Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo
Sergej Esenin: JU ERËRA!
Erëra, o erëra, ju erëra me borë,
ma fshini dot lotin e jetës së shkuar?
Ma ktheni rininë, ndriçimin gazmor,
më bëni dot lule, mbi ledh të bekuar?
Do doja të ndija një fyell bariu,
për mua dhe miqtë, shpirtin të na shkrijë,
dhe në veshë të varim yllin që vetiu,
në borën e mbrëmjes do të vetëtijë.
Nën dridhjen e tij të butë mjegullore,
kur stuhia fryn dhe më nuk të dhëmb,
do doja të isha një pemë inatçore,
që në mes të rrugës, të rrijë në një këmbë.
Do doja që kalit t’ i ndjeja skërmitjen,
kaçubet përreth fort t’ i përqafoja.
Dhe ti hënë, me putra, a s’ ma merr mërzitjen,
në një kovë të artë dhe qiellit çoja!
1919
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: