Poezia e Sylvia Plath vjen në shqip nga Senad Guraziu
NOKTURNE AKUATIKE*
(Skenë nate, ujore)
Sylvia Plath, 1932-1963, SHBA
thellë në shirita
lëngbruztë
të dritës tëholluar
dridhmojnë vijëza
varak-ndritur
currilash:
shojza të zbehta
shllapuritin
shkëlqim-argjend:
në cekëtinë peshq
imcakë të shkathët
regëtojnë praruar:
midhje blu-rrushëta
i hapin valvulat
furishën e epshëm:
shurdh-flluska hënore
kandilash të detit
qumësht-gjelbër:
ngjalat vërtiten ndër
spiralesh finoke në
bishtat e pakapshëm:
karavidhet qetojnë
zymturisht ullinj ndër
kthetra shllim-zgjuar:
poshtë ku zëri vjen
topitur e venitet
si bronz-tingulli i
gongut fundosur.
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2019
——————–
Peizazhistët poetikë – Fjalët, shpesh, ndoshta s’janë “mediumi” adekuat!
(sguraziu – ars poetica, 2019 – pak fjalë)
Teksa duke lexuar “akuatiken” e Plath, sikur po thosha mëvete vallë ç’i duhej “hedhja në letër”, vallë duhej se s’bënte… patjetër? Vërtet një tabllo e bukur “akuatike”, por poezia s’më thotë asgjë tjetër? Gjithë ai mund për t’i tërthuruar fjalët vetëm e vetëm që t’ma vështirësonte përkthimin tani, apo si! : )
Vallë e ka kush idenë pse poetëve nganjëherë iu pëlqen të shtiren “peizazhistë me fjalë”?! Iu pëlqen të ujdisin peizazhe thjesht duke i zgjedhur ca fjalë më “specifike” nga bagazhi gjuhësor poetik, pa i marrë as brushat me vete, as ngjyrat… asgjë!
Dalin shetitje natyrës, enden buzë liqenit ose ulën buzë detit dhe hooop takohen me muzat, herë Eutera, herë Kaliopa, herë Talia, herë Klia… iu hidhen në qafim, sakaq i pllakosë “frymëzimi” për krijim.
Në rregull kjo, ama shpesh më mirë t’i kishin marrë ca brusha reale, e ndonjë kuti ngjyrash me vete. Pavarësisht gjendjes shpirtërore të momentit, ta kapërthesh bukurinë magjepëse të një peizazhi vetëm me fjalët, padyshim është mjaft e vështirë. Fjalët thjesht s’janë “mediumi” adekuat, për disa gjëra të estetikave natyrale ngjyrat realistike dhe brushat janë të pazëvendësueshme.
Në prurjesh kreative të momentit, në krijimet e tyre piktorët e poetët shpesh nuk ia dalin të kapërthejnë diç tjetër përveç “bukurisë” si dimension artistik. Ka me miliona piktura që nuk e “fshehin” ndonjë mesazh, sepse as nuk duhej, nuk e “trazojnë” intelektin tonë me asgjë, duhej thjesht ta kaptonin burkurinë. Si art nuk përmbajnë diç tjetër përveç dimensionit estetik. Ndërsa dihet, bukuria është vetëm 1-ri dimension i artit.
Kuptohet, s’ka gjë të keqe nëse paragjendjet e gjendjet tona shpirtërore ndonjëherë sikur s’donë të “dëgjojnë” diç tjetër përveç se… “natyra është e bukur”, ose më konkretisht; hëna sonte është magjike, dua qetësinë absolute të peizazhit vjeshturak, dua shtegun e pyllit shtruar me gjethet verdhurake, dua qetësinë e bardheme të çatisë në dimër etj etj.
Pata përshtypjen sikur poezia “akuatike” e Plath nuk është diç tjetër por një tabllo e tillë, si kaptim shpirtëror. Në dukje figura komplekse, por megjithatë sikur lënë shijen e miksturave prej nuancash surrealiste, thuase thurima fjalësh enkas për ta kapur bukurinë “mistike”, për ta ujdisur një tabllo akuarelike.
Dihet që poetja vuante dhe qe katandisur në një gjendje të rëndë depresive, fakti se i mori jetën vetes në moshën 30 vjeç duke lënë prapa 2 fëmijë fare të vegjël, pothuaj na e thotë gjithçka. Gjithsesi, para se të vinte tek ajo gjendje jshtëzakonisht e rëndë… s’do ishte e vështirë ta imagjinonim ndonjë mbrëmje me hënë; ajo ulur në një shkëmb ndokund ku deti puthitet me tokën… pothuaj me ujin rreth e rrotull, valëzat tek ia përkëdhelin këmbët, puhiza tek ia përshkon flokët… e përhumbur në mendime, ndoshta me orë tëra në vetmi, deri natën vonë duke medituar.
Poetët shpesh i rreken kësa pune të peizazhistëve, se si u teket, e bëjnë mendjen çykë, me fjalë të përzgjedhura, aso të “lëmuara”, shkëlqimtare, me rezonancash muzikale e sinkopash të trajnuara provojnë të pikturojnë lloj-lloj tabllosh e akuarelesh. Mirëpo përveç si slajd i ngecur shpirtëror (kaptuar në moementin e caktuar), përveç si bujshmëri akrobacionesh gjuhësore, poezitë e tilla peizazhiste nuk na “flasin” gjë tjetër.