Albspirit

Media/News/Publishing

MBËSHTETJA FINANCIARE E SELISË SË SHENJTË PËR SKËNDERBEUN NË 1465-1467

Prof. Dr. Musa Ahmeti, Center for Albanien Studies – Budapest

Marrëdhëniet financiare të Skënderbeut me Vatikanin janë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burrë-shteti dhe diplomati. Duke qenë se Selia e Shenjtë në mesjetë ishte pushteti qendror i Evropës dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të Evropës, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte mençuri nga ana e Skënderbeut që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Vatikanit, dhe ta përdorte këtë vëmendje për qëllimet e tij. Sigurisht që financat në kuptimin e gjerë të fjalës përbëjnë një ndër treguesit më të mirë të temperaturës së këtyre marrëdhënieve, dhe nuk duhen konsideruar thjesht si shkëmbime monetare të mjaftueshme apo të pamjaftueshme për Skënderbeun.

Nëse do të përpiqemi që të kuptojmë mirë këto marrëdhënie të Skënderbeut me Vatikanit, duhet t’i marrim në konsideratë ato në të gjitha nivelet dhe në të gjithë plotësinë e tyre, gjë që do të ishte një sipërmarrje shumë e veçantë, por edhe shumë e madhe. Në këtë shkrim bëhet një përpjekje për të cekur disa nga nivelet më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve, kryesisht duke u përqendruar në dokumente arkivore që sot gjenden në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës, një pjesë e mirë e të cilave nuk janë botuar asnjëherë

Disa historianë shqiptarë, pa bërë asnjëherë kërkime dhe hulumtime shkencore në ndonjë arkiv të rëndësishme ku ruhen burime dhe dokumente origjinale për marrëdhëniet financiare të Selisë së Shenjtë dhe Gj. K. Skënderbeut, të mbështetur në pohimet e disa historianëve të huaj, si psh. Voigt dhe Fallmerayer pohojnë pa asnjë argument se papët e ndihmuan Skënderbeun vetëm me bekime apostolike dhe me ligjërata panegjirike, zëra këto që gjejnë jehonë të fuqishme edhe sot e kësaj dite jo vetëm në historiografinë e huaj, por për fat të keq edhe atë shqiptare. Një gjë të tillë e hedhin poshtë disa nga autorët që janë marrë me studime dhe kërkime serioze të raporteve financave të Selisë së Shenjtë me prijësit evropianë që luftuan kundër turqve në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës si p.sh. Bertoloti, Caro, Cherubini, Gottlob,  Malacarne, Noli,  Pastor, Schneider, etj, të cilët pothuajse njëzëri pohojnë se papët “i ndihmuan Skënderbeut me të holla tingëlluese që arrinin në mijëra dukatë ari të thesarit papal”. “Dhuratave të tyre – shkruan Noli – duhet t’u shtohen edhe fondet e mbledhura nga legatët e papëve si brenda në Shqipëri, ashtu edhe përjashta, veçanërisht në Dalmaci, për kryqëzatën e Skënderbeut.” E në fakt, për këtë kemi shumë dokumente dhe burime arkivore, disa prej të cilave do t’i përmendim më poshtë, për vetëm dy vitet e fundit të jetës së Gj. K. Skënderbeut, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, pa sjellë rezultatet e viteve të mëhershme, të cilat mendojmë t’i bëjmë publike në të ardhmen.

Qysh në fillim duhet theksuar që marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e një interesi të ndërsjellë, si nga ana e Skënderbeut ashtu edhe nga ana e Selisë së Shenjtë, interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Skënderbeut si strateg në luftën kundër osmanëve. Ishte dështimi i kryqëzatës së Varnës (1443-1444) e mbështetur nga papati dhe e udhëhequr nga Vladislavi III, mbreti polak që në ato kohë ishte bërë edhe mbreti i Hungarisë, nga Janos Hunyadi, figurë kryesore e oborrit mbretëror hungarez që sundonte Transilvaninë dhe Gjergj Brankoviqi që pas pushtimit turk të Serbisë ishte strehuar në Hungari, ai që e bëri papatin që të kthente tërë vëmendjen e tij nga Skënderbeu, i cili me qëndresën e pandërprerë në territoret shqiptare ndezi përsëri shkëndijat e shpresës për papatin dhe pengimin e depërtimit osman në Evropën Perëndimore.

Megjithatë, që Skënderbeu të fitonte plotësisht besimin e Selisë së Shenjtë iu desh kohë dhe shumë fitore kundër turqve. Atij iu desh jo vetëm që ta çonte ushtrinë e vet nga fitorja në fitore, por edhe të demonstronte që ishte serioz në sipërmarrjet e tij kundër turqve dhe që do të luftonte si një princ i krishterë kundër jobesimtarëve. Papët Eugjen IV (1431-1447) dhe Nikolla V (1447-1455) e afruan mjaft Skënderbeun, por nuk mund të thuhet që ata të vetmen shpresë e kishin tek ai dhe për këtë arsye ta përqendronin të gjithë vëmendjen e tyre për luftën kundër otomanëve te ai. Pjesa më e madhe e vëmendjes së tyre ishte e përqendruar kryesisht te Hungaria dhe Konstantinopoja, që mbanin barrën kryesore të luftës së krishterimit kundër jobesimtarëve, ndërkohë që me papën Kalisti III (1455-1458), sidomos në fund të pontifikatit të tij, vëmendja e papatit ndaj Shqipërisë rritet, për të arritur kulmin me papën Piu II (1458-1464), i cili e konsideronte Skënderbeun si komandant të ushtrisë së krishterë kundër turqve.

Që në fillim të fushatës së tij anti-osmane, Skënderbeu tregon qartë që po kërkonte një orientim perëndimor. Nuk ishte rastësi që përpjekjet e para për bashkim të princërve shqiptarë ndodhën pikërisht në një katedrale të ritit katolik. Fan Noli pohon që nuk ishte rastësi që Kuvendi i Lezhës (2 mars 1444) në të cilin Skënderbeu thirri të gjithë princat shqiptarë dhe ata të vendeve fqinjë u mblodh në një katedrale. Me anë të këtij veprimi Skënderbeu po dëshmonte që kisha katolike, institucionet dhe klerikët e saj, do të ishin ata që do të shërbenin si bazë në misionin e tij kundër turqve. Koha e mëtejshme tregon sesa të vërteta ishin këto plane. Kisha katolike kishte luajtur dhe do të vazhdonte të luante jo vetëm një rol të rëndësishëm në luftën kundër turqve por edhe në realizimin e idesë së bashkimit të princërve fetarë dhe të koalicioneve efektive si pjesë përbërëse të një plani lufte kundër infideles.

Meqenëse marrëdhëniet e Gj. K. Skënderbeut me Selinë e Shenjtë kishin filluar që herët dhe patën një vazhdimësi të pandërprerë gjer në fund të jetës së Skënderbeut, mund të flasim pa frikë edhe për rrugë diplomatike të konsoliduara midis tyre. Përfaqësuesit e Kishës Katolike ishin vazhdimisht të ngarkuar me shërbime ndërmjetësuese midis Vatikanit, fisnikëve shqiptarë dhe fuqive të tjera të Evropës së asaj kohe. Kështu p.sh. më 27 shkurt 1451, ambasadori i Skënderbeut, Gjon Gazuli, e informoi papën Kaliksti V për situatën e vështirë në të cilën ndodhej Skënderbeu. Kjo situatë nuk ishte krijuar vetëm si rrjedhojë e sulmeve të turqve, por edhe për shkak të mungesës së financave për të vazhduar luftën kundër turqve. Për shkak të kësaj situate në të cilën ndodhej Skënderbeu, Gjon Gazuli ishte nisur për në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm) ku mundi të merrte ndihmë financiare, vetëm pasi paraqiti atje letrat papnore që kishte marrë nga papa Nikolla V. Në këto letra, papa i kërkonte Republikës së Raguzës që të ndihmonte fuqishëm Skënderbeun. Sigurisht që kjo ndihmë konsistonte në radhë të parë në mbledhjen e fondeve për luftën e Skënderbeut. Zyrtarisht dhe të përhershëm si ambasador i dërguar pranë Selisë së Shenjtë, funksioni i të cilit ishte dorëzimi i letër-kredencialeve të Skënderbeut te papa Piu II, ishte Martin Muzaka, një pinjoll i shquar i familjes Muzaka. Më 29 tetor 1459, pasi ka marrë një relacion nga Martin Muzaka, ambasadori i tij pranë Piut II, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i prezanton kryeipeshkvit Pal Engjëlli të Durrësit e të rajonit ilirik, Biaxhon, prior të Dominikanëve të Kuvendit të Shkodrës, që do të shërbente si orator e nunc apostolik në Shqipëri.

Kisha katolike e Shqipërisë, dhe sidomos Pal Engjëlli luajtën një rol shumë të rëndësishëm në vitet ’60 të shekullit XV për përkrahjen ekonomike dhe politike të Skënderbeut. Që prej vitit 1465, kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli ishte personi më i rëndësishëm i Skënderbeut në marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë. Ai konsiderohet madje edhe si një ndër princërit klerikë më të rëndësishëm të të gjithë Ballkanit të shekullit XV, sepse ishte në shërbim të planeve kryqtare të papa Piu II, i cili fushatat kundër turqve i ndërmerrte me gjithë energjinë e mundshme. Pal Engjëlli ishte gjithashtu ai që organizonte kishën katolike në trojet shqiptare, duke thirrur jo vetëm mesha dhe takime të përbashkëta të klerikëve shqiptarë por madje edhe kuvende ku merrnin pjesë jo vetëm klerikë por edhe personalitet më të rëndësishme shekullore të rajonit siç ishte kuvendi i Matit i vitit 1462.

Papa Kalisti III, në një breve të tij drejtuar Skënderbeut, na përmend një tjetër personalitet kishtar, i cili funksionoi kryesisht si ambasador për çështjet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë së Venedikut: Gjergj Pelinin, abatin e manastirit benediktin të Shën Marisë së Rotecit. Edhe ai ishte i dërguar diplomatik i Skënderbeut në Vatikan, dhe anasjelltas. Papa Kalist III na informon që ai i plotësonte të gjitha dëshirat e Skënderbeut. Duke e lavdëruar në një letër të 19 shkurtit të vitit 1461, papa Piu II thotë për Gjergj Pelinin që krahas devocionit për kishën katolike, ai kishte sakrifikuar jashtëzakonisht shumë edhe për Skënderbeun, sidomos kur e kishte shoqëruar këtë të fundit si përfaqësues papnor në Pulia të Italisë.

Përsa i përket zërit diplomatik të Selisë së Shenjtë pranë Skënderbeut, kemi shumë autoritete kishtare. Ndër më të hershmit që daton nga një prill i vitit 1444 është Paganino, ipeshkvi i Ulqinit. Papa Eugjeni IV e konfirmon Paganinon, ipeshkvin e Ulqinit në autoritetin dhe postin e nuncit të Selisë së Shenjtë për Shqipëri e Dalmaci: përkatësisht për trojet shqiptare e më gjerë ku përfshiheshin Tivari, Budva, Ulqini, Shasi, Drishti, Pulti, Shkodra, dhe Sarda. Pas vdekjes së Gjergj Pelinit, i tillë kishte qenë në Shqipëri edhe Giovanni Navarra. Andrea Suma ishte një tjetër ambasador i Skënderbeut dhe përfaqësues i Kurisë papnore pranë Skënderbeut.

Marrëdhëniet diplomatike të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë shfaqen më të frytshme përsa i përket çështjes së bashkimit të krerëve shqiptarë rreth Skënderbeut. Minoriti dhe nunci apostolik, Antonio de Olivetto, ishte porositur prej papës Nikolla V që të fitonte fisnikët vendas për Skënderbeun, me qëllim që ata ta mbështesnin atë në luftën kundër turqve.

Një rast shumë i spikatur është ai i pajtimit të gjaqeve midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve. Marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve ishin ashpërsuar veçanërisht në vitin 1450, kur rezultuan në luftime të vogla. Në po atë vit, disa anëtarë të familjes së Dukagjinit duket se kanë ndihmuar fushatën osmane, për qëllime materiale siç ishte rritja e pronave të tyre të paluajtshme. Selia e Shenjtë filloi ndërhyrjet për pajtimin e Skënderbeut me Dukagjinasit në vitin 1452. Më 13 gusht 1452, papa Nikolla V, emëron Pal Dushin (Paolo Dussus), ipeshkvin e Drishtit, nunc dhe mediator të paqes midis Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe Palit e Nikollë Dukagjinit. Dhe në të vërtetë paqja u përfundua, edhe pse u arrit dy vjet më vonë, në vitin 1454, gjë që tregon se sa serioze dhe të vështira për pajtim ishin këto kontradikta.

Megjithatë, paqja midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve nuk zgjati shumë. Më 10 shkurt të vitit 1459, ishte papa Piu II ai që i drejtohet me një bulë kryeipeshkëve të Durrësit dhe të Tivarit dhe sufraganëve të tyre, në lidhje me kundërshtimet e dukagjinasve, në atë kohë aleatë të turqve “kundër popullsive katolike, kundër Selisë së Shenjtë dhe veçanërisht kundër birit të shquar, burrit fisnik Gjergj Kastrioti i ashtuquajtur Skënderbeg, zot i Shqipërisë.” Papës Piu II iu desh të përdorte autoritetin e tij apostolik për këtë rast: i kërcënoi dukagjinasit me çkishërim, nëse ata do të vazhdonin kundërshtimet e tyre. Përveç kësaj, Pal Engjëlli u tregua një mediator i shkëlqyer kur arriti të shmangte luftën midis të dy palëve shqiptare.

Një tjetër rast për intervenimin apostolik shfaqet në vitet 1463-1464 kur Skënderbeu dhe Dukagjinasit kishin marrë një qëndrim neutral përkundrejt osmanëve. Duke qenë se po bëheshin plane sulmi të të krishterëve kundër turqve nën udhëheqjen e papës Piu II, papa Piu II i donte edhe Skënderbeun dhe Dukagjinasit aktivë në këtë fushatë, dhe ia arriti që t’i tërhiqte ata në anën anti-osmane.

Në këtë kohë, në të gjithë Ballkanin jugor vepronte edhe Eugen Suma, i cili ishte emëruar nga papa Nikolla V si nunc dhe komisar për këtë rajon. Ai predikonte jo vetëm në Shqipëri por edhe në Bulgari dhe në Rasha (Serbi). Papa Nikolla V e ngriti në postin e ministrit provincial të françeskanëve, dhe së fundi i ngarkoi atij edhe postin e inkuizitorit në luftën kundër herezisë në këto territore. Eugen Suma ishte një ndër predikuesit kryesore në Shqipëri e në Ballkanin jugor për të përkrahur Skënderbeun në luftërat e tij anti-osmane.

Përveç të gjitha këtyre aktiviteteve të klerit katolik në përkrahje të Skënderbeut dhe të luftës së tij anti-osmane që sigurisht mbartnin me vete edhe koston e tyre financiare, por që nuk llogaritet asnjëherë nga pothuajse asnjë studiues, kemi edhe dokumente të tjera të natyrës thjesht financiare që tregojnë për përkrahjen e papatit ndaj Skënderbeut. Para se të merremi me analizën e dokumenteve dhe letrave papnore specifike për këtë qëllim, po paraqesim edhe një pasqyrë të shkurtër të indulgjencave që Selia e Shenjtë i jep Gj. K. Skenderbeut. Më 19 shkurt të vitit 1447, nëpërmjet një bule papa Nikolla V, u jep indulgentia pleniaria të gjithë atyre (individë apo fuqi politike evropiane qofshin ato) që do të ndihmonin Gjergj Kastriotin Skënderbeun me para. Duhet të mbajmë parasysh që indulgjencat luanin një rol shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit të asaj kohe, dhe që ishin një ndër motorët kryesorë që kisha përdorte për të mbledhur para, dhe sasia e mbledhur arrinte shumë të konsiderueshme. Ndihma të tilla të tërthorta ekonomike sot do të ishin të barazvlefshme me fundraising që mbajnë në këmbë shumë organizata dhe institucione bashkëkohore. Sigurisht që ishte dhënia e indulgjencave të plota, sipas së cilës faleshin mëkatet për gjithë jetën dhe që vlente për të gjitha llojet e mëkatet, për të gjithë ata që ndihmonin Skënderbeun me para ishte një ndihmë e konsiderueshme ekonomike për të. Selia e Shenjtë nuk e  kurseu këtë formë të mbledhjes së fondeve për fushatat e Skënderbeut edhe në raste të tjera. Më 15 shtator 1457, papa Kalisti III i plotëson dëshirën Skënderbeut duke lëshuar një indulgjencë për ata që do të bëjnë dhurata për rikonstruktimin e kishës së Shën Nikollës në Lezhë, tempull antik që në atë epokë ishte në rrënim. Pas vdekjes së tij, Skënderbeu varros në këtë kishë. Të tjera indulgjenca iu dhanë edhe në vitin e shenjtë, 1450. Në këtë vit, Gjon Gazuli ishte personaliteti më i rëndësishëm përgjegjës për mbledhjen e financave që Kuria Papnore ia kishte akorduar Skënderbeut.

Krahas indulgjencave, një peshë të madhe financiare sigurisht që luanin edhe të dhjetat e kishës, që Kisha i vinte në shërbim të fushatave anti-osmane. Këto të dhjeta arrinin përmasa kaq të mëdha saqë shpesh ndaheshin në mes të disa forcave politike që luftonin për të njëjtin qëllim. Kështu, më 17 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i dërgon një breve kardinalit të S. Angelo-s, duke i kërkuar udhëzime për të shpërndarë të dhjetat e mbledhura për kryqëzatat në Dalmaci midis mbretit të Hungarisë, Bosnjës, dhe Skënderbeut. Më anë të kësaj breve papa i shkruan Skenderbeut që abat Pellini i kishte plotësuar të gjitha dëshirat e tij, por i komunikon gjithashtu edhe keqardhjen e tij për vdekjen e ipeshkvit të Krujës, që kishte qenë nunc dhe kolektor pontifik në Shqipëri. Në vend të tij, papa kishte dërguar një komisar të ri në Shqipëri, Giovanni Navarrën për të rikuperuar të gjitha shumat e mbledhura nga ipeshkvi i sipërpërmendur dhe nga kolektorët e subkolektorët e tjerë për kryqëzatën.

Më 20 shtator të vitit 1457, papa Kalist III i komunikon dogjit të Venedikut, Francesco Foscari, që kishte nisur komisarin e tij, Giovanni Navarrën, dhe çdo shumë parash e mbledhur nga Raguza e në qytete të tjera të Dalmacisë në favor të Selisë së Shenjtë, të ndahej në mënyrë të barabartë midis mbretit të Hungarisë, Bosnies dhe Skënderbeut, gjë që tregon se Shqipëria e vogël, do të merrte po aq financa sa mbretëria e Hungarisë që jo vetëm ishte shumë më e madhe gjeografikisht, dhe më e fortë politikisht por kishte qenë edhe shumë më e konsoliduar në luftën kundër turqve. Përveç kësaj papa i kërkon Dogjit venedikas që Gjovanni Navarra t’i dorëzojë Skënderbeut edhe paratë e mbledhura në Shqipëri, në vendet që juridikisht ishin subjekte të Republikës së Venedikut.

Më 6 shkurt të vitit 1458, papa Kalisti III i drejton një breve Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në të cilën e informon që kishte marrë nga ai ambasadorë që e kishin informuar për situatën në Shqipëri. Kalisti III e definon Skënderbeut si princ të vërtetë katolik dhe për të lavdëruar pamposhtmërinë e tij në luftë kundër turqve i dhuron atij 6.000 dukatë de camera. Kjo ishte tepër shenjë miqësie dhe besueshmërie, por që sigurisht që nuk ishte një shumë e vogël për t’u quajtur modeste.

Më 8 shkurt 1458, papa Kalist III i drejton një breve mbretit të Aragonës, në të cilën e informon që kishte ndërmend t’i dërgonte edhe ndihma të tjera Skënderbeut, dhe i bën thirrje atij që t’i dërgonte gjithashtu shuma parash zotit të Shqipërisë.

Përveç se me indulgjenca e forma të tjera si dhe me para të gatshme, Selia e Shenjtë e ndihmonte Skënderbeun edhe me forca ushtarake. Më 9 qershor të vitit 1457, papa Kalist III e siguron Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dominus Albaniae, se do t’i japë menjëherë një flotë të pajisur mirë, dhe i premton që do t’i dërgojë të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur. Më 11 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i drejton një breve Skënderbeut, në të cilën e lavdëron atë dhe e quan atleta invitto e propugnatore del nome cristiano. Në të njejtën kohë, ai gjithashtu i shpreh keqardhje për Shqipërinë e kërcënuar nga ushtria e fuqishme turke, dhe e siguron Skënderbeun që do t’i vërë në dispozicion flotën e madhe papnore, të dislokuar në Orient. Kjo sigurisht që mbart me vete një kosto të jashtëzakonshme financiare, edhe pse nuk janë para në dorë.

Marrëdhëniet diplomatike midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, si dhe përkrahja financiare e papëve për fushatat e Skënderbeut kundër turqve natyrisht që ishte ndërtuar mbi interesa politike dhe kishte qëllime politike në sfond. Kryqëzata kundër turqve ishin shpallur nga të gjithë papët e shekullit XV, por me papa Piun II, i njohur që gjatë kardinalatit të tij si predikues dhe promovues i kryqëzatës dhe që kishte treguar interes për Shqipërinë dhe për Skënderbeun që gjatë asaj kohe, Shqipëria ngrihej në përfytyrimet papnore si një bazë për planet kryqtare dhe Skënderbeu në një udhëheqës të kryqëzatës së planifikuar. Kjo duket qartë në një dokument të prillit të vitit 1463, në të cilin papa Piu II, Republika e Venedikut si dhe aleatët e tjerë i kërkonin Skënderbeut që të nënshkruante një marrëveshje me ta për luftë kundër turqve. Pas fitores së Skënderbeut në vitin 1464, papa Piu II ishte përfundimisht i bindur e i vendosur që Skënderbeu do të ishte udhëheqësi i ushtrisë kryqtare të krishterë kundër turqve “të pabesë”. Megjithatë papa Piu II vdiq në Ankona, kur po fillonte kryqëzatën, dhe bashkë me vdekjen e tij, vdiqën edhe idetë e tij.

Pas vdekjes së papa Piut, ndryshuan edhe marrëdhëniet financiare ndaj Skënderbeut. Meqenëse ka nga ata që janë të interesuar kryesisht për shifrat monetare që Skënderbeu mori nga Selia papnore gjatë dy viteve të fundit, dhe e përdorin këtë shpesh si argument që papati nuk e ka ndihmuar financiarisht Skënderbeun, këtu po rendisim fondet ku gjenden këto lloj informacionesh puro financiare si dhe shumat e marra në secilën datë:

Në bazë të dokumentave arkivore nga fondet:

a) “Registri  pro sancta Cruciata 1465-1472” f. 126, f. 134, f. 140, f. 141, f. 143, f. 148;

b) “Mandati della Reverenda Camera Apsotolica (1418-1802); 

c) “Registri della serie Camerale I, Depositeria della Crociata. (1460-1462)

d) “Commissariato delle Soldatesche e Galerebb. 1-3 e 80-81” 

e) Introitus et Exitus, dok. 447. C. 229A; 

  f) “Depositeria gen. D. Crociata, 1464-75, c. 156 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu për vitet në vijim, kishte marrë këto ndihma nga Selia e Shenjtë:

më 19 prill 1465, 2.000 dukatë floriri;

më 7 qershor 1466, 2.050 dukatë floriri;

më 20 tetor 1466, 200 dukatë floriri;

më 12 dhjetor 1466, 250 dukatë floriri;

më 24 dhjetor 1466, 200 dukatë floriri;

më 15 janar 1467, 250 dukatë floriri;

më 19 prill 1467, 2.700 dukatë floriri;

më 1 shtator 1467, 1.500 dukatë floriri.

Pra për dy vjet, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, Gj. K. Skënderbeu vetëm nga Selia e Shenjte ka marrë shumën prej 9.150 dukatesh floriri si ndihmë financiare në luftë kundër turqve. Është e vërtetë që përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sipas dokumenteve arkivore, ndihma financiare nga Selia e Shenjtë kanë marrë edhe fisnikë të tjerë shqiptarë si p.sh. despoti i Artës, Leonard Tocco, më 12 mars 1465, 1.000 dukatë floriri; më 18 korrik 1466, 1.200 dukatë floriri dhe më 2 prill 1467, 1.000 dukatë floriri, pra gjithsej 3.200 dukatë floriri, mirëpo po t’i krahasosh të gjitha këto me shumat që merrte mbreti hungarez, ka vend për të menduar negativisht për ndihmat financiare të Selisë së Shenjtë ndaj Skënderbeut.

Sigurisht që këto nuk ishin ndonjë shumë e madhe po t’i krahasosh me ato që merrte mbreti hungarez Mathia, i cili pothuajse për periudhë të njëjtë kohore mori nga Selia e Shenjtë këto ndihma financiare për luftën anti-osmane:

më 23 maj 1465, 575.000 dukatë floriri hungarez;

më 28 prill 1466, 10.000 dukatë floriri hungarez;

më 5 tetor 1469, 15.000 dukatë floriri hungarez,

pra gjithsej 600.000 dukatë floriri hungarez.

Arsyet për këtë ndryshim të madh financiar në vitet e fundit të jetës së Skënderbeut janë shumëfishe: është tashmë një fakt i njohur që politika e papatit ndryshon sipas pikëpamjeve personale të çdo pape që vjen në krye të Selisë së Shenjtë. Kështu papa Pali II si individ, ndryshe nga papët e tjerë paraardhës nuk është shquar për ndonjë mbështetje të madhe ndaj Skënderbeut. Arsyet janë të ndryshme, si politiko-ekonomiko; ushtarake dhe diplomatike, në veçanti ato individuale të vetë atit të Shenjtë, përkatësisht përcaktimet e tij për luftë, për paqe ose për një variant tjetër të tretë. Është pastaj vetë Skënderbeu që me paraqitjen e tij në Romë në vitin 1467 ka bërë më shumë armiq midis kardinalëve sesa përkrahës, e sigurisht që kjo ndikon shumë në politikat vendimmarrëse sidomos përsa i përket çështjes delikate të financave. Pamja e Skënderbeut, e përshkruar si “një burrë i varfër dhe që i kishte kaluar prej kohës të 60-at” në dokumentet e asaj kohe me siguri që nuk ka qenë shumë shpresëdhënëse për kardinalët, që sipas atyre që kishin dëgjuar prisnin me siguri që të shihnin një kalorës të fuqishëm që do të marshonte para tyre në një mënyrë solemne. Paraqitja e një “plaku” që edhe sikur të ishte i suksesshëm në luftë kundër turqve gjatë jetës së tij, kjo përsëri nuk ishte shumë shpresëdhënëse për të ardhmen e krishterimit pasi dukej qartë që ai nuk do të jetonte gjatë, ka qenë ndoshta një grusht shumë i fortë për palën përkrahëse të kardinalëve. Dhe faktikisht, vdekja e Skënderbeut një vit më vonë, i përligji veprimet e palëve kundërshtuese. Megjithatë, parë realisht, është Selia e Shenjtë ajo që e mbështeti me shumë forcë financiarisht Gj. K. Skënderbeun, ndoshta më shumë se çdo pushtet tjetër i asaj kohe.

Please follow and like us: