Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: Petro LOLI, IKONA E NJERIUT TË JASHTËZAKONSHËM

Petro LOLI – IKONA E NJERIUT TË JASHTËZAKONSHËM, E INTELEKTUALIT FISNIK, E URTËSISË SË MISIONARIT TË FARMAKOLOGJISË !

Portret i paautorizuar në Përvjetorin Jubilar të 90-të të Ditëlindjes, së intelektualit, farmacistit, humanistit misionar, Petro Loli.

Në vend të prologut…

Në jetën tonë të përditshme, shpesh hasim dhe takojmë individë dhe figura krejt të veçantë dhe të rëndësishëm, personalitete dhe misionarë që përmes madhështisë dhe morisë së virtyteve të tyre, me praninë e tyre jetësore, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Profesionistë brilantë që meritojnë të përmenden dhe të promovohen në një shoqëri, që përjeton përçdoditë e më tepër kaosin dhe rrënimin, varfërinë e dukshme në ideale, virtyte dhe standarde. Por që në promovimin e jetës së tyre të matur, plot përmbajtje dhe kuptim, fatkeqësisht dhe çuditërisht heshtet, duke u anashkaluar shpalosja e standarteve të rralla për kohën, që mbarë shoqëria jonë i ka mëse të domosdoshme dhe tepër jetike.

Figura karizmatike, të mençur e të thjeshtë, plot mirësi dhe humanizëm, modestë dhe fisnikë, që me energjitë e pashtershme, ofruan gjithçka bujarisht pa u menduar apo hezituar. Njëri prej tyre ishte edhe intelektuali, farmacisti Petro Loli, i cili sistematikisht për disa dekada i shërbeu shoqërisë nga shumë pozicione drejtuese dhe me përgjegjësi.
Puna dhe veprimtaria e farmacistit, në thelb konsiderohet si një punë e vështirë. Jo më kot, profesioni i një farmacisti ngjason dhe krahasohet me atë të mjekut, madje gabimi eventual i një farmacisti, mund t’i kushtojë jetën një personi, sepse një ilaç nga një helm, ndryshon vetëm në aspektin e dozës. Pikërisht me mendjemprehtësinë e tij ekzistenciale, Petro Loli u zhyt dhe fokusua në enigmat udhërrfyese të kurimit dhe terapive të qëndrueshmërisë të jetës së njeriut. Si një prej specialistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë të farmacisë, si një prej protagonistëve të humanizmit dhe përkushtimit, si njeri bujar dhe i kudogjendur, si një humanist i përndritur, ai i shërbeu me përkushtim të rrallë farmacisë dhe misionit të tij vlerëmadh, në mënyrë që të parandalonte sëmundje të ndryshme por edhe në mbrojtje të shëndetit.

Gjithmonë dhe në çdo rrethanë, Petro Loli ishte i gatshëm për t’u shërbyer pacientëve, të ofronte ndihmesën e tij të pakursyer, të punonte pa pushim dhe të ofronte mbështetjen e tij në kohë tejet të vështira, sado larg të ishte njeriu në nevojë.E gjithë kjo kontributdhënie pasionante, ravijëzohej prej vetëmohimit misionar, larg interesave përfituese apo meskinitetit të privilegjeve vetiake. I përkushtuar në zbatimin e parimeve dhe rregullave të pacënueshme, për të mbijetuar me dinjitet në luftën e përditshmërisë së vështirë, ai ofronte me zemër dhe shpirt shërbimet profesionale dhe njerëzore, kategorikisht pa kërkuar asnjëherë asnjë gjë.

Petro Loli ishte një shkencëtar i ri i talentuar, i motivuar nga etja e tij për një kuptim më të mirë të rolit dhe profesionit të farmacistit, gjatë gjithë vijimësisë së jetës së vet, ishte një burrë i qetë, i përulur, i matur, me dinjitet, i cili shfaqte përulësinë pozitive të karakterit të tij. Një qytetar model dhe familjar shembullor, e mbi të gjitha një Farmacist i jashtëzakonshëm dhe human.

Gjithë jeta e Petro Lolit, ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me farmaceutikën, me farmacinë, me humanizmin, me virtytet, me kontributdhënien aktive në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, megjithëse rrugëtimi i tij nuk mund të quhet i lehtë dhe i thjeshtë.
Personaliteti elegant Petro Loli është fiksuar prej të gjithëve jo vetëm për performancën e tij brilante, por edhe për vullnetin e jashtëzakonshëm dhe dashurinë e tij pasionante krejt të papërsëritshme për librin e dijen në përgjithësi. Në tavolinën e tij, ai gjithmonë përkulej i mbështetur mbi një libër, duke studiuar gjithçka të re nga çdo fushë e shkencës që shfaqej dhe promovohej. Kësisoj ai kalonte orë të tëra duke lexuar dhe hulumtuar përmbajtjen e botimeve dhe librave shkencorë mjekësor.
Si një intelektual dhe humanist i shquar, me angazhimin e tij të vrullshëm, ofroi shumë duke spikatur si modeli i një njeriu tepër të thjeshtë, të papërtuar, me entuziazëm dhe bindje, me vlera qytetëruese, kulturore, shkencore admiruese. Me përkushtimin jetësor dhe ndihmën e solidaritetit për njeriun e thjeshtë, me mirësinë, gadishmërinë për ndihme dhe aftësinë e tij profesionale, diti të fitonte respektin dhe zemrat e njerëzve në nevojë, duke i bërë për vete.

 
Rrugëtimi jetësor dhe ai profesional…

 

Rrjedha e ditëve është e tillë të cilat kalojnë një nga një. Ndonëse heshturazi kaluan afro 7 vite të humbjes së tij, tek të gjithë mbisundon ndjesia se ngjarja makabre e shuarjes dhe e humbjes së të paharruarit Petro Loli, thuajse ka ndodhur dje… Në këtë jetë, paradoksalisht harrojmë dhe e nënvleftësojmë faktin, se të gjithë jemi të përkohshëm dhe kalimtarë. Në realitet, mbetet e përjetësuar kontributdhënia më e mirë dhe e dobishme për shoqërinë dhe bashkëqytetarët, për mbarë vendin dhe prosperitetin e tij. Le të kthehemi një hap mbrapa në kohë – duke ravijëzuar një udhëtim drejt një promovimi aq të domosdoshëm dhe imperative për figurën e përndritur të Petro Lolit.

Petro Loli erdhi në jetë në një ditë pragpranvere, teksa kalendari shënonte 10 Mars të vitit 1932, në Palasë të trevës së Himarës. Si i pari pinjoll në një familje të thjeshtë por njëherazi me vlera të jashtëzakonshme njerëzore, me parime të vyera dhe humanizëm, atë të Kosta Lolit dhe bashkëshortes së tij, Maria Jani Dhimolea. E cila rridhte nga një familje fisnike autoktone me emër dhe me tradita të njohura në atë trevë. Në oxhakun e familjes së tyre, sollën në jetë, 3 djem dhe 2 vajza.
Ati i tij, Kosta Loli, një prej figurave të njohura e të spikatura në Palasë e përtej saj, kishte studiuar në shkollën e njohur emblematike të «Zosimeas» në Janinë, e aty kishte ndjekur edhe kurse për t’u specializuar në fushën e rrobaqepsisë. Fillimisht pas kthimit në atdhe, angazhohet si Përgjegjës Artizanati në lagjen Muradie në qytetin e Vlorës. Në vijimësi i shqetësuar për rrjedhën e ngjarjeve dhe fatet e vendit,a ngazhohet fuqimisht në përkrahjen e Lëvizjes për Çlirimin e vendit, madje duke marrë pjesë aktivisht me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare. Me çlirimin e vendit, menjëherë në kuadrin e organizimit të pushtetit vendor, Kosta Lolit i besohen detyra të larta drejtuese, duke u emëruar si Kryetar i Qarkut në Nënprefekturën e Himarës. I lindur dhe i rritur nga dy prindër që njiheshin si fisnikë, mikpritës, të ndershëm, korrektë dhe punëtorë, në një fshat me një peisazh dhe bukuri krejt të pazakontë, ku edhe pse mbisundonte qetësia, jeta vijonte e mbushur me varfërinë e konjukturave të kohës. Por nga ana tjetër, me nuanca të dukshme lumturie, por edhe me rezerva të mëdha optimizmi dhe shprese, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Krejt e natyrshme që rrjedha e karakterit dhe natyra njerëzore e Petro Lolit, të ngjizej dhe formatohej me parimet e virtytet më të vyera të paraardhësve legjendarë të kësaj treve.

Në vendlindje kalon vitet e fëmijërisë së brishtë e në vijimësi starton mësimet dhe edukimin fillestar në shkollën e Palasës, shkolla dhe stafi mësimor i së cilës drejtohej në ato vite tejet të vështira nga Piro Fotiadhi e një sërë mësuesish të spikatur të asaj plejade, ku punohej me shumë përkushtim dhe me shumë dashuri me nxënësit. Duke mëkuar së bashku me lëndët mësimore dashurinë për vendlindjen, tokën e të parëve, me njerëz të përulur, dashamirës të jetës së thjeshtë, me virtyte të rralla e të pajtuar me natyrën e vështirësitë e saj të panumërta sfiduese. Qysh në ato vite, Petro Loli ravijëzon portretin dhe modelin e një nxënësi tepër korrekt dhe shembullor, madje njëherazi në rrethin e tij shoqëror, ishte i shoqërueshëm dhe shumë i dashur.

Pasi përfundon me sukses ciklin mësimor të shkollës 7 – vjeçare, në harkun e viteve 1946-50, ati i tij dëshironte që biri i tij të ndiqte karrierë ushtarake si oficer madhor. Kësisoj e rregjistron në shkollën ushtarake «Skënderbej» në Tiranë, për të vijuar mësimet respektive pranë kësaj shkolle.
Petro Loli, me mendjemprehtësinë rinore që e karakterizonte, nuk e pati asfare të vështirë që ndonëse larg familjes dhe vendlindjes së tij, të përshtatej me rrethanat reja të jetës konviktore që përballej.
Me qetësinë dhe urtësinë e tij, ai dëshmoi përgatitjen e tij me rezultatet e arritura në mësime, ashtu sikundër edhe në pjesëmarrjen e tij aktive në veprimtari kulturore-sportive. Εdhe pse gjatë kësaj periudhe kohore dëshmon intuitën e tij dhe përgatitje të lartë, përzgjedhja e kësaj shkolle ishte krejt jashtë dëshirave dhe preferencave të tija. Në moshën 14 -15 vjeçare, askush nuk mund të jetë i bindur dhe i sigurtë se cili profesion mund të jetë më i përshtatshmi dhe perfekt, për një rrugëtim jetësor sa më të suksesshëm.

Arsyeja e imponon dhe e shtyn që pas 3 vitesh mësime, në këtë shkollë, indiciet shpirtërore e motivojnë të largohet e kthehet në Vlorë. Në vitin 1950 starton dhe ndjek mësimet respektive pranë shkollës së mesme «Ali Demi» në qytetin e Vlorës. Është këmbëngulës dhe i papërtuar, por edhe me ambicie të dukshme në arritjen e rezultateve të larta, të cilat pashmangshmërisht ndikojnë dukshëm në formimin e tij. Në vitin 1952 i ndërpret studimet në gjimnazin e Vlorës, për t’i vijuar dhe përfunduar në vitin shkollor 1952-53 në gjimnazin «Asim Zeneli» në Gjirokastër. Një institucion i konsolidura që në atë periudhë kohore siguronte një proces mësimdhënieje dhe mësimnxënie cilësore, sipas standardeve bashkëkohore. Duke spikatur në arritjen rezultateve të kënaqshme dhe notave të larta në provimet përfundimtare në një program sa sfidues, po aq edhe shpërblyes. Por njëherazi duke zgjeruar horizontet e shkallën e dijeve nëpërmjet studimit sistematik, në motivimin e krijimeve të vizioneve, imazheve dhe ideve të reja për shoqërinë, për jetën e për njerëzit.
Pasi përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera, fiton të drejtën e studimeve universitare në degën e Farmacisë, në Universitetin e Budapestit. Përzgjedhja e kryerjes së studimeve universitare, në një institucion me tradita dhe emër, përbënte një vendim shumë të rëndësishëm, pak a shumë një faktor kyç për një të ardhme frytdhënëse, me mundësitë më të mira si për shkollim por edhe për punësim. Starton jetën studentore në kryeqytetin e Budapestit, duke vijuar një prej fazave tejet të rëndësishme të jetës e cila kërkonte angazhim, por edhe një punë të lodhshme studimore, e cila vijon deri në vitin 1956. Për shkaqe politiko-ideologjike ndërpartiake, ndërpret studimet dhe transferohet për t’i vijuar tanimë në Universitetin e Bratislavës në Çekosllovaki në degën e Farmacisë. Pasi perfeksionon gjuhën, ndjek me vëmendje dhe shumë përqëndrim pjesën teorike të ligjëratave, por paralelisht edhe të laboratorëve të domosdoshëm, si edhe ushtrimeve respektive. Përballet me pedagogë të devotshëm, me të vërtetë shumë të sjellshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar si edhe për të shpjeguar çdo gjë të detajuar. Me qasjen e tij serioze e të përgjegjshme, që rezultatet e larta arrihen nëpërmjet studimit sistematik, me predispozita dhe dëshira për dije, përforcon njohuritë e fituara dhe ia del mbanë që të përmbushë ciklin e studimeve me nota maksimale. Kësisoj në vitin 1958, përfundon me sukses Fakultetin dhe diplomohet si Farmacist.

Natyrisht që jeta studentore ka qenë një faze krejt e veçantë e jetës dhe e formimit në të gjitha nivelet për djalosharin ambicioz e të talentuar Petro Loli. Duke u ndeshur me një realitet dhe mjedis krejt të panjohur, me një kulturë të gjithanshme, ai me seriozitet e këmbëngulje mundi të përfitonte maksimalisht si në aspektin e formimit profesional po ashtu edhe në atë etik-kulturor

Pas përfundimit të studimeve, Petro Loli rikthehet në atdhe ku fillimisht emërohet si farmacist në Farmacinë nr. 1 në qytetin e Vlorës. Qysh në hapat e para të startit të tij, ai dëshmon qetësinë dhe urtësinë e tij, profesionalizmin e rrallë, thjeshtësinë dhe etikën, por mbi të gjitha vullnetin për punë dhe bashkëpunim.

Ndërsa në vitin 1960, pasi vlerësohet për aftësitë profesionale dhe rezultatet pozitive në angazhimin e tij profesional, emërohet si drejtor i saj, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1965. Në këtë vit, në kuadrin e riorganizimit,emërohet si Drejtor i Ndërmarrjes Farmaceutike të rrethit të Vlorës, duke mbuluar njëherazi gjithë rrjetin e farmacive në rajonin prej Fierit deri në Sarandë. Përballet me një sfidë të jashtëzakonshme, sepse ende ishte i ri në moshë, pa përvojën e duhur drejtuese ku përgjegjësia e drejtimit, mund të dukej shumë tërheqëse, por në të njëjtën kohë, kurrësesi nuk ishtë asfare një detyrë e lehtë.

Si një individ dinjitoz, si një burrë i këndshëm, Petro Loli, sendërtoi misionarin drejtues, organizatorin e aftë, drejtuesi i rregullt dhe i përpiktë duke mbajtur mbi shpatulla barrë të rënda drejtuese, por edhe duke ndarë përgjegjësitë me kolegët e tij, për të realizuar sa më mirë synimet ambicioze kolegjiale.

Specialisti vlerëmadh, Petro Loli dëshmonte vullnetin e gadishmërinë e tij potenciale, duke zhvilluar konsulta të shkurtra informative me pacientët, duke diskutuar gjerësisht për të nxjerrë në sipërfaqe perceptimet dhe preferencat personale të do pacient në përdorimin e medikamenteve shëruese. Ashtu sikundër duke respektuar standardet e dëshiruara të pajtueshmërisë së pacientit, ai sqaronte shmangien në gabimet e mundshme të dozimit ose ndërveprimet e barnave në shërbim të kujdesit shëndetësor personal të pacientit dhe mirëqenies së tij.
Ai ishte tepër skrupuloz dhe këmbëngulës në zbatimin e përpiktë të modelit të kujdesit bashkëpunues, dmth modeleve të bashkëpunimit ndërmjet farmacistëve dhe mjekëve, brenda normave të një protokolli të përcaktuar për të lehtësuar gjithsesi pacientët, në lidhje me farmakoterapinë, administrimin e barnave dhe përzgjedhjen e tyre,por edhe në përdorimin e saktë të tyre.

Si një profesionist, i ndershëm dhe me pasion të lakmueshëm për profesionin e tij, si një mirëbërës i përkorë, Petro Loli vlerësonte së tepërmi pozicionimin strategjik të farmacistit, në kuadrin e masave parandaluese, të cilat ndikojnë në përfshirjen më aktive të pacientëve, në trajtimin e problematikave të tyre shëndetësore, nëpërmjet informimit të detajuar e të hollësishëm në aspektet përdoruese kurative të barnave dhe medikamenteve.

Në punën e përditshme i mëshonte motos, se vullneti i fortë, disiplina dhe vendosmëria janë ura lidhëse midis qëllimit dhe arritjes së tij. Sepse çdo sukses arrihet dhe lidhet drejtpërdrejtë me përpjekjet serioze kolegjiale, e Petro Loli si një organizator dhe drejtues i talentuar, formatonte qëllime ambicioze, përpiqej për arritjen dhe përmbushjen e rezultateve maksimale. Por edhe si të përmirësonte aftësitë profesionale dhe udhëhiqte me besim proceset e punës, si edhe të ofronte mënyra të larmishme për të zgjidhur problemetikat shqetësuese. Duke përvijuar me seriozitet përmbushjen e misionit të tij drejtues, të cilën përmes autoritetit të tij, veprave të mira dhe gjesteve humane e solidare, e kryen më së miri, deri në vitin 1979.

Në vitet 1979-80 Petro Loli transferohet dhe emërohet si punonjës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë e mandej në vitin 1980 emërohet si Sekretari i Dytë i Ambasadës shqiptare në Hungari, detyrë të cilën e përmbushi me sukses deri në vitin 1987.

Dr. Petro Loli me një përkushtim e pasion krejt të veçantë, ushtroi detyra funksionale si Sekretar i Dytë i Ambasadës shqiptare në Hungari. Si një misionar aktiv i diplomacisë me një korrektesë admiruese me një dinamizëm dhe energji të papërsëritshme, ai dëshmonte talentin dhe profesionalizmin e lartë duke kontribuar me devotshmëri në kompleksitet në gjithë aspektet e marrëdhënieve ndërkulturore reciproke ndërmjet dy vendeve.
Mëse e natyrshme që diplomacia kërkonte dinamikën e vet tek figura rrezatuese e intelektualit Petro Loli, i cili falë aftësive dhe potencialit të tij, harmonizonte në mënyrë të përkryer aftësitë e tij të jashtëzakonshme gjuhësore, në shërbimin funksional të diplomacisë së shëndetit dhe aspekteve kritike që lidheshin kryekëput me jetën e njeriut.
Me një intuitë impresionuese, Petro Loli, me talentin dhe fisnikërinë e tij,vlerësonte me objektivitet realitetin dhe kohët e vështira, duke ofruar realisht një kontribut të paçmuar në fushën e komunikimit, por edhe të bashkëpunimit të përbashkët harmonik ndërpalësh. Për të sfiduar gjithësesi barrierat e dëmshme të kohës, e njëherazi të mundësonte çeljen e perspektivave të munguara në prosperitetin dhe zhvillimin e vendit të tij. I bindur dhe i vetëdijshëm se ndihmesa në problematikat dhe interesat shtetërore realizohej me korrektësi dhe përpikmëri, nëpërmjet kontakteve dhe komunikimit të zhdërvjelltë e njerëzor, Petro Loli dëshmoi realisht personalitetin e një diplomati të matur dhe me përvojë.

Me plotësimin e kriterit kohor, Petro Loli rikthehet në Tiranë si specialist në Ministrinë e Jashtme, teksa ofron shërbimet e tij të vyera deri në vitin 1988. Mandej Petro Loli dëshiron të fokusohet në profesionin e tij dhe kthehet në Vlorë, teksa emërohet si Drejtor i Farmacisë së Spitalit rajonal të Vlorës, detyrë të cilën e kryen me sukses deri në vitin 1992 teksa del në pension.

Spikaste si një kuadër i aftë, tepër i shkathët, i komunikueshëm, i zhdërvjellët, i respektuar dhe shumë i përgatitur. Ishte njohës i jashtëzakonshëm i farmakologjisë dhe gjithë farmaceutikës, madje jo më kot e thërrisnin Dr. Petro, falë aftësive tekniko profesionale dhe potencialit të tij të jashtëzakonshëm. Posedonte një art dhe stil krejt të veçantë, aftësi komunikimi, por spikaste njëherazi edhe si një drejtues tepër i aftë në menaxhimin tekniko – profesional. Njohës i mirë i gjuhëve të huaja studionte literaturë shkencore bashkëkohore. Duke ndjekur me vëmëndje zhvillimet dhe të rejat përparuese të kësaj shkence. Teksa njerëzit e thjeshtë e kishin të domosdoshëm një medikament apo antibiotik, ndonëse kushteve tejet të vështira që mbisundonin, Petrua ofronte zgjidhjet e duhura duke iu gjendur sa më pranë njerëzve në nevojë.
Për hir të kushteve social-shoqërore të krijuara, në startin e vitit 1992, Petro Loli filloi të punoj në profesionin e tij, në farmacinë e vet, duke u shërbyer me përkushtim qytetarëve vlonjatë së bashku me bashkëshorten e tij. Shquhej për korrektësinë dhe përpikmërinë në orar. I qetë, shumë i sjellshëm, shumë i duruar, i komunikueshëm dhe i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij të pakursyer në çdo orë të ditës. I buzëqeshur dhe fjalëmbël, jo vetëm me shokët, miqtë apo kolegët, por edhe me njerëzit e thjeshtë, duke reflektuar edukatën e lartë, me etikën dhe qytetarinë e jashtëzakonshme që ai posedonte në çdo hap të rrugëtimit të tij jetësor dhe profesional.

Receta e suksesit për farmacistin dhe njeriun dinjitoz Petro Loli, padyshim që konsiderohet dhe vlerësohet puna e palodhur, kontakti vetiak me çdo klient, me një interesim real për problemet e secilit individ, raportet miqësore të cilat me kalimin e viteve u shndërruan në një besim të ndërsjelltë. Sepse realisht thelbi i Farmacisë si shkencë, bazohet në marrëdhëniet thjesht ndërpersonale të besimit, konfidencialitetit dhe besnikërisë midis farmacistit misionar dhe pacientëve dhe klientëve.

Në rolin e domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm të farmacistit të komunitetit,Petro Loli, i trajnuar dhe i përkushtuar në mënyrë unike për zbatimin efektiv dhe korrekt të një kuadri të rreptë vetëmjekimi, për sa i përket kohës dhe orarit të punës, ishte përherë i papërtuar, gojëmbël dhe fisnik, në krye të detyrës së tij. Sepse veprimtaria e tij misionare, konsistonte në interesin reciprok të marrëdhënis së shëndetshme afatgjatë me vizitorët dhe pacientët e Farmacisë së tij. Për të ofruar sigurinë maksimale të mundshme të shëndetit të tyre personal, por edhe të shëndetit publik në përgjithësi, por gjithësesi edhe për të shmangur rreziqet eventuale të përdorimit të pamatur ose sipërfaqësor të barnave.
Petro Loli ishte një qytetar model dhe njeri shumë aktiv, teksa rrezatonte dhe mbisundonte toleranca, etika, urtësia në vlerësimin dhe gjykimin e problematikave të jetës, duke u mbështetur në zgjidhje me urtësi, dashamirësi dhe luajalitet konsensual.

Vlerësimet dhe arritjet e spikatura në rrugëtimin jetësor dhe profesional të Petro Lolit, kurrësesi nuk mund të kuptohen pa prezencën e çmuar dhe ndihmesën vyer e të përzgjedhurës bashkëshortes dhe bashkëudhëtares së jetës së tij, farmacistes në profesion Theodhora Odisea Rucit. Një grua dinamike, fjalëpak dhe dashamirëse, zemërgjerë dhe bujare, mikpritëse, me një karakter të fortë, e cila rrezatonte mirësi dhe fisnikëri. Realisht një zonjë e hijshme tepër e nderuar, një nënë e dashur dhe e përkushtuar për bijtë e saj ashtu sikundër tanimë edhe për mbesat e nipërit.
Jeta e tij familjare e admirueshme, por njëherazi e tejmbushur me mund e sakrifica, me ngarkesa sistematike psiko-emocionale sendërtohet edhe prej sjelljes në jetë dhe mirërritjes dhe edukimit të dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Kostës dhe Suelës.

Si pinjollë të një familjeje admiruese u mbrujtën dhe ngjizën me vlera morale, integriteti dhe profesionale, nga përkushtimi shpirtëror e human, me virtytet dhe thjeshtësinë e papërsëritshme duke u lartësuar si qytetarë të denjë në shoqërinë e sotme bashkëkohore. Por edhe duke përmbushur përpos të tjerash edhe dëshirat atërore, për të trashëguar profesionin e nderuar të farmacistit, që ati i tyre shërbeu dhe kontribuoi për më tepër se 5 dekada, me dashuri, me talent e humanizëm të pashoq. Paralelisht ata krijuan edhe familjet e tyre, duke mundësuar krijimin e impresioneve dhe gëzimit krejt të veçantë prindërve të tyre, tanimë në rolin e gjyshërve.

Zemërbardhi, fisniku gojëmbël, farmacisti Petro Loli u nda nga jeta dhe gjiri i ngrohtë i familjes më 13.11.2015 në qytetin e Vlorës, duke u lartësuar në Parajsën e Përjetësisë. Në realitet, farmacia dhe farmakologjia humbi një protagonist, familja prindin e bashkëshortin ideal, kolegët dhe qytetarët e thjeshtë, një mik të vlefshëm plot shkëlqim.
Dr. Petro Loli, një njeri i mirë, një personalitet shumë i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, model e korrekt në kryerjen e detyrave të tij, indicie dhe motiv frymëzimi, por edhe mbështetje për kolegët e rinj që startonin në fushën e farmacisë.

Karizmatiku drejtues, Petro Loli, një njeri sa modest po aq edhe i jashtëzakonshëm, një lider dhe një drejtues admirues, një farmacist rrezatues me mirësi dhe dashuri, një shembull i një rruge misionare me gjurmë mbresëlënëse të pashlyeshme për të gjithë neve, duke ofruar bujarisht ndihmën e tij për të gjithë.

Duke pasur si bashkëshoqëruese besnike të gjitha vlerat e vyera të integritetit njerëzor, ia doli me sukses dhe mbeti i pacënuar, i padëmtuar dhe transparent, nga sindromat e konkurrencës dhe materies, të egocentrizmit, përfitimit material dhe disfatizmit.

Në vend të epilogut…

Dr. Petro Loli si një intelektual misionar me vlera të larta njerëzore, në gjithë hapat e hedhura të rrugëtimit të tij jetësor dhe profesional, dëshmoi se ishte një intelektual brilant, një specialist i jashtëzakonshëm i farmacisë dhe farmaceutikës, i papërtuar dhe human e me një nivel të lartë professional. Një diplomat admirues, korrekt edhe vizionar, një qytetar model, një familjar shembullor, që vlerësohej, respektohej dhe çmohej së tepërmi nga njerëzit e thjeshtë.

Është e sigurtë që karriera e tij, kurrësesi nuk do të kishte arritur në këtë nivel, nëse ai nuk do të ishte një personalitet i veçantë dhe i shumanshëm. Petro Loli, njeriu fisnik emblematik që e jetoi jetën e tij me dinjitet dhe integritet në të gjitha aspektet dhe pozicionet si diplomat, drejtues, prind, bashkëshort, farmacist, humanist, qytetar dhe mik i mirë i cilitdo që e njohu nga afër dhe ruante kontakte me të, nuk do të na shuhet kurrë nga kujtesa dhe dashuria jonë. Përkundrazi, me maturinë, mprehtësinë, përulësinë, modestinë, energjitë, integritetin, shkathtësinë në punën dhe kontributin e tij shumëdimensional, do të jetë gjithmonë pranë nesh dhe do të na ndjekë përgjithmonë me kontributin e tij të pashlyeshëm.
Në këtë aspekt, kurrësesi nuk mund të jetë asfare e lehtë sfida e përmbledhjes në konturet e disa rreshtave të përshpejtuara homazhi, të mirënjohjes dhe shprehjes së vlerësimit, të respektit, të solidaritetit për njeriun e thjeshtë, të misionarit të përkorë. Jo vetëm për të promovuar, por njëherazi edhe për të gdhendur në memorien kolektive, kontributin e paçmuar të një misionari të rrallë publik dhe personazhi krejt të veçantë, në fushën e diplomacisë, por edhe të farmaceutikës dhe mjekësisë vlonjate.
I cili sistematikisht për 45 vite radhazi, i shërbeu interesit publik dhe qytetarëve të thjeshtë, me moral, ndershmëri, përzemërsi, objektivitet, ideale, ndjenjën e përgjegjësisë, punë të palodhur, vetëmohim, vetëpërkushtim dhe sakrifica, vlera të panegociueshme. Duke kontribuar fuqimisht jo vetëm për shoqërinë ku jetuan, por edhe për brezat që do të pasojnë. Gjithësesi, trashëgimia e vyer e misionarit të jetës Petro Loli, kurrësesi nuk mund të jetë vetëm kontributdhënia e spikatur ashtu sikundër edhe puna e tij shkencore, drejtuese administrative apo diplomatike. Ndofta trashëgimia më e rëndësishme e këtij individi të përkorë, me dinjitet dhe moral të lartë njerëzor, si një humanist i vërtetë, është pafundësia e imagjinatës, dëshira, përkushtimi, energjitë dhe vullneti për të ofruar gjithçka në shërbim të shoqërisë, të qytetarit, të pacientëve, të mbarë kombit.

Petro Loli, përveçse një farmacist i jashtëzakonshëm dhe i shkathët, u shqua dhe spikati edhe në fushën e drejtimit administrativ. Fillimisht në atë të Drejtorisë së Farmacive të rrethit të Vlorës, po ashtu edhe në vijimësi edhe si Drejtues i Farmacisë së Spitalit rajonal të Vlorës. Pasi nuk është asfare rastësor fakti, se ai cilësohej si një prej drejtuesve më të sukseshëm e më efikas, që kontribuoi me një seriozitet e përkushtim, krejt të veçantë. Duke e drejtuar dhe orientuar institucionin, në përmbushjen e kërkesave të kohës e përherë në shërbim të qytetarëve të thjeshtë. Duke u përballuar me profesionalizëm, me kurajë, me ndershmëri dhe guxim vështirësitë e panumërta në sistemin shëndetësor,të cilat asnjëherë nuk e dekurajuan apo demoralizuan.
Dita e sotme përkon me përvjetorin e 90-të të ditëlindjes së figurës dhe personalitetit të Petro Lolit. Ndërkohë që ai dhe gjurmët e pashlyeshme të kontributdhënies së tij, të përkushtimit dhe dashurisë ndaj qenieve njerëzore, të qëndrueshmërisë në parimet, në vlerat, në idealet e tij, janë gdhendur thellë në kujtesën e gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të, e mbi të gjitha atyre që gëzuan privilegjin e ndihmesës krejt pa asnjë interes nga ana e tij. Si një uragan i fuqishëm i një pranvere optimizmi dhe gëzimi, në buzët e të cilit artikuloheshin me dashuri vetëm fjalët e mira plot ngrohtësi e fisnikëri.

Me përulje dhe respekt, faleminderit fisniku karizmatik Petro Loli për ofertën, për përkushtimin, për kontributdhënien, për përkujdesjen dhe interesimin tuaj, për fuqinë shpirtërore,për gjithë jetën me fjalë e vepra konkrete në shërbim të ruajtjes së shëndetit.

Edhe pse koha luan rolin e vetë e në vijimësinë e saj, personaliteti dhe figura e Petro Lolit do të lartësohet dhe do të kujtohet ndër breza.
Me respekt dhe shumë dashuri për përkushtimin e jashtëzakonshëm të Petro Lolit, si figurë rrezatuese me integritet.

I përjetshm kujtimi i ndritur i intelektualit dhe farmacistit, njeriut ideal Petro Loli!

Athinë, 10. 03. 2022.

Please follow and like us: