Ambra Hysa: Venecia… vendi ideal për të shkruar një romancë dashurie
Venecia… vendi ideal për të shkruar një romancë dashurie
Po shkruaj një tjetër novelë dashurie, një përbindësh të bukur që befas pushton zemrat e dy të rinjve të panjohur, të cilët takohen rastësisht, në ballon e famshme të karnavaleve, që organizohet në qytetin e karnavaleve… në një nga qytetet më romantike në botë… në Venecia.
Aty, ku rrugicat gjarpërojnë drejt e në zemër, në rrugët ku poemat më të bukura të dashurisë janë shkruar, ku romancat janë ndezur, ku historitë kanë lindur, ku njerëzit janë dashur…
M’u shfaq si një ëndërr e përsëritur… Venecia, një vend i vizituar dikur dhe tani i fiksuar në kujtesë si imazh i largët në aparatin e kujtesës, kështu që kthimi im këtë herë është i mjegullt, por plot kuriozitet… plot mall dhe etje për ta njohur qytetin unikal.
Magjia nis në perëndim, mes gondolave të ankoruara nga stacioni hekurudhor në kanalin e madh në muzg; ura Rialto; Piazza San Marco; toka e mrekullive vezulluese e valëzuese; trafiku i zhurmshëm i ujit; gondolierët që këndojnë, turistët duke pirë kafe dhe pëllumbat e bardhë që ndalen në parvaze sikur duan të sjellin akoma mesazhe apo pusulla dashurie.
‘Të ndërtosh një qytet ku është e pamundur të ndërtosh një qytet është çmenduri në vetvete, por të ndërtosh atje një nga qytetet më elegante dhe më madhështore është çmenduria e gjeniut’ – thoshte Alexandër Herzen.
U magjepsa nga marionetat, të cilat i pashë për herë të parë në Venecia. Ato ishin aq të përhumbura dhe kaq të gjalla. Ti ecën pranë tyre dhe mund ta ndjejesh praninë e tyre, me sytë e tyre të fiksuara drejt teje.
Venecia ndonjëherë duket si një koncert i braktisur vite më parë. Shfaqja ka përfunduar, njerëzit kanë ikur, por magjia i ndjehet nën lëkurë.
Unë e dashuroj për aromën e myshkut, për mënyrën sesi fle ashtu në ujë si një grumbull zambakësh, pa u trazuar.
E dua sepse Venecia është mistike, autentike, eshtë artistike dhe pasionante.
Është e përkëdhelur nga dashuria e të gjithë botës dhe kryelartë.
E dua, sepse nëse dashurisë do t’i vihej një emër tjetër, ajo do të merrte emrin e saj…
Please follow and like us: