ia dalin disi. Neve realistët e tokës imagjinata s’na ngushëllon asfare. Prore na duhen ca gjëra sadopak më të “prekshme”.

Profesionistët e fushës (psiko-analistë, ekspertë psikiatrikë, psikologë dhe këso pro-fash të tillë) thonë se narcisizmi është një “çrregullim i personalitetit”, se narcisizmi është njëri nga disa lloje të çrregullimeve “personale”. Një Narcis modern, për dallim nga ai “klasiku” mitologjik, në vend të çrregullimit narcisist mbase mund t’vuajë nga ndonjë alternativë tjetër, psh. nga “çrregullimi histrionik” dhe çrregullime të ngjashme… këso termash të shkencës.

Ekspertët thonë se çrregullime të tilla të personalitetit janë ego-sintonike. Kjo do t’thotë se “pacientët” jo medoemos janë të vetëdijshëm për ndonjë problem “personal”. Qëkur gjithçka e sinkronizuar me ego-n e tyre, sintonia vetvetiu nënkuptohet që është e përkryer. Rrallë ndonjëherë, nëse dhe t’iu shkonte mendja për çrregullimin, ata madje mund t’pandehin se problemi i tillë s’është vetëm i “tyre”, assesi. Sipas tyre të njëjtin e kanë dhe gjithë të tjerët rreth e rrotull.

Derisa çrregullimi ego-sintonik implikon se përvoja dhe idetë e një personi janë në përputhje me ego-n e tij – nga ana tjetër, çrregullimi ego-distonik nënkupton që mendimet, ose disa feksime të caktuara ndjehen të padëshirueshme, të papranueshme, shpesh të neveritshme, shqetësuese, jo në përputhje me imazhin vetëkonceptual (të personit).

Psikologët i marrin si shembull obsesionet, i karakterizojnë dhe i përshkruajnë ato t’jenë “ego-distonike”. Personi që i përjeton obesionet, i njeh t’jenë mendime të tija (dmth. feksime origjinale të mendjes), megjithatë s’ka kontroll mbi to. E ndjen se obsesionet janë disi përjashta kontrollit, s’mund t’i afektojë me vullnetin e vet.

Bukur, le t’pohojnë psikologët, le ta çojnë shkencën përpara, ndonjëherë le t’kenë dhe të drejtë, le t’i qartësojnë sekretet e psikes. Duke i gjurmuar skutat e thella të shpirtit njerëzor le ta vështirësojnë shkencën sa më shumë për neve joshkencëtarët. Edhe pse, ç’është e vërteta cakush prej ekspertëve mund t’jenë dhe vetë të “çrregulluar”. Natyrisht, ata vetë s’e pranojnë, sekretet profesionale ngelin sekrete, ama nuk përjashtohet mundësia që dhe psikologët tinëz t’jenë narcizistë të çrregulluar, dmth. narcizistë të arsimuar, ekspertë a la narcissus-scientia : )

Siç na është e njohur nga mitologjia romake, Narcisi ishte një djalosh sa i hijshëm po aq dhe i mirë, vetë pika e djalit. Në sytë e Ehosë së dashuruar padyshim ishte djalosh me dy D-ja të mëdha. Mirëpo për fat të keq, i “psiko-çrregulluar” aq keq. Pas një kohe të gjatë të shpërfilljes nga Narcisi, Ehoja e ngratë dhe mund ta ketë ndjerë keqardhjen për të. Ndërsa ai vetë, kuptohet as idenë s’e kishte.

S’e vriste mendjen për asnjë lloj çrregullimi, përndryshe hëpërhë dhe mund t’na ishte këndellur. Këndellje mjaftueshëm… sëpaku aq sa t’mos e paguante marrëzinë reflektive me jetën e vet. Madje-madje, as vetë Jupiterit (si kryezot), ndoshta as atij s’i ishin të njohura çrregullimet e “personalitetit”. Tekefundit, mitologjia s’e përmend kund këtë detaj, askund s’thuhet se Jupiteri përveç si i gjithëditur, përveç si omni-zot, na shtirej gjoja dhe psikolog.

Imagjino… tani të pamundurën (për hir të shembullit), provo ta “dashurosh” veten aq marrëzisht, siç pati bërë dikur Narcisi. Thjesht si imagjinatë, anise nuk ia vlen, meqë ngelet e pamundur. Vallë cili bukurosh i së sotmes do ia dilte! Provo ta puthësh veten në pasqyrën e lëngshme të liqenit, syhapur ama aq “verbërisht” sa t’mbytesh, aq i përhumbur sa t’fundosesh në vetë imazhin tënd!

E pamundur, madje në këtë rast imagjinata sikur “tingëllon” çmendurake. Jo pra, s’ia vlen, djalosharët e së sotmes janë relativisht mirë me psikologjisjet.

Duke përjashtuar aty-këtu ndonjë Ricky Martin, apo dhe ndonjë Ilir Shaqir, pasi të tillëve megjithatë nuk u dihet. Njëra palë fort të hijshëm, fatlumnisht të pajisur dhe me buzëqeshjen konstante e me qëndresën orfeike. Tjetra palë kokëmëdhenj nga jashtë, dhe me ato veset mozomokeq, narcizistë të pandreqshëm. Ja pse ca kategorive nuk u dihet, stadi i tanishëm psiko-shkencor s’na ofron dhe aq garanci. Për fat të mirë bukuroshët e tjerë kurrë, ose helbete rrallëherë shkojnë aq larg sa të dashurohen në imazhin e vet.

Sipas pohimeve të shkencës, njerëzit s’janë narcizistë të lindur (nga natyra), ata dhe mund t’bëhen të tillë nga mjedisi i tyre, nga rrethanat psiko-ambientale. Thuhet se, bie fjala, duke e analizuar mënyrën si prindërit i trajtojnë fëmijët, ekspertët mund ta parashikojnë sa narcizistë do t’bëhen fëmijët e tyre.

Më tej, shkenca na thotë se tipare të personalitetit narcizistik, si psh. ndjenja e tepruar madhështisë, epërsia (superioriteti), vetëbesimi i stërngopur rreth “drejtësisë absolute” (dmth. dituria universale, pagabueshmëria e tyre), viteve të fundit na ishin vazhdimisht në rritje, statistikat na qenkan prore në rritje. Sidomos ndër shkencëtarë të profilit të lartë, ndër udhëheqës politikë, ndër personalitete të famshme, ndër yje të show-biz, ndër udhëheqës të korporatave, ndër pronarë të bizneseve dhe bosër të tjerë.

Studimet madje sugjerojnë që narcisistët janë më të lumtur sesa ne të tjerët (lirisht mund ta përfshij dhe veten mes “nesh”, pasi s’jam narcizst : ) Për më tepër, narcisistët janë më vital, më të fortë se ne (e duan jetën më shumë) dhe janë më pak të stresuar.

Narcisi dikur (ai i vërteti) i ngrati s’kishte si ta dinte – na ishte se ç’na ishte, mitologjia aq “larg”. Por vallë si ta dimë ne vetë tani, si ta dimë sot nëse jemi të “çrregulluar”, nëse narcizistë? Vallë ka ndonjë mënyrë që ta njohim narcisizmin vetë, pa ndihmën e psiko-shkencave? Nëse fjala na qenka për “çrregullim personaliteti” atëherë thjesht, ende pa e ditur bota do ta “ri-rregullonim” veten, dhe ja e kryer.

Nëse (lexues i respektuar) si lexues ke arritur deri këtu, ndalo për një frymë dhe reflekto: vallë di kush për ndonjë shteg që të dilet atje ku duhet, ca kohë para ekspertëve, përpara se ndokush t’ia nis me analizat e personalitetit tënd? Sepse pastaj mbase do ishte pakëz vonë, apo jo. Pyetja pra këtu nuk është aso “t’jesh a t’mos jesh”, por si t’i njohësh shenjat e personalitetit narcizistik, përpara se t’i ketë zbuluar bota?

Please follow and like us: