Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Dragusha: Ku ishim ne kur erdhi diktatori

Në vitin 1938, ylli më i famshëm i kinemasë në botë filloi të përgatiste një film për përbindëshin e shekullit të 20-të, Adolf Hitlerin. The Great Dictator është i bazuar në një histori origjinale të shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga vetë Charlie Chaplin. Chaplini, duke shfrytëzuar njëfarë ngjashmërie me Hitlerin, krijoi një satire në të cilën do të ndeshen një diktator dhe një berber hebre. Në historinë e ekranit ky film konsiderohet si një nga krijimet më serioze. Në këtë film paraqitet fuqia që ka autoriteti, përmes të të cilit pastaj kontrollohet çdo gjë. Diktatori Hynkel (luajtur nga Chaplin) është personazhi që portretizon Hitlerin, të cilin e paraqet si karakter të çrregullt, të pavendosur dhe llastues.

Filmi nis me Luftën e Parë Botërore ku një ushtar, berber shpëton jetën e një pilotit gjerman Schultzit, duke mos e ditur, megjithatë, se ai ishte armiku. Pas një aksidenti që pësojnë me aeroplan bashkë me Schultzin, berberi pëson lëndime të rënda dhe për 20 vjet ai nuk e di se kush është. Pasi që shërohet, kthehet në dyqanin e tij si berber, në Tomani, mirëpo shpejt e kupton se diktatori Hynkel ka pushtuar edhe vendin e tij. Pas një maltretimi të vazhdueshëm që i bëhet berberit nga ana e ushtarëve të Hynkelit, rastësisht takohet me gjermanin Schultz, të cilit dikur berberi ia kishte shpëtuar jetën. Me ta kuptuar se berberi ishte ai që e kishte shpëtuar, Schultzi, që tani është në pozitën e ministrit, e fal berberin. Por shumë shpejt komandanti Schultz do të akuzohet për tradhti, për faktin se po e ndihmonte një hebre. Kështu që, për shkak se berberi kishte ngjashmëri fizike me diktatorin Hynkel, ai bashkë me komandantin Schultz vendosin që të futen në pallatin diktatorial. Të gjithë mendojnë se berberi është Hynkel dhe të gjithë i nënshtrohen autoritetit të berberit. Duke u paraqitur si diktatori Hynkel, berberi do ta mbajë fjalimin e tij të famshëm.

 Fjalimi që mban berberi është tërësisht i ndryshëm nga fjalimet e diktatorit Hynkel dhe askush nuk e kundërshton. Me këtë fjalim Chaplini shpërfaq gjithëpraninë e çmendurisë si pushtet, kurse disiplina paraqet fuqinë e një autoriteti vulgar. Pra, ky normailtet skizofrenik e bën historinë, ku brenda saj nuk mund të ketë diferencim në mes normalëve dhe të të çmendurve. Nëpërmes monologut të berberit prej më shumë se tre minutash, në fakt Chaplini paraqet pikëpamjet e veta politike. Është pikërisht ky monolog që filmin The Great Dictator e bën një nga satirat politike më të fuqishme edhe sot e kësaj dite. Pra, filmi The Great Dictator na tregon fuqinë që mund të ketë autoriteti, si dhe stërkeqjen e mundshme të tij. Chaplini përmes satirizimit e vë në spikamë egon e shfrenuar të njeriut për pushtet dhe autoritet, por, po ashtu edhe gatishmërinë e masave për nënshtrim. Andaj, filmi dhe The Great Dictator para së gjithash na bën të qartë se pavarësisht se sa i fuqishëm mund të jetë autoriteti, njeriu asnjëherë nuk duhet ta braktisë njerëzoren.

«Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku. Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur. Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin, por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qenies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve».

Kjo është një pjesë nga fjalimi i famshëm i Charlie Chaplin-it, i realizuar në filmin The Great Dictator. Është interesant se si kjo pjesë duket se kuptimsohet edhe më shumë në ditët e sotshme. Përveç Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin – interneti këtë afërsi e bëri edhe me të madhe, aq shumë iu afruam njëri-tjetrit sa që edhe nuk po kemi mundësi të shohim. Nëse dikur dija na bëri cinik, sot gjithëprania e informatës na ka bërë edhe më injorant. Karshi gjithçkaje që ndodh rreth nesh e shohim vetëm nëpër aparatura digjitale, si imazh. Prandaj, ndjejmë shumë pak ose aspak. Diktatorët nuk janë produkt të zhvillimeve në univers. As i ndonjë trashëgimie gjenetike. Madje, shpesh thuhet se diktatorët janë produkt i rrethanave historike. Jo! Ata janë produkt yni (sic!). Janë produkt shoqëror, prandaj, kur flasim për fajësinë edhe ne kemi një pjesë të fajit pse ata janë të tillë. Hitleri pa mbështetjen popullore gjermane nuk do t’mund të ishte i tillë. As Millosheviqi nuk do t’mund t’ia vinte flakën Ballkanit pa mbështetjen popullore serbe që kishte. Dhe, po kështu njëjtë është edhe me Putinin dhe njëjtë do të jetë edhe në të ardhmen. Prandaj, është imediate që shoqëritë të rritën dhe të edukohen me demokraci. Të mësohen me kritikën, ose, në të kundërtën, liria jonë do të jetë lehtësisht e cenueshme.

Please follow and like us: