Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Ç’më paska marrë malli për Agim Maton…!

Më ka marrë malli për Agim Maton, i rrëfeva atë ëndërr nate, atje në bar – kafenë buzë detit, mikut tim të vjetër, studiuesit të përkorë Timo Mërkuri. Çuditërisht natën, kishte rënë një dëborë e bukur, e butë, nga ato që në Sarandë bien një herë në shekull.
Përrallë është – e shtyu më tej gjuhën miku im (a nuk është gjuha – delf?) por Agim Maton nuk e takon dot…!
Po pse?
Agim Mato është zhytur me Fundo (titulli i vëllimit të tij me Poezi) në thellësi të detit në zbulim të mistereve! – këmbënguli edhe më misterioz ai, si të më thoshte se Poezia është përnjëmend reale, absolute.
Kjo ishte bërthama e filozofisë së tij.
Sa më poetike, aq më e vërtetë – dhe tundi kokën.
Kjo fjala mister, më trazoi pasi unë e di që kur vdes shpirti, ai bëhet Njeri. Kur vdes Njeriu, ai shndërrohet në Frymë. Vdekja e lirë e Frymës është vdekja e lirë e Njeriut.
Atëherë çfarë i korrespondon lartësisë së ekzistencës njerëzore?
Ekzistenca e demonëve apo gjenive, me të cilët trupi është ajo, po ajo, çka rezulton për ne – shpirti.
Pra shpirti i tij paska mbetur në thellësi të detit në kërkim të ca mistereve të reja? Këtë u përpoq të më thoshte Timo?
Ti sapo më the një përrallë – iu ktheva gjithë vrull. Mua më ka marrë vërtet malli për Agim Maton, më dëgjon? – e hodha zemërimin tim tutje në horizontin e detit si për t’i kujtuar atij se e kishte aq detyrim sa të më çonte tek Agim Mato.
Përralla është e ngjashme me kanonin e poezisë – shtruar deshi të më mbushte mendjen se unë ëndërroja për shtegëtimin nëpër gjithësi, për ta takuar diku atje Agim Maton, pa e kuptuar se gjithësia ishte brenda meje, pa e ditur se përbrenda meje kalonte ajo rruga misterioze që të çonte tek ai. Çdo gjë poetike duhet të jetë përrallore. Poeti i përkulet rastit dhe Agim Mato ishte një kanion poezie!
Ky spjegim, megjithëse i paplotë, sikur e nxirrte bisedën tonë prej botës së hijeve në mbretërinë e dritës. Ishte kapërcyer ai eklips moskuptues dhe kurmi i fantazmave qe flakur tej. Në mbërritëm papritur tek kënaqësia që s’ka të përshkruar: Pasi Fryma e poezisë së Agim Matos nuk kishte asfarë nevojash të tjera.
E kam njohur Agim Maton, pas viteve ‘90 dhe në ato takimet e shëtitjet e shkurtra anëdetit, më mrekullonin idetë e tij poetike.
Ide të befta, si shkëndija zjarri.
Tani, unë e di mirë, se idetë e befta nuk mund ta zëvendësojnë dot punën titanike të poetit, sikurse vetëm puna nuk mund t’i lindë apo t’i detyrojë idetë e befta të vijnë.
Këtë akt hyjnor nuk e bën dot as pasioni.
Puna dhe pasioni kur takohen udhës, veç i ndjellin ato.
Misterin se kur “zbresin” prej qiellit ato të bekuarat (sërish fjala Mister) nuk e di askush. As kohën e tyre. Në çdo rast, ato shfaqen atëherë kur nuk i pret dhe kur Poeti sfilitet, heq e vuan mbi tryezën e punës. Asnjëherë nuk do të shkrepnin e shkëndijonin – ato, idetë e befta që trondisin, nëse poeti nuk do të kishte pas vetes ato orë mundimi mbi tryezën e punës dhe atë ndjeshmëri rraskapitëse për çdo çështje të hapur e detaj.
Agim Mato nuk i besonte frymëzimit platonik.
Agim Mato i besonte mbarsjes së vetvetes. Çdo gjë e mbaruar shpreh jo vetëm vetveten, por edhe gjithë botët e ngjashme.
Prandaj, përreth gjithë gjërave të përfunduara ashtu si duhet e mrekullisht ndehet velloja e adhurimit individual e kolektiv, e cila prej përçikjes më të lehtë, shndërrohet në avull magjik, që bëhet koçi e mjegullt profeti.
Agim Mato nuk ishte hyjni deti, por ai ishte njëkohësisht edhe thellësi edhe qiell edhe tejqyrë edhe yll i palëvizshëm dhe përgjithkah – zbulesë e përnjëmendtë.
Sepse ishte përmbajtje dhe qëndrueshmëri.
Natën ka rënë papritur dëborë – e shkunda prej meditimit të thellë – e ke ndjerë?
Ehë – tundi kokën që kushedi ç’bluante ato çaste.
A të thashë që më paska marrē malli për Agim Maton?
E mbaj mend …
A nuk është vallë dëbora e rënë mbi det diç e ngjashme me përqafimin?
Po … edhe mund…
Diç e ngjashme me përqafimin e Agim Matos?
Ke të drejtë, Njeriu: është vetë Metafora – dhe sytë e kaltër të Timo Mërkurit u gjallëruan sërish si trazim deti.
Please follow and like us: