Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadorja dinjitoze shqiptare në misionin e OSBE-së në Vjenë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar si ambasadore të Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë, ish-ministren e qeverisë “Rama 1”, Eglantina Gjermenin. Gjermeni ka shërbyer si njëherësh edhe si ish-deputete e Partisë Socialiste. Eglantina Gjermeni në zgjedhjet e kaluara ishte një ndër politikanet e cila nuk u përfshi në garën elektorale të 25 prillit 2021, duke u larguar nga politika aktive së bashku me Vasilika Hysin. Ajo ka mbajtur postin e ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Ish-ministrja Turizmit, në dëgjesën pranë Komisionit të Politikës së Jashtme, pak ditë më parë u ndal tek ecuria e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe listoi prioritete që do të ketë ajo në këtë detyrë.

“Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe puna ime do të jenë maksimale për të thelluar bashkëpunimin me Organizatën e OSBE, pjesëmarrja aktive në forume por edhe shtetet anëtarë të saj. Rritja e profilit të Shqipërisë dhe rolit aktiv të saj në OSBE por edhe Organizatat e tjera ndërkombëtare, do të jenë fokusi i punës dhe misionit tim në Vjenë”, u shpreh Gjermeni.

Ajo mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të cilët vlerësuan jo vetëm punën e saj si tri herë deputete dhe 4 vite ministre, por edhe prej personalitetit e saj.

Kush është Eglantina Gjermeni?

Referuar CV-së së saj, Eglantina Gjermeni ka lindur më 24 Nëntor të vitit 1968 në qytetin e Krujës. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Histori- Filologjisë në vitin 1990 e ka vijuar më pas studimet pasuniversitare në Punë Sociale në vitin 1993-1994. Më pas, ka vazhduar studimet e mëtejshme akademike në Universitetin “Grand Valley State University” në Michigan të SHBA, duke marrë titullin Master në Punë Sociale në vitin 1998. Në vitin 2005, Gjermeni mori titullin Doktor i Shkencave në Punë Sociale, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Eglantina Gjermeni e ka nisur karrierën e saj si Pedagoge në Departamentin e Punës Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, që prej vitit 1995 deri më 2008. Njëherazi ka shërbyer nga Qershori i 1999 deri më Korrik të 2009 si Drejtore ekzekutive në Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim.

Pozicionin si Deputete e Kuvendit të Shqipërisë e ka filluar në Gusht të vitit 2009 dhe e ka përfunduar në Tetor të 2013, ku njëkohësisht ka qenë Anëtare e Kominsionit për Punën e Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë. Dy pozicionet e fundit përpara aktualit, Gjermeni i ka patur si ministre në vitet:

Shkurt 2015 – 08.09.2017; Ministre e Zhvillimit Urban

Shtator 2013 – shkurt 2015; Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Pas fitimit të gradës shkencore “Doktor” në vitin 2005 e deri më sot, Gjermeni ka zhvilluar një sërë veprimtarish shkencore e aktivitete botuese në shërbim të përfshirjes së nocioneve të punës sociale në hartimin e politikave dhe programeve në vend e më gjerë. Veprimtaria kërkimore dhe botuese përfshijnë kryesisht referime në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, botime të artikujve shkencorë që përkojnë me tematikat në fushën e punëve sociale dhe barazisë gjinore.

Rikujtojmë se Shqipëria është anëtare e OSBE që prej vitit 1991.

Ky aderim shënoi një ndryshim rrënjësor të kursit të politikës së jashtme shqiptare, në afrimin me bashkësinë euro-atlantike dhe në pranimin e vlerave perëndimore të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Delegacioni shqiptar që  kryesohej nga MPJ, Muhamet Kapllani dhe përbëhej edhe nga përfaqësues të të gjitha forcave politike të krijuara deri në atë kohë në Shqipëri, zuri vendin si anëtari i 35-te i KSBE.

Në këtë anëtarësim të Shqipërisë kanë shërbyer gjithsej (së bashku me Eglantina Gjermenin) vetëm 6 Ambasadorë.

Përfaqësuesit diplomatikë në OSBE:

1992 – 1997, Zef Mazi 

Për një periudhë gati 5vjeçare, posti i Ambasadorit në OSBE i ka përkuar diplomatit, Zef Mazi.

Zef Mazi, ish ambasadori në OSBE, ka patur një sërë aktivitetesh në postet më të rëndësishme diplomatike. Ai njihet gjithashtu për kontributin e veçantë si kryenegociator i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

1997 – 2002, Roland Bimo 

Roland Bimo është një diplomat karriere. Ai ishte ambasadori i parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara, pas përmbysjes së regjimit komunist. Bimo e mbajti këtë post nga viti 1992 deri në vitin 1994. Ky ishte një post kyç i cili iu besua Bimos pas një periudhe 50-vjeçare ndërprerjeje të marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Përveçse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka qenë ambasador në Hungari gjatë viteve 1994-1997. Nga ky vit e deri në vitin 2002 Bimo ka qenë përfaqësues i Shqipërisë pranë OSBE-së dhe OKB-së si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Vjenë.

2002 – 2007, Gilbert Galanxhi 

Në vitin 1994 Galanxhi u bë anëtar i Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë. Në këtë kohë ai mbante postet e shefit të Departamentit të Shtypit dhe Informacionit, si dhe ishte zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. Rreth viteve 2000, Galanxhi filloi punën për Misionet e Ndihmës Policore të Bashkimit Evropian në Tiranë, Shqipëri. Fillimisht punoi me njësinë e trajnimit, e më pas u emërua shef i kabinetit deri në vitin 2007, kur u transferua në Vjenë të Austrisë. Në Vjenë, Galanxhi përfaqësoi Shqipërinë si Ambasador në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, si dhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

2007 – 2015, Spiro Koçi

Spiro Koçi, iu bashkua shërbimit diplomatik shqiptar në vitin 1993 dhe gjatë gjithë karrierës së tij diplomatike ka mbajtur poste të shumta të larta brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 2010 deri në vitin 2015, Koçi shërbeu si Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Zyrën e OKB-së në Vjenë dhe në UNODC, UNIDO, IAEA, CTBTO, OSBE dhe IACA, ku drejtoi një sërë forumesh dhe grupeshm, në kuadër të OKB-së dhe OSBE-së.

2017 – 2021, Igli Hasani

Igli Hasani, ndryshe nga ambasadorët, Mazi e Koçi e ka mbajtur postin e tij diplomatik si Ambasador i OSBE-së për 5 vite. Hasani është liruar nga detyra me dekretin e Presidentit Meta më 11 nëntor të 2021.

Shkurt 2022 – Vijim, Postin si Ambasasore e OSBE e ka Eglantina Gjermeni.

Please follow and like us: