Miho Gjini: A JE SI JE, DRITAN HAXHIA?
Me këtë batutë përshëndetëse, prej dramave shqiptare me subjekte veriore, dua ta ngjatjetoj mikun tim Dritan në New York,- të birin e Frok Haxhisë, mjeshtrit të çiftelisë prej Puke, që e pata mik edhe atë, sa jetoi e bëri melodi të pavdekshme me instrumentin e tij, si ta kishte një gjymtyrë më shumë! Ndërsa i biri, hodhi në qafë aparatin e fotografisë, fiksoi me të “udhët e jetës”, me po ata njerëz të thjeshtë që mahniteshin para rapsodit, se si ai ringjallte edhe legjendat e dikurshme, bëmat e trimave, bashkë me frymën e tyre epike të burrërisë. Po ja që, në aparatin e tij, hyri edhe mjerimi, me tonet bardhë e zi të varfërisë, që e bëri artistin-fotograf të kapërcejë kufirin, bashkë me të tjerët, për një jetë më të mirë dhe erdhi gjer në Athinën “e ndaluar”, ku objektivi i aparatit nisi “të fliste” shumë më tepër. Dhe, të birin e Frok Haxhisë, e shihja tek fotografonte Arvanitasin Aristidh Kola,mërgimtarët e rinj tek këndonin në Ambasadën Shqiptare këngët e lirisë, tek delnin e demonstronin deri në Sintagma për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe tek mbushte “Gazetën e Athinës” së Robert Goros me shkrime e fotografi artistike të guximshme kundër “operacionit FSHESA” të policisë greke për ikanakët që erdhën nga Shqipëria nga malet dhe mbetën të pa legalizuar… Dritan Haxhia, i papërtuari dhe i kudondodhuri, ishte njëri nga njerëzit më energjikë prej këtyre ikanakëve që luftonin për të artdmen e tyre dhe për t’u organizuar nëpër shoqata patriotike, kulturore e artistike. Ai na fiksoi edhe kur mblodhëm artistet e skenës e të ekranit shqiptarë, tek themeluam shoqatën “Aleksander Moisiu”, ku Dritan-artisti rradhitet nga të parët-majtas, si edhe më pas, me shoqatat e tjera të legalizuara për një veprimtari të rregullt. Me aparatin fotografik në qafë ai gjurmonte e fiksonte edhe jetën tonë në mërgim, punën e rëndë që bënim, po edhe krijimtarinë shpirtërore, me gazetat, revistat e librat që botonim në Gjuhën Shqipe. Mbaj mend që Dritani erdhi edhe në barangën ku unë punoja e jetoja, në periferi të Athinës… E sikundër pata mik të atin, e desha shumë edhe Dritanin. Dhe në vitin 2008 vajta e gjeta edhe në Amerikë, pasi ai kishte shkuar me pikësynimet e tij të lartësimit të vetvetes, po edhe për të ndjekur e fiksuar me objektivin e tij atë shtet të madh që ne e mbanim në gojë nëpër ëndërrimet tona… Dhe, me Dritanin ecja tani nëpër rrugët e lagjes Bronx, ku jetonin shumica e shqiptarëve të mërguar atje… Vajtëm edhe në Byrektoren “Dukagjini”, për të provuar gatimet tona. Dhe kudo e ngado ku kishte jetë shqiptare… Dritan Haxhia, si Artist i Fotografisë, si gazetar dhe si atdhetar i flaktë i vendit të tij, do te ishte rrishtazi edhe aty, i papërtuar e i kudondodhur. Po ta dish Dritan i dashur, që malli na ka marrë përsëri e të kujtojmë shumë shpesh, këtu në Athinë… A je, si je, Dritan Haxhia?! Të përshëndes e të ngjatjetoj me zemër në dorë, o njeri mirë, miku im i shtrenjtë!
Please follow and like us: