Duda: Përdorimi i armëve kimike mund të ndryshojë ‘rregullat e lojës’
Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund të nxisë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos intervenuar në konflikt, ka thënë presidenti polak, Andrzej Duda për transmetuesin britanik, BBC.
I pyetur nëse beson se presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike, Duda ka thënë se “kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë prej Luftës së Dytë Botërore”.
“Nëse më pyesni nëse Putin mund të përdorë armë kimike, mendoj se Putin mund të përdorë gjithçka tani, sidomos kur është në këtë pozitë të vështirë”.
“Politikisht ai e ka humbur këtë luftë, dhe në aspektin ushtarak, ai nuk po e fiton atë”.
I pyetur nëse përdorimi i armëve të tilla mund të nxisë intervenim të NATO-s, ai ka thënë: Natyrisht, secili shpreson që ai nuk do t’i përdorë ato.
“Mirëpo… nëse ai përdor armë të shkatërrimit masiv, kjo do të ndryshonte rregullat e lojës”.
“Natyrisht, (NATO) do të duhej të ulej në tavolinë dhe të mendonte seriozisht si të vepronte, sepse atëherë fillon që situata të bëhet e rrezikshme, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën”.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “ka shqetësime serioze se Rusia mund të planifikojë të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë kundër popullit ukrainas”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. (rel)