Prof. Xhevat Lloshi: 50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit
Për herë të parë në historinë e shqipes së shkruar është përdorur një variant standard gjatë gjysmë shekulli. Kjo është shfaqje e qëndrueshmërisë së zgjidhjeve të miratuara dhe mbështet bindjen se kjo qëndrueshmëri ka një të ardhme të sigurt përpara.
Është e vërtetë që 50 vjet nuk janë edhe aq shumë në historinë e një populli dhe të kulturës së tij, por njëkohësisht nuk mund të mohohet, që pas 50 vjetësh shumë gjëra kanë ndryshuar. Prandaj e quaj si anën më të parë detyrën që ta shohim këtë përvjetor, duke u përqendruar te rrethanat të cilat kanë ndryshuar që nga viti 1972 i Kongresit të Drejtshkrimit. Me pak fjalë, janë të tjera sot rrethanat e zbatimit të normës së ngulitur.
Kanë ndryshuar kushtet politike të përdorimit. Nuk do të zgjatem për përmbysjen politike, që e di cilido fare mirë. Ndërsa me kënaqësi dëshiroj ta vë në dukje se kemi një tablo krejt të re politike në shkallë ballkanike. Sot janë tre shqiptarë kryetarë parlamentesh në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Sot janë tre kryeministra shqiptarë në Tiranë, Prishtinë e Podgoricë. A mund të përfytyrohet se çfarë shqetësimi do të kishte në rast se nuk do të ishin marrë ato vendime të drejta dhe në kohën e duhur? Të më lejohet të bëj një krahasim historik: çfarë do të kishte ndodhur me shqiptarët në rast se nuk do të ishte shpallur sërish në kohën e duhur pavarësia më 1912? Ishte një Kongres i duhur në kohën e duhur, në rrethana të papërsëritshme.
Në rrafshin ndërkombëtar Shqipëria së shpejti pritet të hyjë në Bashkimin Europian. Siç dihet, gjithë dokumentacioni europian do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Për fat të mirë, kësaj i përgjigjet arritja e 50 vjetëve më parë në kohën e duhur. E përsëris, në kohën e duhur, sepse a mund të përfytyrohet seriozisht se në dhjetëvjeçarët pasues ose qoftë edhe sot të mund të organizohej një Kongres i atillë? Ishte fat i lumtur që u bë ai Kongres. Shqipja do të jetë në komunikimin gjuhësor europian me një trajtë të ngulitur dhe jo me disa variante. Vërtet nuk e kuptojnë disa, se nuk është normale që të kërkohet nga Brukseli të përkthehen dokumentet në tri variante të shqipes?
Por ka vërtet keqdashës, nuk po përdor epitete më të rënda që ata i meritojnë, të cilët ia kanë arritur të përfshijnë në një program kompjuterik emërtime për tri variante të shqipes. Këtyre njerëzve me frymëzime antishqiptare do t’u kujtoj, se edhe shovinistët serbë u përpoqën që të krijonin dy gjuhë, një albanski jezik dhe një shiftarski jezik. Kongresi i drejtshkrimit ka qenë përgjigjja e duhur kundrejt këtyre skenarëve.
Rrethanat e reja politike e bëjnë më të dukshme rëndësinë e normave 50-vjeçare dhe më të rëndësishme mbështetjen e tyre në gjithë komunikimin shqiptar.
Ka ndryshuar thellësisht e gjerësisht mjedisi në të cilin përdoret standardi. Mjafton të shohim mjetet elektronike, kompjuterët, telefonat celularë, stacionet e shumta televizive. Pa një standard gjuhësor do të kishte jo thjesht një rrëmujë gjuhësore, por një rrëmujë komunikimi me pasoja deri edhe ekonomike. Pa rregulla të përcaktuara nuk mund të ketë, për shembull, dokumente financiare, juridike dhe tregtare të sigurta.
Disa njerëz i quajnë si prishje të gjuhës shkurtimet e ndryshme e shtrembërimet në mesazhet elektronike. Natyrisht, nuk e miratojmë këtë dukuri, por kur kemi praninë e gjuhës me rregulla të caktuara në gjithë shtrirjen e përdorimit të gjuhës së shkruar, këto dukuri kalimtare të një fushe të ngushtë, e cila përmban subjektivizëm të lartë dhe elementë të modës, nuk përbëjnë ndonjë shqetësim të vërtetë. Ndërsa përsëri mbetet pyetja: po të mos e kishim shqipen e Kongresit të drejtshkrimit, ku do të përfundonte komunikimi ynë?
Tashti jemi përfshirë pa kthim në epokën e globalizimit. Kjo do të thotë se edhe gjuha shqipe është e përfshirë në komunikimin global, të cilin e kanë bërë të lehtë edhe mjetet e mësipërme që përmenda. Njëkohësisht është bërë i mundshëm përkthimi me makinë. Shpresoj se ky tip përkthimi do të përsoset më tej, duke përfshirë edhe shqipen. Ata që duan të kthehet shqipja në gjithfarë variantesh përbëjnë një pengesë të vërtetë kundër përparimeve, domethënë janë regresivë, domethënë duan që të përftohet një lëmsh, kur të jetë puna për të përkthyer nga gjuhët e huaja me ndihmën e çmuar që jep teknologjia moderne. Dhe anasjelltas, a do t’ia dërgojmë Brukselit tekstet e nevojshme në tri variante të shqipes? Ata të cilët duan ta lëkundin standardin, që pastaj tinëzisht ta zëvendësojnë me ndonjë të folme të katundit të tyre, janë për vete në kufijtë e lëkundjeve mendore, në kufijtë e absurditeteve.
Ndërkaq, nuk është ndonjë gjë e fshehtë, që gjuha e globalizimit është anglishtja. Kjo gjuhë ushtron ndikim global. Nuk është e panjohur, që shqipja u është nënshtruar ndikimeve prej gjuhëve të tjera nëpër shekujt e gjatë. Ajo ia ka arritur t’i përballojë ato ndikime, ka marrë çka i nevojitej, por ka mbetur e shëndoshë në palcën e saj. Nuk kam dyshim se edhe në proceset e sotme kundrejt anglishtes, duke pasur tashmë një trajtë standarde të ngulitur, ajo do të ecë si mjeti themelor i kulturës kombëtare. Megjithatë, diçka është e ndryshme kundrejt proceseve të tjera në shekuj të tjerë. Globalizimi ka bërë, që me këtë gjuhë të mos ndeshemi thjesht në trevën tonë, por në çdo cep të botës. Kudo që të shkoni, nëpër aeroporte do të ndesheni me check-in-in, në çdo rrugë do të gjeni një fast-food, edhe për gjendjen shëndetësore do të bëni rregullisht një check-up dhe uroj që të mos keni nevojë për një by-pass, mjafton që të udhëtoni të sigurt nëpër by-pass-et të cilat po qarkojnë sot gjithë qytetet kryesore.
Problemi i drejtpërdrejtë me anglishten është se ajo ka një shkëputje të madhe ndërmjet trajtës së shkruar dhe shqiptimit. Si do të bëjmë me drejtshkrimin e fjalëve që përmenda sipër dhe me shumë e shumë raste të tjera, duke nisur me më të zakonshmen: e-mail? Është tejet e ngutshme të rrihet gjerësisht kjo çështje nga specialistët dhe të arrihet te një zgjidhje e pranueshme. Kjo pikë tregon sesa e rëndësishme është të merremi jo me debate boshe për të kaluarën, por me probleme të mprehta të sotme dhe të së ardhmes. Përkujtimi i 50-vjetorit të Kongresit na vë për detyrë të shohim për më tej, për pesëdhjetë vitet e ardhshme, që ta kemi të sigurt komunikimin edhe për 50 e më shumë vite.
Nga kjo pikëpamje, ky përkujtim duhet të tërheqë vëmendjen jo vetëm të gjithë dashamirësve të shqipes, të punonjësve të shqipes së shkruar, por me forcë edhe të shtetit shqiptar. Po sjell një fakt të mjaftueshëm. U rindërtua stadiumi kryesor i Shqipërisë dhe është bërë shumë i bukur. Mirëpo emri i është vënë ‘Air Albania Arena‘. Kjo do të thotë se stadiumi më i madh i Shqipërisë nuk ka emër shqip. Nuk dëshiroj të bëj komente të tjera për këtë.
Po kërkohet tashti që gjuha e huaj të futet që në klasën e parë të shkollës. Nuk pajtohem me këtë. Është e gabuar nga ana psikologjike dhe nga ana kombëtare. Fëmijët e njomë le të përvetësojnë mirë abetaren e shqipes, pastaj të kalohet te gjuha e huaj.
Një nga rrethanat e reja është përhapja e gjerë e dygjuhësisë te shqiptarët. Nuk do të zgjatem për një anë tjetër të pamënjanueshme: vendin kryesor sërish e zë anglishtja, veç për këtë po vë në dukje se në Norvegji tashmë nuk ka asnjë njeri që nuk e ka gjuhë të dytë.
Nga ky këndvështrim dëshiroj t’u jap një përgjigje atyre, që pa asnjë mbështetje shkencore e historike, bërtasin se gjuha standarde u kundërvihet dialekteve e të folmeve dhe i rrezikon ato. Gjithnjë është vënë në dukje, se gjuha e shkruar ushqehet nga dialektet, po edhe që varianti standard i shërben komunikimit publik e kulturor dhe nuk pengon përdorimin e varianteve të tjera sipas kërkesave të larme shoqërore. Shkurt, standardi nuk pengon as krijimtarinë letrare, që të shfrytëzojë të gjitha pasuritë e shqipes sipas synimeve të veta artistike dhe nuk pengon as emocionalitetin, kur një grua grindet me të shoqin në familje.
Dua të vë në dukje diçka të re. Në rrethanat e sotme, kur shqiptarët dalin jashtë vendit në masë e jetojnë në vende me të tjera gjuhë, shqipja standarde u jep një mbulesë mbrojtëse dialekteve dhe të folmeve. Me pak fjalë gjendja është kjo: nëse një shqiptar qëndron në një vend tjetër dhe nuk e ka përvetësuar përdorimin e gjuhës standarde, ai është mjaft i rrezikuar që ta humbasë të folmen e vet shqipe. Kurse atij që e ka këtë mjet të përpunuar, ky i shërben për të komunikuar me gjithë shqiptarët me të cilët do të ketë të bëjë atje, pavarësisht nga të folmet e katundeve të tyre dhe, sidomos, i shërben për të ruajtur lidhjet me gjithë kulturën në gjuhën shqipe, sepse standardi është përcjellësi dhe ruajtësi më i pasur i ndërgjegjes kombëtare.
Jo vetëm kaq. Standardi siguron komunikimin më të gjerë e më të pasur në kohën e sotme, domethënë komunikimin sinkronik, por standardi siguron edhe komunikimin e gjithë periudhave historike, domethënë komunikimin historik. Këtu është hambari i kujtesës kolektive historike. Pa këtë nuk ka ndërgjegje të përbashkët kombëtare.
***
Ky përvjetor na kërkon ta hedhim vështrimin te detyra të reja. Nuk e mohon askush, se koha kërkon ndonjë ndryshim për fjalë të veçanta, si dhe për të pasur një fjalor më të pasur drejtshkrimor. Po flitet këto ditë për një fjalor të madh të shqipes. Po nuk është zënë puna nga kreu. Në radhë të parë duhet të përcaktohet regjistri i fjalësit nga pikëpamja drejtshkrimore dhe kjo arrihet me një komision të posaçëm, jo njëri gozhdës e tjetri potkoit. E përmenda, për shembull, vështirësinë me fjalët e anglishtes. Si do të pasqyrohen huazimet e reja pa një diskutim shkencor paraprak?
E megjithatë dëshiroj të shtroj një problem të nivelit teorik. Kur u arritën vendimet, që mishëronin dhe kodifikonin një traditë të gjatë të shqipes së shkruar, u theksua edhe në Rezolutën e Kongresit se: “Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik.” Ky parim e luajti rolin e vet në atë kohë. Por ai nuk mund të jetë parim i përhershëm, sepse do të kërkonte ndryshime të përhershme, domethënë bie ndesh me rolin themelor të kodifikimit të gjuhës standarde për qëndrueshmërinë e saj gjeografike dhe historike. Me kalimin e kohës edhe gjuha shqipe e shkruar vjen në po atë gjendje në të cilën janë gjuhët e tjera europiane. Sot parimi fonetik nuk mund të mbështetet as në “lidhjen e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare“ dhe as te “trajta më e përgjithshme“ e shqiptimit. Pa hyrë në trajtime teorike, dëshiroj ta përmbledh këtë pikë kështu: drejtshkrimi do të mbështetet jo në shqiptimin më të përgjithshëm, që është një nocion i vagullt e i pazbatueshëm, por te shqiptimi i shtresave të kulturuara, që e përdorin gjerësisht gjuhën e shkruar në komunikimin publik dhe jo te shqiptimi i analfabetëve funksionalë, të cilët edhe mund të përbëjnë një shumicë si sasi, por për të cilët ne kemi nevojë ta ngremë nivelin e tyre kulturor e gjuhësor dhe jo të ulemi te niveli i tyre.
Nuk jemi më te fillimet, por te qëndrueshmëria e vazhdimësisë. Edhe në shkollë ta vëmë theksin te parimi morfologjik e historik dhe të këmbëngulim, që gjuha e shkruar mësohet në shkollë dhe e dimë që shkolla fillore është shkolla e dy lëndëve: gjuhës dhe aritmetikës. Të këmbëngulim që në komunikimin publik të mbizotërojë shqiptimi letrar, domethënë shqiptimi më i afërt me gjuhën e shkruar, dhe jo e kundërta: gjuha e folur ta heqë zvarrë gjuhën standarde.
Pa u zgjatur me teorizime, po e theksoj këtë pikë, sepse ajo shfrytëzohet në mënyrë keqdashëse për ta goditur standardin. Kemi përgatitur dy vëllime me titullin “Propozime për drejtshkrimin“. Kjo do të thotë se nuk u shmangemi mendimeve alternative të shprehura gjatë gjysmë shekulli. Përkundrazi, ja ku janë ato dhe le të gjykojmë se çfarë e vlen të merret parasysh prej tyre. Do të marr vetëm një shembull prej dy vëllimeve. Dikush, duke luajtur me parimin fonetik, na propozon që fjalën “banjë” ta shkruajmë “bajë”. Sipas këtyre mendimeve të shprehura edhe me autoritet akademik, atëherë thënien “Do të bëj banjë” u dashka ta shkruajmë “Do baj baj.” Propozuesit e këtyre trajtave shpërdorojnë pikërisht parimin fonetik; unë do t’i quaj ata “dobajbajsat”. Sipas dobajbajsave tashti do të themi: *baja dielli, *baja publike, *dera e bajs, *rroba baje, *bajamari, *bajzoj, *bajzim, *bajore. Dhe pastaj do të kërkohet që të shkruajmë Bajat e Elbasanit dhe Hidrocentrali i Bajs.
Pika e fundit te e cila dëshiroj të tërheq vëmendjen është ngritja e kulturës përgjithësisht dhe e kulturës së gjuhës në veçanti. Do të kufizohem edhe këtu me ndonjë rast konkret. Folësit e radiove dhe të televizioneve në disa raste shfaqin zbrazëti të dukshme kulturore. Nuk i shqiptojnë drejt emrat e vendeve dhe të figurave të botës, sepse kanë qenë nxënës të dobët në gjeografi e në histori. Disa nuk dinë të dallojnë anglishten nga gjermanishtja; për shembull shkronjën dy vë W e shqiptojnë anglisht, edhe kur emri është gjerman, pra Walter-in gjerman e shqiptojnë ‚Uollter‘, deri edhe markën Volkswagen e shqiptojnë me „v“ nistore. Nuk arrijnë dot ta mësojnë se emri i presidentit të Turqisë shqiptohet Erdoan. Përkthyesi i filmit „Osmani“ që po e shohim këto ditë edhe pas aq episodesh, nuk e ka kuptuar se aty nuk flitet për „heretikë“, por për „të pabesë“. Po sjell shembullin më të fundit. Në sanksionet kundër Rusisë u përfshi edhe banka ruse Sberbank. Rusisht kjo do të thotë Banka e kursimeve, mirëpo folëset e televizioneve e shqiptojnë sipas anglishtes së tyre „Spierbank“.
Përmirësimi i gjuhës kërkon përmirësimin e kulturës së të menduarit. Më 5 shkurt në njërin prej televizioneve më të mëdha të vendit, një mjek tha: „U është bërë fëmijëve menaxhimi adekuat“. Si mund të mendojë me këto fjalë çnjerëzore mjeku për kujdesin që të shërohen fëmijët?
As nuk do të ndalem te problematika e ndërlikuar e rënies së kulturës ligjërimore për shkak të rënies së nivelit kulturor në përgjithësi. Është një fushë tjetër e gjerë, domethënë e përdorimit të kulturuar të gjuhës në të gjitha marrëdhëniet.
Dëshiroj t’i mbyll këto fjalë me një thirrje. Bëjnë shumë mirë të gjithë ata, që vënë në dukje shkeljet e drejtshkrimit, gabimet gjuhësore e sidomos përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Natyrisht, që mbetet e mprehtë ruajtja e natyrës së shqipes në këtë mjedis të sotëm të ndërlikuar, sidomos nëpërmjet pasurimit të saj. Mirëpo më e domosdoshme është jo shprehja e shqetësimeve, por veprimi për t’i kapërcyer ato. Po marr një shembull të ditëve të sotme. Po flitet e shkruhet pa pushim për inceneratorët. Përse nuk bëhet një veprim i ndërgjegjshëm që të mënjanohet ky huazim? Rruga e natyrshme është që menjëherë të bëhen propozime të ndryshme dhe të gjurmohet se cili prej tyre është më i pranueshëm. Kështu, janë propozuar: shkrumbatore dhe djegës; unë do të shtoja djegtore dhe të presim propozime të tjera derisa të arrijmë te më i godituri dhe atë të përdorim.
Kongresi i Drejtshkrimit ishte një veprim vendimtar, me rrezatim të pakufizuar kulturor e kombëtar dhe me vlera praktike të prekshme. Përkujtimi i përvjetorit të tij është një thirrje për veprim.
Veprimtaritë për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit tashmë kanë nisur. Me rastin e 21 Shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, u organizua një konferencë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit pikërisht për të tërhequr vëmendjen sidomos të mediave, që të ngrihet zëri për t‘u kujdesur për shqipen e bukur, por edhe për ta shkruar pa gabime. Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që ka në krye një drejtor të përkushtuar, profesorin Skëndrer Asani, organizoi një konferencë shkencore, ku u fol edhe për rolin e shkollës që të përvetësohet drejt gjuha amtare edhe në kushtet e dygjuhësisë, ndërsa u paraqit dhe botimi „Propozime për drejtshkrimin“ i bërë nga ky Institut në Shkup në vitin 2022, pas botimit të këtyre dy vëllimeve më 2021 në Tiranë. Këto dy veprimtari ishin një hapje e mbarë e vitit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejshkrimit.