Albspirit

Media/News/Publishing

Pas sulmit brutal ndaj Ukrainës, kush do të jetë në objektivin e Rusisë?

Sulmi brutal rus ndaj Ukrainës ka shtuar frikën e disa vendeve evropiane se ato mund të vihen nën shënjestrën e Moskës.

 Perëndimi thotë se ndër vendet më të rrezikuara janë shtetet, që nuk janë anëtare të NATO-s apo Bashkimit Evropian. Mes tyre përfshihen Moldavia fqinje me Ukrainën dhe Gjeorgjia në kufi me Rusinë, që të dyja dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, së bashku me shtetet ballkanike, Kosovën dhe Bosnjën.
Por analistët paralajmërojnë se edhe shtetet anëtare të NATO-s mund të jenë në rrezik, si Estonia, Letonia dhe Lituania pranë Rusisë, si dhe Mali i Zi, qoftë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Moskës, ose nga përpjekjet për destabilizimin politik.
Presidenti rus Vladimir Putin “ka thënë që në fillim se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën”, thotë Michal Baranowski, drejtor i zyrës së Fondit Gjerman Marshall në Varshavë.
“Ai na tregoi se çfarë donte të bënte kur po rendiste kërkesat e tij, të cilat përfshinin ndryshimin e qeverisë në Kiev, por ai po fliste gjithashtu edhe për krahun lindor të NATO-s dhe pjesën tjetër të Evropës Lindore”, thotë zoti Baranowski në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ndërsa Ukraina i reziston me forcë sulmit dy-javor rus, zoti Baranowski tha se, “tani nuk është krejt e qartë se si (Moska) do t’i realizojë qëllimet e tjera”.
Por administrata e Presidentit Biden është shumë e vetëdijshme lidhur me shqetësimet e thella në Evropën Lindore dhe Qendrore, se lufta në Ukrainë mund të jetë vetëm një prelud i veprimeve më të gjera ndaj ish vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës në përpjekje për të rivendosur dominimin rajonal të Kremlinit.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se “Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë”.
“Jemi të shqetësuar për vendet fqinje Moldavinë e Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Duhet të tregojmë kujdes ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnjës, e cila mund të përballet me destabilizim nga Rusia”, tha zoti Borrell.

MOLDAVIA

Ashtu si fqinji i saj Ukraina, ish-republika sovjetike e Moldavisë përballet me një kryengritje separatiste në lindje, në territorin e diskutueshëm të Trans-Dniesterit, ku janë vendosur 1500 trupa ruse.

Megjithëse Moldavia është ushtarakisht neutrale dhe nuk ka plane për t’u bashkuar me NATO-n, ajo aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE kur filloi ndërhyrja ruse në një përpjekje të shpejtë për të forcuar lidhjet e saj me Perëndimin.
Moldavia me 2.6 milionë banorë është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe po pret dhjetëra mijëra ukrainas të larguar nga lufta. Sulmi rus ka shkaktuar shqetësime në rritje në Moldavi jo vetëm për krizën humanitare, por edhe për shkak të frikës se Presidenti Putin mund të përpiqet të lidhë separatistët në lindje të lumit Dniestër me Ukrainën nëpërmjet portit strategjik të Odesës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi Moldavinë javën e kaluar dhe u zotua: “Ne qëndrojmë me Moldavinë dhe çdo vend tjetër që mund të kërcënohet në të njëjtën mënyrë”.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se nuk kishte ende asnjë tregues se forcat ruse në Trans-Dniester kishin ndryshuar qëndrimin e tyre, por theksoi se shqetësimi qëndron. “Në këtë rajon tani nuk ka asnjë mundësi që ne të ndihemi të sigurt”, tha Presidentja Sandu.

GJEORGJIA

Lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë shpërtheu në gusht të vitit 2008, kur trupat gjeorgjiane u përpoqën pa sukses të rifitonin kontrollin mbi provincën separatiste të Osetisë Jugore të mbështetur nga Moska. Gjatë luftimeve pesë ditore Rusia mundi ushtrinë gjeorgjiane dhe qindra u vranë. Më pas Rusia njohu Osetinë e Jugut dhe një rajon tjetër separatist, Abkhazinë, si shtete të pavarura dhe forcoi praninë e saj ushtarake atje.

Qeveria e Gjeorgjisë, me prirje perëndimore, e dënoi ndërhyrjen ruse në Ukrainë, por nuk ka treguar të njëjtin solidaritet që Kievi shfaqi gjatë luftës Gjeorgji-Rusi. Qindra vullnetarë gjeorgjianë u ndaluan nga autoritetet që të bashkoheshin me një brigadë ndërkombëtare që lufton në Ukrainë kundër Rusisë.
 Qëndrimi, në dukje neutral, i Gjeorgjisë megjithatë ka shënuar mijëra tubime natën në qendër të Tbilisit në solidaritet me Ukrainën. Javën e kaluar, qeveria e Gjeorgjisë aplikoi për anëtarësim në BE vetëm disa ditë pasi deklaroi se nuk do ta përshpejtonte aplikimin e saj, ndërsa u rrit frika për një ndërhyrje ruse.

BALTIKU

Diktatura sovjetike është ende e freskët në Letoni, Lituani dhe Estoni. Që nga sulmi ndaj Ukrainës, NATO-ja ka vepruar me shpejtësi për të shtuar praninë e trupave të saj në vendet aleate të krahut lindor, ndërsa Uashingtoni ka premtuar mbështetje shtesë.

 Për banorët e vendeve baltike, veçanërisht për ata që kanë jetuar nën thundrën sovjetike, tensionet para sulmit të 24 shkurtit u kujtojnë atyre deportimet masive dhe shtypjen.

Letonia, Lituania dhe Estonia u aneksuan nga Josef Stalini gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rifituan pavarësinë e tyre vetëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Në vitin 2004 këto shtete u anëtarësuan në NATO, duke u rreshtuar nën mbrojtjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë. Ato thonë se është e domosdoshme që NATO-ja të tregojë vendosmëri jo vetëm me fjalë, por me trupa në terren.
“Rusia mat gjithmonë fuqinë ushtarake, por edhe vullnetin e vendeve për të luftuar”, tha Janis Garisons, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes të Letonisë.“ Sapo të shohin një dobësi, ata do ta shfrytëzojnë atë”.
Sekretari Blinken, i cili vizitoi kryeqytetin letonez Riga të hënën, tha se vendet baltike kanë “formuar një mur demokratik që tani qëndron kundër valës së autokracisë” që Rusia po shtyn në Evropë.

BALLKANI

Do të ishte e vështirë që trupat ruse të arrinin në Ballkan pa angazhuar forcat e NATO-s të stacionuara në të gjitha vendet fqinje. Por Moska mund ta destabilizojë rajonin, siç bën tashmë, me ndihmën e Serbisë, aleatit të saj që e ka armatosur me tanke, sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë.

Kremlini e ka konsideruar gjithmonë Ballkanin si sferë të influencës së tij, megjithëse asnjëherë nuk ka qënë pjesë e bllokut sovjetik. Luftërat e viteve 1990 lanë të paktën 120,000 të vrarë dhe miliona të pastrehë.
Serbia, shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, fajësohet për fillimin e luftërave brutale për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë. Qendrimi i Serbisë në atë kohë i ngjan luftës aktuale të Moskës për të rikthyer Ukrainën në orbitën e saj përmes forcës ushtarake.
Perëndimi druhet se udhëheqja pro-ruse në Serbi, e cila ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, mund të përpiqet të shfrytëzojë vëmendjen e përqendruar tek Ukraina për të destabilizuar më tej fqinjët e saj, veçanërisht Bosnjën, ku pakica serbe ka kërcënuar të ndajë territoret e saj nga federata e përbashkët për t’iu bashkuar Serbisë.
Zyrtarët serbë kanë mohuar në mënyrë të përsëritur se po ndërhyjnë në shtetet fqinje, por kanë mbështetur në heshjte lëvizjet separatiste të serbëve të Bosnjës dhe udhëheqësit të tyre Milorad Dodik.
Ambasada ruse në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë paralajmëroi vitin e kaluar se nëse Bosnja ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO, “vendi ynë (Rusia) do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”. Anëtarësimi në NATO do ta detyrojë Bosnjën të bëhet palë në “konfrontimin ushtarako-politik”, thuhej në paralajmërimin e ambasadës ruse në Sarajevë.

Paqeruajtësit e BE-së në Bosnje kanë njoftuar vendosjen e rreth 500 trupave shtesë në vend, duke theksuar “përkeqësimin e sigurisë ndërkombëtare që mund të përhapë destabilitet”.

Kosova, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër trupave serbe, i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara, që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe të përshpejtojë integrimin e saj në NATO pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe një bazë e përhershme ushtarake amerikane është një nevojë imediate për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruante në rrjetin Facebook Ministri i Mbrojtjes të Kosovës Armand Mehaj. Nga ana tjetër, Serbia tha se kjo ishte e papranueshme.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është njohur nga më shumë se 100 vende, kryesisht vende perëndimore, por jo nga Rusia dhe Serbia.

Mali i Zi, dikur aleat që i ktheu shpinën Rusisë për t’u bashkuar me NATO-n në 2017, ka vendosur sanksione ndaj Moskës për sulmin ndaj Ukrainës dhe pritet të anëtarësohet në BE.

Vendi është i ndarë mes atyre që favorizojnë politikat pro-perëndimore dhe kampeve pro-serbe dhe pro-ruse, gjë që ka rritur tensionet.
Rusia e ka paralajmëruar vazhdimisht presidentin pro-perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili udhëhoqi shtetin e vogël buzë Adriatikut drejt anëtarësimin në NATO, se masa ishte e paligjshme dhe pa miratimin e të gjithë malazezëve.
Përfundimisht, Rusia mund të shpresojë të përmirësojë lidhjet e saj me Malin e Zi në një përpjekje për të forcuar praninë e saj në Mesdhe./voa
Please follow and like us: