Bisedimet mes përfaqësuesve rusë dhe atyre ukrainas pritet të vazhdojnë gjatë së martës, në kohën kur trupat ruse nuk kanë avancuar në pushtimin e vendit, mirëpo ka pasur bombardime sporadike në Kiev dhe qytete të tjera.

18:30/Biden me 24 mars në Bruksel për të diskutuar me NATO për Ukrainën
Presidenti amerikan Joe Biden do të udhëtojë  javën e ardhshme për në Bruksel për të diskutuar me aleatët e NATO-s një samit të jashtëzakonshëm të aleancës Veri-atlantike. Misioni i SHBA-së në NATO  në një njoftim Twitter ka thënë se Biden i është përgjigjur ftesës së kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg  për një samit të jashtëzakonshëm për 24 mars në Bruksel për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën. Ndërsa Stoltenberg ka njoftuar se liderët “do të trajtojnë agresionin rus  në Ukrainë, mbështetjen tonë të fortë për Ukrainën dhe forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së NATO-s”.

16:53/Pierre Zakrzewski, fotoreporteri  i Fox News, vritet në Ukrainë

Rrjeti Fox News ka njoftuar se Pierre Zakrzewski, fotoreporteri shumëvjeçar i këtij  mediumi, është vrarë sot në Ukrainë . “Me trishtim të madh dhe me zemër të thyer ndajmë lajmin se këtë mëngjes është vrarë  fotografi ynë i dashur Pierre Zakrzewski”. Në njoftimin e shefes ekzekutive  të Fox News, Suzanne Scott thuhet se  “Pierre u vra në Horenka, në periferi  të Kievit, Ukrainë”. “Ai ka raportuar nga Ukraina që nga shkurti dhe sot ishte me korrespondentin Benjamin Hall kur u godit automjeti i tyre”, ka njoftuar Scott.

16:07/Rusia vendos sanksione ndaj presidentit amerikan Biden

Rusia ka njoftuar sot se  ka vendosur sanksione kundër presidentit amerikan, Joe Biden, sekretarit të shtetit, Antony Blinken dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë. Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme Ruse thuhet se sanksionet janë reciproke ndaj asaj që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara. “Në përgjigje të një sërë sanksionesh të paprecedentëm nga 15 marsi i këtij viti, ‘lista e ndalimit’ përfshin në bazë të reciprocitetit Presidentin Joe Biden, sekretarin e shtetit, Antony Blinken, sekretarin e mbrojtjes Loyd  Austin, shefin e shtabit të përbashkët, Mark  Milley, si dhe një numër shefash departamentesh dhe figura të njohura amerikane”, thuhet në deklaratën ruse.

16:02/SHBA vendos sanksione të reja ndaj presidentit bjellorus, Lukashenko

Administrata amerikane ka njoftuar se ka vendosur sanksione të reja  kundër presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, një aleat i Rusisë në luftën e saj në Ukrainë. Sanksionet ndaj Lukashenkos dhe gruas së tij, Halina përfshijnë  ngrirjen e aseteve dhe pronave të tyre në Shtetet e Bashkuara si dhe transaksione me ndonjë shtetas amerikan. Sipas Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një numër i shtetasve të tjerë rusë, përfshirë edhe një gjykatës rus, janë vënë në listën e sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut.

15:49/Kreu i NATO-s thotë se Rusia mund të jetë duke planifikuar një operacionin kimik

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë sot se Rusia “po bën pretendime absurde për laboratorët biologjikë dhe armët kimike” në Ukrainë.
” Armët biologjike janë një gënjeshtër tjetër.  Moska mund të jetë duke planifikuar një operacion ‘flamur të rremë’, duke përfshirë edhe armë kimike,” tha Stoltenberg. Operacioni  “ flamuri i rremë” është një veprim politik ose ushtarak i kryer me qëllimin për të fajësuar një kundërshtar për të. Duke folur në një konferencë për shtyp, Stoltenberg ka theksuar se pozicioni ushtarak i NATO-s duhet të jetë gati për këtë realitet të ri.  “Në tokë, këto masa mund të përfshijnë më shumë forca në gjendje të lartë gatishmërie në lindje të aleancës”, ka thënë Stoltenberg. Ai gjithashtu paralajmëroi se do të shqyrtohet “rritja e dislokimeve detare e ajrore, forcimi i mbrojtjes raketore dhe mbrojtjes kibernetike”.

15:31/Rusia thotë se sanksionet për Ukrainën nuk prekin raportet e saj me Iranin

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ka thënë se Moska ka marrë garanci me shkrim nga Uashingtoni se sanksionet perëndimore ndaj , për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk do të ndikojnë në bashkëpunimin me Iranin në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Lavrov njoftoi për garancitë amerikane, pas një takimi në Moskë me homologun e tij iranian, Hossein Amirabdollahian. BBC raporton se bisedimet ruso-iraniane mund të sinjalizojnë se është përmbushur kërkesa e Rusisë që sanksionet nuk do të pengojnë marrëdhëniet e saj të ardhshme me Iranin.

15:15/Zelensky thotë se rreth 100 fëmijë ukrainas u vranë nga sulmet ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u tha udhëheqësve të Forcës së Përbashkët të Ekspeditës të udhëhequr nga Britania e Madhe se pothuajse 100 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse, në vendin  e tij që nga fillimi i agresionit  rus. Zelensky foli për vrasjet e fëmijëve dhe vuri në pikëpyetje angazhimin e kompanive të huaja për një bojkot afatgjatë të Rusisë. “Disa kompani thonë se janë larguar, por ato thjeshtë presin momentin që mund të kthehen në tregun rus. Nuk u interesojnë 97 fëmijë; deri më tani, 97 fëmijë janë vrarë këtu,” u tha Zelensky udhëheqësve evropianë.

15:10/Prezantuesja televizive jep dorëheqjen nga një prej kanaleve më të njohura ruse

Lilia Gildeeva, një prezantuese ruse për kanalin pro-Kremlin NTV, ka njoftuar se  “nuk punon më” për këtë  kanal. Duke cituar zyrën e shtypit të kanalit NTV, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raporton sot, se arsyeja e dorëheqjes së saj nuk është bërë e ditur. Kanali Telegram raportoi se Gildeeva kishte dhënë dorëheqjen dhe ishte larguar nga vendi.

14:36/Britania sanksionon politikanë dhe oligarkë rusë në vlerë prej 163 miliardë dollarë

Raundi i fundit i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar ka përfshirë oligarkët rusë në një vlerë prej 130.63 miliardë dollarësh, përfshirë e edhe zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov dhe zëdhënësen e ministrisë së jashtme Maria Zakharova. Në një deklaratë të qeverisë britanike thuhet se sanksionet po vazhdojnë me një shpejtësi më të madhe se kurrë. “Do të vazhdojë goditja e atyre që janë më të afërt me presidentin, Vladimir Putinin – nga oligarkët kryesorë, te kryeministri dhe propaganduesit e tij”.

14: 16/Liderët e vendeve të NATO-s pritet të takohen javën e ardhshme  në Bruksel

Krerët e shteteve anëtare të NATO-s po shqyrtojnë mundësinë e një takimi urgjent javën në ardhshme në Bruksel. CNN citon burime diplomatike që thonë se NATO ka gjasë të mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar për luftën në Ukrainë. Takimi i së mërkurës i ministrave të mbrojtjes të NATO-s pritet të fokusohet gjithashtu në hapat e ardhshëm të aleancës për të forcuar praninë e saj mbrojtëse në Evropën Lindore dhe ndihmën për Ukrainën.

14:05/Katër të vrarë nga sulmet ruse në një ndërtesë banimi në Kiev

Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore ruse mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev ka arritur në katër, përderisa ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin njerëz të tjerë nga një ndërtesë banimi që është përfshirë nga flakët pas goditjes me raketa. Brenda një ore forcat ruse kanë goditur të paktën katër ndërtesa në zonat e banuara në gjithë kryeqytetin ukrainas – në lindje, veri dhe perëndim të qendrës së qytetit. Kryebashkiaku  i Kievit, Vitali Klitschko ka njoftuar se gjithashtu ka dhjetëra të plagosur.

13:46/Këshilltari i presidentit ukrainas thotë se lufta do të përfundojë deri në mes të prillit

Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se edhe në skenarin më të keq lufta me Rusinë mund të përfundojë deri në mes të prillit. “Kemi dy zgjidhje. Bisedimet që po zhvillohen tani. Gjithçka mund të zgjidhet së shpejti, brenda një ose dy javësh. Me një tërheqje të plotë të trupave ruse”, ka thënë Arestovych. Zgjidhja e dytë sipas tij është nëse Rusia merr më shumë rezerva, duke kuptuar se nuk do të arrijnë marrëveshje me Ukrainën. “ Pastaj do të ketë një përpjekje tjetër për ta sulmuar Ukrainën. Atëherë na duhet edhe një javë për t’i mposhtur. Nëse ndodhë skenari i dytë, kjo do të zgjasë edhe një muaj, deri në mes të prillit”, ka thënë ai për mediat në Ukrainë. Analistët ushtarakë thonë se rezistenca dhe gatishmëria luftarake e ushtrisë ukrainase e kapi e ka zënë në Moskën në befasi.

13:13/Sulmet ruse shkatërrojnë pistën e aeroportit në Dnipro

Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar se sulmet ruse me raketa kanë shkatërruar sot pistën e aeroportit në qytetin lindor, Dnipro. BBC citon Valentyn Reznichenko, drejtor  i administratës rajonale të Dnipropetrovsk, që thotë se ka pasur “shkatërrim masiv në aeroport”. “Armiku sulmoi  natën me raketa aeroportin në Dnipro. “Pista u shkatërrua. Terminali u dëmtua. Shkatërrim masiv”, ka shkruar ai në Telegram.

13: 01/Ende i paqartë raundi i katërt i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Ekipet negociatore të Rusisë e Ukrainës kanë paralajmëruar për sot vazhdimin e raundit të katërt të bisedimeve për korridore humanitare dhe armëpushim, por ende nuk është qartësuar nëse do të vazhdojë sot takimi që u ndërpre të hënën. Pas tri raunde negociatash në Bjellorusi,delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës nisën të hënën online raundin e katërt të bisedimeve, në atë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi si të “të vështirë”. Por më vonë, kryenegociatori ukrainas, Mykhailo Podoliak, njoftoi se është vendosur për një “pauzë teknike” në bisedimet mes palëve derisa të qartësohen  punët shtesë në nëngrupet punuese dhe përcaktimet individuale”.

12:42/ Kancelari Scholz kërkon armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë

Kancelari gjermani, Olaf Scholz ka thënë se duhet të mbahen të hapura të gjitha kanalet diplomatike dhe të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Ukrainë. “Është çështje e përdorimit të të gjitha formateve të dialogut dhe mbajtjes së tyre…dhe presioni për arritjen e një armëpushimi, që duhet të vijë menjëherë”, u ka thënë ai gazetarëve pas një takimi në Berlin me mbretin Abdullah të Jordanisë.

12:23/Më shumë se 3 milionë refugjatë kanë ikur nga Ukraina

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur deri më tani nga Ukraina, që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara. “E kemi arritur shifrën prej 3 milionë njerëzve që janë larguar nga Ukraina”, ka thënë Paul Dillon, një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.

12:10/Kryqi i Kuq shpreson për evakuim të civilëve nga Sumy

Kryqi i Kuq po shpreson që të organizojë evakuimin e dy konvojeve me rreth 30 autobusë me civilë nga qytetiiI rrethuar Sumy, që ndodhet në verlindje të Ukrainës. Ewan Watson, zëdhënës i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar  tha në Gjenevë se operacioni do të ndërmerret na Kryqi i Kuq i Ukrainës, po ende nuk dihet se a mund të realizohet. Ai theksoi se ka pasë vonesa në evakuime të ngjashme nga Mariupoli, ku tha se njerëzit “po ngufaten në këtë qytet pa ndihma të nevojshme”.

11:44/Orë policore në Kiev

Ora policore do të hyjë në fuqi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, nga ora 8 e mbrëmjes të martën deri në 7 të mëngjesit të enjten, pas bombardimeve të fundit në qytet. “Do të jetë e ndaluar lëvizja nëpër qytet pa një leje speciale, përveç shkuarjes në strehimore”, ka thënë kryetari i qytetit, Vitaliy Klitschko. “Kryeqyteti është zemra e Ukrainës dhe ai do të mbrohet. Kievi nuk do të dorëzohet nga ne”, ka thënë ai.

11:35/Ekonomia e Ukrainës ka humbur të paktën gjysmë trilionë dollarë

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ekonomia e Ukrainës ka humbur të paktën gjysmë trilionë dollarë, ka thënë ministri i Financave, Serhiy Marchenko. “Shumë zinxhirë logjistikë janë thyer, shumë biznese janë shkatërruar dhe disa thjeshtë nuk mund të punojnë, pasi stafi është larguar nga Ukraina”, ka thënë ministri për magazinën Forbes.

11:20/Rusia thotë se ka pushtuar Khersonin

Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes thotë se forcat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë rajonin jugor të Khersonit. Agjencia ruse e lajmeve, Interfax e ka cituar Igor Konashenkov të ketë thënë se forcat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë gjithë territorin. Më herët këtë javë, raportimet tregonin banorët e Khersonit duke mbajtur protesta kundër pushimit rus, pavarësisht gjuajteve të forcave ruse.

11:12/Protestën në TV, Kremlini e quan huliganizëm

Kremlini ka thënë se veprimet e një gruaje, që pengoi programin e drejtpërdrejtë të lajmeve në televizionin shtetëror rus, Channel 1, mund të cilësohen si huliganizëm. Protestuesja, një redaktore e televizionit, gjatë një transmetimi të hënën, ka mbajtur një parullë në duar, prapa prezentueses në studio, me mbishkrimet “jo luftë, ndalojeni luftën, mos i besoni propagandës, ata po ju gënjejnë”. “Sa i përket kësaj gruaje, kjo mund të quhet huliganizëm”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë ruse, Dmitry Peskov, duke dhënë lëvdata për punën kualitative të programit televiziv, Channel 1.

11:05/Rreth 300 të evakuuar kanë arritur në Zaporizhzhia

Rreth 300 civilë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit kanë arritur në qytetin Zaporizhzhia, pas largimit përmes evakuimit të parë të suksesshëm, ka thënë këshilli i qytetit. “Siç është raportuar, rreth 160 vetura janë larguar nga Mariupolit dje. Deri në orën 10:00, ka informacione që rreth 300 banorë të Mariupolit kanë arritur në Zaporizhzhia”, thuhet në njoftim. Të paktën 200 mijë njerëz kanë nevojë emergjente për evakuim nga Mariupoli, sipas vlerësimeve të zyrtarëve ukrainas. Rusia po e mohon vazhdimisht se ka target civilët.

10:26/Arrestohet gazetarja ruse

Mbrëmjen e së hënës, një grua që mbante një parullë anti-luftës në Ukrainë, u shfaq  në sfondin e edicionit të lajmeve në kanalin shtetëror rus, Channel 1. Parulla, që shihej prapa prezentueses së lajmeve, shkruante “jo luftë, ndalojeni luftën, mos i besoni propagandës, ata po ju gënjejnë”. Gruaja është identifikuar si Marina Ovsyannikova, një prej redaktoreve në këtë kanal televiziv. Zëri i saj dëgjohej gjatë transmetimit, duke theskuar mesazhet “Jo luftë! Ndalojeni luftën!”, para se regjisori të kalonte në një reportazh televiziv. Raportohet se redaktorja është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Ky kanal televiziv rus kontrollohet nga shteti dhe reflekton vetëm versionin rus të luftës në Ukrainë.

 

 

10: 13/Zyrtari ukrainas: Jemi në një udhëkryq

Një këshilltar i presidentit ukrainas ka thënë se lufta në Ukrainë ndodhet në udhëkryq, që mund të çojë drejt një marrëveshje përme bisedimeve me Rusinë, apo drejt një ofensive te re ruse. “Ne jemi në udhëkryq. Ose do të arrijmë marrëveshje gjatë bisedimeve, ose rusët do të bëjnë përpjekje për një ofensivë të re dhe pastaj do të ketë bisedime sërish”, tha Oleksiy Arestovych.

10:00/Presidenti Zelensky u adresohet trupave ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka publikuar një video mesazh, ku shfaqi tone optimiste lidhur me bisedimet për paqe me Rusinë. Ai tha se Rusia ka filluar ta kuptojë që fitorja nuk mund të arrihet nga fusha e betejës. “Ata veçse kanë filluar ta kuptojnë që  nuk mund të arrijnë asgjë përmes luftës”, ka thënë Zelensky. Presidenti ukrainas gjithashtu u është drejtuar trupave ruse, duke u thënë: “

 

 

09:38/Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë vizitojnë Kievin

Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë pritet të udhëtojnë për në Kiev, për tu takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zekensky. Vizita është konfirmuar nga qeveria polake, e cila tha se qëllimi i udhëtimit ishte “të konfirmojnë mbështetjen e parezervë të gjithë Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”. “Qëllimi i kësaj vizite është që gjithashtu të paraqesim një paketë të gjerë të ndihmave për Ukrainën dhe ukrainasit”, tha ai.

09:23/Lajme nga Ukraina

Pothuajse të gjitha ofensivat ushtarake ruse kanë ngecur ose nuk kanë përparuar gjatë fundjavës, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. Dy shpërthime të fuqishme tronditën kryeqytetin Kiev para agimit, kurse sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në rajone të ndryshme, duke përfshirë Odessën, Chernihivin, Cherkasy dhe Smila. Shërbimet e urgjencës thanë se dy persona vdiqën kur një ndërtesë apartamentesh në Kiev u sulmua. Moska lejoi të hënën kolonën e parë të shpëtonte nga Mariupoli i rrethuar, që është kthyer në epiqendrën e krizës humanitare të konfliktit. “Në dy orët e para, 160 makina u larguan,” njofton këshilli i qytetit Mariupol. Bisedimet e mëtejshme mes negociatorëve ukrainas dhe rusë për të lehtësuar krizën pritet të vazhdojnë edhe të martën, pasi diskutimet të hënën përfunduan pa asnjë përparim të ri. Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së u pajtuan të hënën për një paketë të katërt sanksionesh kundër Rusisë. Detajet nuk u zbuluan zyrtarisht, por burimet diplomatike thanë se ato do të përfshijnë një ndalim të importit të çelikut dhe hekurit rus, një ndalim të eksportit të mallrave luksoze dhe një ndalim të investimeve në sektorin e energjisë. Pronari i ekipit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich dhe 14 të tjerë do të shtohen në listën e zezë të BE-së. Një aeroplan i lidhur me Abramovichin u ul në Moskë herët të martën, pasi u ngrit nga Stambolli pas një ndalese të shkurtër atje, treguan të dhënat e gjurmimit të aeroplanit.

09:20/Biden premton më shumë armë e para për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u zotua se do të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë, ushqime dhe para.Në një postim në Twitter, Biden tha se SHBA-ja do t’i mirëpresë edhe refugjatët ukrainas me krahë hapur. Ai tha të hënën se SHBA-ja po siguronte “dhjetëra mijëra tonë furnizime humanitare” për Ukrainën, në baza ditore, raporton REL. Javën e kaluar, Biden nënshkroi një paketë shpenzimesh emergjente, që parashikon 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën – rreth gjysma e tyre ndihmë ushtarake.