Albspirit

Media/News/Publishing

Elvira Dones: Kalova pak ditë në Tiranë

Kalova pak ditë në Tiranë, por përkoi me fillimin e protestave. Nuk pretendoj asfare të them se e njoh thellësisht situatën. Parë nga jashtë, është e pamundur të matet pulsi real i dramës shqiptare. Ndaj pyeta njerëz të thjeshtë, taksistët që disa herë me çuan aty ku duhej të shkoja – ishin të dëshpëruar. Fola me një shitëse byrekësh, ndoshta kish moshën time por i jepja nja dhjetë vjet më shumë. I shoqi pa punë, vajza uloke, djali në Hollandë (punonte si hamall). Ata byrekë ishin e ardhura e vetme e familjes. I lashë diçka më shumë kur pagova dhe më falenderoi. U ndjeva keq, më shumë duhej t’i kisha lënë, por u drojta mos e fyeja. Stupid me, varfëria e familjes së saj nuk linte vend për krenari.
Një burrë rreth të tridhjetave më tha se u kishte lindur një vajzë para tre muajsh. E urova, por ai shtoi: Nuk e di, ime shoqe dhe unë ndihemi në faj që lindëm një fëmijë në këtë vend.
Një shitës cigaresh më tha se po të mos dilte të nesermen në protestë do e kish punën keq me të birin student. I biri për të paguar librat punonte të dielave si kopshtar në ca shtëpi pasanikësh. Po pasanikësh fare, tha burri, nga ata si nëpër filma. Kështu që, o ti grua, nesër do shkoj në protestë – dhe djali ka te drejtë. S’ia paguaj dot librat duke shitur cigare dhe çingërrima. E vetmja që mund të bëj është të shkoj t’u bashkohem atyre që akoma shpresojnë të ndryshojnë ndonjë gjë në këtë vend. Kur qeshi i mungonin tre dhëmbë mu përpara.
Kaq, kjo është “kronika” ime. Kaq.
Dhe sado të rreket qeveria e sotme të devijojë qëllimin e protestave si konspiracione, nuk do ia dalë. Ndoshta pas disa ditësh protestuesit do sfiliten. Ndoshta përçarja politike do ia dalë – jo për herë të parë. Por shqiptarëve të thjeshtë u ka hyrë thika nga njëra anë e kockës e u ka dalë nga ana tjetër.
Please follow and like us: