Erdogan: Nuk mund t’i falim veprimet e jashtëligjshme që injorojnë sovranitetin e Ukrainës
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) foli në hapjen e Forumit Diplomatik në Antalie.
Pasi u shpreh se Turqia është një vend edhe i Mesdheut, edhe i Detit të Zi, udhëheqësi turk e vijoi kështu fjalimin:
“Ukraina dhe Rusia janë fqinjët dhe miqtë tanë nga Deti i Zi. Jemi thellësisht të pikëlluar që kriza midis fqinjëve tanë është kthyer në një konflikt të armatosur. Përshkallëzimi i tensionit deri në këtë fazë na shqetësoi më shumë ne. Nuk mund të shpërfillim kurrë veprimet agresive kundër sovranitetit të një vendi që është fqinji ynë”.
“Urojmë që të mbizotërojë vetëpërmbajtja dhe arsyeja e shëndoshë dhe armët të pushojnë sa më shpejt të jetë e mundur”,- shtoi Erdoan.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje, duke përfshirë përdorimin e kompetencave që i jep vendit tonë Konventa e Montrësë (Montreux, 1936) në mënyrë që në rajonin tonë të mbizotërojë paqja (për t’i dhënë fund grindjes)”, tha ai në vijim të fjalës.
Erdoani deklaroi gjithashtu se Turqia kundërshton hapat e paligjshëm që shpërfillin integritetin territorial të Ukrainës, veçanërisht aneksimin e paligjshëm të Krimesë.
Që nga viti 2014, unë e kam thënë me çdo rast dhe e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë për Krimenë (kur ajo u aneksua ilegalisht), e kemi shprehur hapur në të gjitha platformat, potencoi udhëheqësi turk.
“Kjo çështje ka qenë gjithmonë pjesë e agjendës tonë në të gjitha takimet që kemi pasur si me Federatën Ruse, ashtu edhe me miqtë tanë ukrainas. Nëse i gjithë Perëndimi dhe e gjithë bota do ta kishin ngritur zërin kundër pushtimit të Krimesë në vitin 2014, a do të përballeshim me situatën e sotme?”,- shtroi pyetjen Presidenti Erdoan.
“Por ata që heshtën ndaj pushtimit të Krimesë tani po thonë diçka. Mirëpo, drejtësia vlen për një pjesë të caktuar të këtij globi, dhe për pjesën tjetër është e pavlefshme në një pjesë tjetër? Çfarë bote është kjo?”,- shtoi ai.
“Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar nuk tregoi ndjeshmërinë e duhur dhe nuk dha mbështetjen e duhur për eliminimin e kësaj padrejtësie. Ukraina u la vetëm në kauzën e saj të drejtë. Sot jemi përballë pasojave shkatërruese dhe të dhimbshme të problemeve që mund të zgjidhen me diplomaci nëse vullneti i fortë shfaqet në kohë. Trishtimi ynë shumëfishohet ndërsa shohim civilët që largohen nga shtëpitë e tyre, fëmijët plot frikë dhe ankth, qytetet e rrënuara, të pafajshmit që vdesin”,- tha Erdoan.
Në fjalën e tij, Rexhep Tajip Erdoan përmendi gjithashtu faktin që miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të destabilitetit dhe konflikteve në botë.
“Virusi i urisë po merr më shumë jetë çdo vit në botë sesa lloji i ri i koronavirusit. Sot, një fëmijë vdes çdo 10 sekonda në botë vetëm sepse nuk mund të gjejë një kafshatë bukë apo një gllënjkë ujë. Me miliona njerëz janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe shtëpitë e tyre për shkak të paqëndrueshmërisë dhe konflikteve”,- nënvizoi Erdoan.