Nderim për Artistin dhe Njeriun Mihal Luarasi sot në përvjetorin e tij
Sadik Bejko
Nderim për Artistin dhe Njeriun Mihal Luarasi sot në përvjetorin e tij.
Dëshmi për vrasjen e artistit dhe të lirisë
Mbi librin e M. Luarasit “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”
I lindur më 1929 në qytetin e Korçës, pjesëmarrës në LNÇL, i arsimuar si regjisor në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Hungari më 1958, Mihal Luarasi punoi si regjisor nëTeatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, regjisor i jashtëm në Teatrin e Operas dhe të Baletit, regjisor në Teatrin “Çajupi” të Korçës, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.
Në vitet ’70 të shekullit që shkoi Luarasi, krahas dy figurave të tjera të spikatura të artit skenik shqiptar, Piro Manit dhe K. Spahivoglit, kishte krijuar profilin e tij qartësisht të identifikueshëm. Ai, siç thuhej atëherë, vinte nga fluksi ideoestetik i Europës Qendrore, nga Hungaria, nga ndikimet estetike të teatrit të Brehtit dhe të estetit tjetër të njohur botërisht, G. Lukaçit. Dy rivalët dhe kolegët e M.Luarasit, regjisorët Piro Mani dhe Kujtim Spahivogli, të shquar secili më vete, të rajvizuarqartë, ishin ndjekës të shkollës ruse, të teatrit të Stanislavsckit.
Edhe dramaturgët e Tiranës së atyre viteve ishin tre: Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami. Fadil Kraja e D. Bubani vinin disi më mbrapa… Më i riu, më tragjiku, yll i shuar ende pa dalë në qiell, ishte Shpëtim Gina. Ky shkroi drama të tipit të teatrit absurd, shkollë teatri e afishuar në Francën e asaj kohe, drama që iu ndaluan si spektakle, nuk u shfaqën, ndaj mbase ky poeti Shpëtim Gina vdiq e shkoi fare i njomë dhe krejt misteriozisht.
Plenumi lV i partisë, më 1973, Kujtim Spahivoglin e çoi në prodhim, M. Luarasin dhe M. Jeron i rrasën në burg, u përjashtuan përfundimisht nga jeta artistike. I.Uruçi u degdis fshesaxhi rrugësh në Memaliaj, F. Paçrami… në burg, pra, u fshinë edhe këta dramaturgë nga jeta artistike.
Nga gjithë të mësipërmit, vetëm M. Luarasi mbijetoi deri më sot. Pas ‘90-tës ai iu kthye jetës skenike si regjisor dhe autor dramash e librash.
“Përjetësisht dashuria”, autor dhe regjisor, Tiranë 2013, është suksesi i tij më i fundit në skenën e Teatrit Kombëtar, një spektakël i ngjyrosur nga nostalgjia dhe poezia e tekstit, e regjisë. Shqipëria e kohës, kur disa nga emrat që përmenda më lart ishin ikona të artit, prej disa dekadash nuk është më. Dhe teatri i sotëm nuk është më aq masiv, me aq peshë në jetën artistike, nuk është aq i magjishëm sa në vitet ‘70.
Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” është shkruar nga një artist që dikur, në vitet ’70, ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, në pikun kur vlerat kishin prekur majat, dhe mu në këtë vrull vetijak ende në ngjitje e sipër, atë e skualifikojnë, e burgosin, e poshtërojnë. Libri që sot kemi në duar, u shkrua fillimisht më 1994, në rreth 80 faqe, si reagim ndaj librit të T. Lubonjës “Nën peshën e dhunës” dhe që atëherë është shpërndarë si dorëshkrim. Me kaq dukej se M. Luarasi ishte tërhequr. Pas disa vjetësh, për arsye të tjera, dorëshkrimi është rimarrë dhe na vjen tani në këtë botim përfundimtar.
Libri nëpërmjet analizës, ballafaqimit, reflektimeve, retrospektivës rivlerëson kohë, njerëz, rrethana, fakte…por edhe ca gjëra fare të brishta siç janë miqësitë e mëritë midis njerëzve… lidhje shpirtërore që në elegancën e luksin e tyre lehtësisht mund të anojnë dhe nga prishja, nga kalbja përfundimtare.
Siç e thamë, shkaku nisëtor për të shkruar këtë libër prej M Luarasit, ka qenë reagimi ndaj një libri tjetër. Në disa nga faqet e librit “Nën peshën e dhunës”, veç të tjerash, autori Lubonja shfren me urrejtje e përçmim ndaj disa prej artistëve si M Jero, M Luarasi etj. Mohon e relativizon dhe arritjet, vlerat e tyre si artistë.
Todi Lubonja, ky komunist i orëve të para, ka qenë aparatçik i lartë i diktaturës, komisar politik, sekretar partie në disa rrethe, kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, anëtar i Komitetit Qendror etj… Më 1974 atë e burgosën si liberal. Cila është arsyeja që në librin e tij “Nën peshën e dhunës” (1993) disa nga artistët që dikur para viteve ’70 kanë qenë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, tani në liri urrehen e përçmohen? Ja ç’ka ndodhur. Këta artistë me hekura në duar, të burgosur përpara tij, janë pyetur në hetuesi dhe kanë pohuar se paskëshin bashkëpunuar me Todi Lubonjën për të realizuar disa prej spektakleve të tyre, në të vërtetë spektaklet më të suksesshme për kohën. Këto spektakle atëherë u quajtën armiqësore, spektakle që kërkonin përmbysjen e regjimit. U quajtën kështu veç të tjerëve edhe nga vetë diktatori Hoxha. Në fakt, ato shfaqje ishin vetëm të bukura, të magjishme. Të pëlqyeshme sa për historinë e artit kanë mbetur si mite, legjenda ende të pazbërthyeshme edhe sot.
Kushdo do ta kishte për nder që në diktaturë të ishte burgosur ngaqë kishte ndihmuar në arritje artistike që kishin tronditur diktaturën. Por, si duket, jo të
gjithë mendojnë kështu. Todi Lubonja, i dalë nga burgu, mbase i kishte harruar gjërat a mbase i leverdiste që në klimën politike të vitit 1993 ta mohojë kontributin e tij si liberal, si komunist jodogmatik siç kishte qenë para se të burgosej. Ish-aparatçikët, ish-anëtarët e Komitetit Qendror, eksponentët e lartë komunistë që atij i kthyen krahët dhe e quajtën armik e “rufjan politik” publikisht, deri dhe vetë ish-kryemiku i tij, Ramiz Alia, tashmë në kohën e pluralizmit u bënë streha shpirtërore e T. Lubonjës. Lubonja u afrua prapë me këta “miq”, i fali edhe se ata ia burgosën, internuan gruan fëmijët. Vetëm artistët, miqtë e tij të dikurshëm artistë, Todi Lubonja nuk i fal. E, pra, ai dikur nën diktaturë kishte qenë një korb i bardhë, tani në liri bën mbrapsht e kthehet në kopenë e tij. Një korb i zi. Kjo metamorfozë është fort e dhimbshme për mikun e dikurshëm, për tetëdhjetëvjeçarin e sotëm, për M. Luarasin. Në librin e tij pohohet se kështu, me këtë transformim, Todi Lubonja hedh poshtë pjesën më të mirë të jetës së tij. Në shtjellim të kësaj ideje M Luarasi sjell fakte deri dhe hollësi se dikur në rrethe miqësore T. Lubonja fliste kundër E Hoxhës, se ai ka mbrojtur artistë, si V. Furxhi, kur gabonin rëndë, se me ndihmën direkte të T. Lubonjës janë ngritur në skenë dy nga spektaklet më të famshme të atyre viteve, të shfaqjes së dramës “Njollat e murrme” (1969) nga teatri i Korçës dhe të Festivalit të Njëmbëdhjetë në RTVSH, 1972. Në këtë vazhdë, diskursi polemist i librit këmbehet me shfletime të kujtesës së Luarasit, me digresione të cilat të çojnë në thelb të ngjarjeve, tek ngjizja e atyre shfaqjeve teatrore dhe e spektakleve që në vitet e diktaturës ishin shprehje e lirisë, e forcës krijuese, e guximit të artistëve që ndiznin pishtarin e dritës në terrin e diktaturës. Shumë ujë ka rrjedhur që prej atëherë dhe shumë baltë hodhi diktatura mbi artistët e atyre viteve. E vërteta është që edhe më pas mendimi kritik nuk u ndal në vlerësimin profesional të atyre ngjarjeve të bujshme si spektakli i dramës “Njollat e murrme”, spektakli “Festivalit Njëmbëdhjet në Radio Televizionin Shqiptar” etj.
Në këtë libër jepet një prerje e hollë e klimës krijuese të kohës dhe e profilit artistik e human të njerëzve që guxuan dhe sfiduan dogmën e realizmit socialist. Dhe kjo qe një vazhdë krijuese. Dhe kjo ndodhi se në vitet ’70 prurjet në talente dhe në pjekuri profesionale krijuese në Tiranë qenë të afta për të ndërmarrë jo akte sfiduese formale, por se artistët e ndienin veten në nivelin më të mirë botëror të artit. Jo më kot, rreth 25 vjet më pas, drama “Njollat e murrme” u inskenua nga një teatër francez. Janë të dhimbshme faktet se si diktatura i poshtëronte dhe i shpërfytyronte këto talente, i detyronte të pohonin publikisht në mbledhje linçuese të kundërtën e asaj që kishin shprehur pak ditë më parë, pra, të mohonin dhe të kërkonin ndjesë për atë që realisht ndienin e mendonin. Pas gjithë këtij kursi të dhunës psikologjike, ku artistët viheshin kundra vetes e kundra njëri-tjetrit, do të vinin dhe prangat e burgut. Eliminimi nga jeta artistike i më të mirëve.
Libri “Korbi korbit nuk ia nxierr sytë” në këtë mënyrë bëhet një dëshmi për dhunën, për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese. Dëshmi e sjellë nga njëri prej atyre artistëve që në vitet ’70 ishte në apogjeun e arritjeve historike të artit skenik shqiptar.
Please follow and like us: