Forcat ruse kanë vrarë 10 civilë që po qëndronin në radhë për të marrë bukë në qytetin verior Chernihiv në Ukrainë. Reporterët lokalë thanë se viktimat janë qëlluar nga artileria ruse e pozicionuar jashtë qytetit.

18: 11/Biden shpallë një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, po mban një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, dhe po shpalos detajet e një pakete të re ndihme shtesë prej 800 milionë dollarësh për  Ukrainën, duke e çuar në total  në 1 miliard dollarë ndihmën e dhënë vetëm javën e fundit. Fjalimi i Biden pason adresimin në Kongres të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ku bëri thirrje për ndihmë më të madhe për Ukrainën e sulmuar nga Rusia, duke u thënë ligjvënësve amerikanë  se “tani kemi nevojë për ju “duke kujtuar tragjeditë në historinë amerikane si sulmi në Pearl Harbor dhe sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001.  Zelensky gjithashtu i tha Biden se “të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”, ka thënë Zelensky një fjalimin që u prit me ovacione nga ligjvënësit e dy partive politike. Biden tha se Zelensky ishte “bindës” dhe “pasionant” në fjalimin e tij në Kongresin Amerikan. Paketa e ndihmës ushtarake amerikane përfshinë raketa antitank dhe më shumë nga armët mbrojtëse, përfshirë edhe raketa antitank Javelin dhe anti-ajrore Stinger. Ndihma, sidomos avionët ushtarakë mund të ndalohen  në rast të shpalljes së Ukrainës zonë të ndalim-fluturimit që Zelensky ka thënë është  e nevojshme për shpëtuar popullatën civile.

17: 01/Aleatët e NATO-s pajtohen për të mos e shpallur  Ukrainën zonë të ndalim-fluturimit

Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtarë të NATO-s në takimin e sotëm janë pajtuar në mbështetjen e aleancës  për Ukrainën, por jo edhe për t’iu përgjigjur kërkesës së Kievit për ta shpallur  vendin e sulmuar nga Rusia zonë  të ndalim-fluturimit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel tha se nuk do të ketë “dislokim të kapaciteteve ajrore apo tokësore në Ukrainë. “ Ky është një qëndrim unifikues i aleatëve tanë”, ka thënë Stoltenberg. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka shtuar se aleanca është e vendosur të mos përshkallëzojë luftën me Rusinë.

16:52/Ukraina lidhet me rrjetin kryesor evropian të energjisë elektrike

Ukraina është lidhur me rrjetin kryesor evropian për energjinë elektrike, duke e ndihmuar atë për të përballuar ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga dëmet e  sulmeve ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky në një postim në Twitter ka thënë se energjia po shkon nga Ukraina në BE dhe anasjelltas, përmes Rrjetit Evropian Kontinental. Zelensky tha se ishte mirënjohës për zyrtarët e lartë të BE-së që bënë të mundur lidhjen në rrjetin evropian. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen deklaroi sot se vendimi do të bëjë ” që të ketë drita dhe shtëpi të ngrohta në këto kohë të errëta”. Moldavia, e cila kufizohet me Ukrainën, është kyçur gjithashtu në rrjetin evropian.

16:44/Putin: Nuk do të kemi nevojë të shtypim para për të përballuar sanksionet

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi nuk do të ketë sukses në atë që ai e quajti përpjekje për  dominim global dhe për të copëtuar Rusinë. Në një  fjalim  në mbledhjen e qeverisë Putin  ka thënë se nëse Perëndimi mendon se Rusia do të tërhiqet, atëherë nuk e kupton  mirë Rusinë. Ai ka theksuar se sanksionet e krijuara për të goditur ekonominë e Rusisë  nuk mund ta godasin tërësisht dhe “banka qendrore nuk ka nevojë të printojë para ngase vendi ka burime të mjaftueshme financiare”. “Ekonomia dhe biznesi ynë i kanë të gjitha burimet e nevojshme për të përmbushur  objektivat e vendosura, vetëm duhet t’i mobilizojmë”, ka thënë Putin.

16: 01/Biden pritet të shpallë një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, pritet të shpallë vendimin për një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë e Ukrainës, duke e çuar në total  në 1 miliard dollarë ndihmën e dhënë vetëm javën e fundit. Fjalimi i Biden pason adresimin në Kongres të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ku bëri thirrje për ndihmë më të madhe për Ukrainën e sulmuar nga Rusia, duke u thënë ligjvënësve amerikanë  se “tani kemi nevojë për ju “duke kujtuar tragjeditë në historinë amerikane si sulmi në Pearl Harbor dhe sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001. Në  një fjalim që po cilësohet si historik, Zelensky gjithashtu iu drejtua Biden duke thënë se  “Ti je lideri i kombit të madh. Uroj që të jesh lideri i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”, ka thënë Zelensky një fjalimin që u prit me ovacione nga ligjvënësit e dy partive politike. Paketa e ndihmës ushtarake amerikane përfshinë raketa antitank dhe më shumë nga armët mbrojtëse, përfshirë edhe raketa antitank Javelin dhe anti-ajrore Stinger. Ndihma, sidomos avionët ushtarakë mund të ndalohen  në rast të shpalljes së Ukrainës zonë të ndalim-fluturimit që Zelensky ka thënë është  e nevojshme për shpëtuar popullatën civile.

15:36/Rusia thotë se çdo takim Putin-Zelensky duhet të jetë për të nënshkruar marrëveshje

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavroiv ka thënë se nuk ka pengesa për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por sipas tij një takim i tillë do të bëhet vetëm për të nënshkruar një marrëveshje specifike. “Nuk ka asnjë pengesë për një takimi të tillë, me mirëkuptimin se nuk do të ishte vetëm për hir të një takimi. Ky do të duhej të ishte për të nënshkruar marrëveshje konkrete, që aktualisht janë duke u përpunuar nga të dy delegacionet,”u tha Lavrov gazetarëve. Ukraina hodhi sot poshtë propozimet ruse për një status të një vendi  neutral, refuzoi të dorëzohej dhe u zotua do të luftonte dhe do të ndiqte  penalisht “krimet e luftës” së Rusisë.

15:17/Këshilli i Evropës përjashton Rusinë nga organi i të drejtave të njeriut

Komiteti i ministrave prej 47 vendeve anëtarë të Këshillit të Evropës ka njoftuar se nga sot Federata Ruse pushon së qeni anëtare e Këshillit të Evropës. Rusia ka njoftuar se po tërhiqet nga Këshilli i Evropës, pas 26 vitesh anëtarësim, që nënkupton se nuk do të jetë më nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe qytetarët e saj nuk do të mund të paraqesin më kërkesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

14: 25 /Nga frika e rekrutimit, rusët kundër luftës dynden për në shtete fqinje

Mijëra qytetarë rusë gjatë javëve të fundit kanë vendosur të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës kundër Ukrainës dhe frikës për imponimin e një ligji të ri ushtarak në vend. BBC raporton se më shumë se 25,000 qytetarë rusë janë larguar vetëm javën e fundit në Gjeorgji, ndërsa shumë të tjerë po largohen për  në Armeni, Turqi ose Finlandë. Një tjetër destinacion për shumë prej tyre është Uzbekistani. Mediat në Uzbekistan raportojnë se shumica e të larguarve janë të rinj që duan t’i shmangen rekrutimit ushtarak.

14:13/Zelensky flet para Kongresit amerikan derisa forcat ruse po i afrohen  Kievit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbajti  një fjalim virtual  para anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kërkoi më shumë ndihmë ushtarake amerikane për të frenuar agresionin rus. Kërkesa e tij vjen në kulmin e presionit të Ukrainës për të ofruar më shumë ndihmë ushtarake për vendin që është goditur rëndë nga Rusia. Në fjalimin e tij, që u prit me ovacione të mëdha nga ligjvënësit e të dy taborreve politike, Zelensky i bëri një thirrje direkte për ndihmë presidentit Bidenit duke thënë, “të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”. Zelensky ka thënë në Kongres se kryeqyteti, Kiev është “nën sulme ajrore nga trupat ruse. “Tani  fati i vendit tonë po vendoset”, ka thënë ai. “Në kohën më të errët për vendin tonë, për të gjithë Evropën, ju bëj thirrje të bëni më shumë. Duhen sanksione të reja, vazhdimisht, çdo javë derisa të ndalojë makina ushtarake ruse”, ka thënë Zelensky. Duke kujtuar fjalimin e famshëm të Martin Luther King, Zelensky gjithashtu tha se  ka  një ëndërr. “Unë kam një ëndërr”, – këto fjalë janë të njohura për secilin prej jush. Sot, mund të them, kam një nevojë. Të mbroj qiellin tonë. Kam nevojë për vendimin tuaj, ndihmën tuaj, që do të thotë të njëjtën gjë. Kam një ëndërr”. CNN raporton se përderisa Zelensky po bënë thirrje që SHBA të ndihmojë që Ukraina të shpallet zonë e ndaluar fluturimit, për të mbrojtur civilët, forcat ruse po avancojnë drejt Kievit.

13:46/Të paktën 10 të vrarë në qytetin ukrainas Chernihiv

Një predhë e hedhur nga forcat ruse raportohet tëketë  lënë të paktën 10 persona të vrarë  në qytetin Chernihiv në Ukrainë. Pamjet nga një video tregojnë trupa të pajetë në tokë, por imazhet  nuk janë krejtësisht të qarta, përderisa reporterët lokalë kanë  thënë se  nga sulmet  kanë mbetur të vrarë të paktën 10 persona. Një video e publikuar nga CNN tregon se raketa u hodh mbi një grumbull civilësh që po prisnin në radhë më të marrë bukë.

13:24/Pentagoni dërgon sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në Ukrainë

Përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë fjalimit të sotëm pritet t’i kërkojë Kongresit ndihmë të mëtejshme ushtarake për vendin e tij, SHBA dhe aleatët e saj në NATO njoftojnë për dërgimin e një sistemi raketash tokë-ajër në Ukrainë. CNN citon një zyrtar të lartë amerikan,që thotë se këto sisteme shtesë përfshijnë sistemet e mbrojtjes ajrore mobile të epokës sovjetike SA-8, SA-10, SA-12 dhe SA-14. Sistemet kanë një rreze më të ulët lartësie se sistemi S-300, të cilin Ukraina e ka kërkuar, por që lanë kanë një rreze më të lartë se raketat Stinger me të cilat Ukraina është furnizuara më parë. Sipas zyrtarëve amerikanë sistemet janë marrë nga vendet partnere të NATO-s dhe janë “në rrugë”, për në Ukrainë.

13:09/Ukraina kundërshton modelin e neutralitetit të propozuar nga Rusia

Ukraina ka thënë se dëshiron që siguria e saj të garantohet nga forcat ndërkombëtare, duke hedhur poshtë propozimet e Rusisë që të miratojë një status neutral të ngjashëm më atë të Austrinë apo Suedisë. Mykhailo Podolyak,  këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se qeveria e vendit kundërshton idenë e përhapur nga Rusia se Ukraina duhet të aplikojë model suedez ose austriak të neutralitetit. Podolyak  ka thënë se Ukraina tani është në luftë me Rusinë dhe modeli i sigurisë “mund të jetë vetëm ukrainas” me “garanci sigurie të njohur ligjërisht dhe jo ndonjë model apo opsion tjetër”. Deklarimi Podolyak vjen pasi presidenti Volodymyr Zelensky  në një deklarim të mëhershëm  la se nuk pret që vendi i tij të anëtarësohet  më shpejt në NATO. Aspirata e Kievit për të qenë pjesë e NATO-s ishte ndër arsyet që lideri rus Vladimir Putin përmendi në përpjekjet për të justifikuar agresionin e tij në Ukrainë.

13:04/Ushtria e Ukrainës flet për një ‘goditje shkatërruese’ mbi trupat pushtuese

Forcat e Ukrainës kanë thënë sot se pozicioni  mbrojtjes nuk ka ndryshuar, duke theksuar se i ka shkaktuar  një “goditje shkatërruese trupave okupuese”. Në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm ukrainas thuhet se forcat e armatosura kundërsulmuan në disa zona, duke shkatërruar tre avionë, një helikopter dhe tre dronë rusë. BBC raporton se këto deklarime nuk janë verifikuar ende, duke cituar deklaratën që thotë se forcat ajrore po sulmojnë objektivat tokësorë, duke përfshirë nëntë në kolonat e trupave dhe pajisjeve ruse. Ushtria e Ukrainës thotë gjithashtu se forcat ruse kanë vazhduar të kryejnë sulme me bomba dhe raketa në zonat me popullsi të dendur.

 

12:45/Një model i garancive për siguri në “tavolinën e negociatave”

Mykhailo Podolyak, një prej negociatorëve ukrainas në bisedimet me Rusinë, tha se në “tavolinën e negociatave” është mundësia e një garancie të sigurisë për vendin e tij, nga një grup aleatësh, në rast të ndonjë sulmi në të ardhmen. “Një model i garancive për sigurinë është në tavolinën e negociatave. Çka nënkupton? Një marrëveshje me një numër të shteteve garantuese që ndërmerr obligime të qarta ligjore për të parandaluar sulmet e ardhshme”, ka shkruar në Tweeter Mykhailo Podolyak.

model of security guarantees is on the negotiating table. What does this mean? A rigid agreement with a number of guarantor states undertaking clear legal obligations to actively prevent attacks on Uk.
Details: https://t.co/8AG67TH6VO

— Михайло Подоляк (@Podolyak_M) March 16, 2022

12:21/Rreth 500 banorë janë vrarë në Kharkiv deri tani

Shërbimet e Emergjencave të qytetit ukrainas të Kharkivit thanë se ta paktën 500 njerëz janë vrarë në këtë qytet që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Kharkiv është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, pas Kievit. Gjatë javëve të kaluara ka pasur sulme të shumta në këtë qytet, edhe pse forcat ruse kanë hasur në vështirësi për ta marrë qytetin për shkak të mungesës së municionit. Në përditësimin e fundit, njoftohet se dy persona janë vrarë pas një sulmi rus në një bllok ndërtesash banimi.

12:08/Ylli ukrainas i futbollit pritet të pranojë refugjatë

Ylli ukrainas i futbollit, Andriy Shevchenko pritet të pranojë në shtëpinë e tij në Angli familje refugjatësh nga Ukraina. Ish-lojtari i Chelsea-t dhe Milanit po ashtu do të nisë një program, bashkë me Programin Botëror për Ushqim, që të mbledhë 1 milion funta për vendin e tij, Ukrainën. Ai i ka thënë BBC-së se kjo është një periudhë e rëndë për të, familjen e tij dhe ata që ndodhen në Ukrainë për momentin. Shevchenko gjithashtu tha se edhe shumë miq të tij janë të gatshëm të pranojnë familje refugjatësh.

11:50/Prokurorja e Përgjithshme: 103 fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës ka thënë se 103 fëmijë janë vrarë deri më tani në Ukrainë, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Forcat ruse kanë goditur më shumë se 400 institucione educative dhe 59 prej tyre janë shkatërruar, ka thënë Iryna Venediktova, Prokurore e Përgjithshme.

11:38/Zelensky pritet të kërkojë më shumë ndihmë nga Kongresi amerikan

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të bëjë një kërkesë urgjente para Kongesit amerikan, për të kërkuar më shumë ndihmë në luftën kundër agresionit rus. Zelensky pritet t’i adresohet Kongresit amerikan më vonë gjatë ditës. Një ditë më parë ai foli në një video lidhje para ligjvënësve kanadezë, të cilëve u kërkoi më shumë sanksione të Perëndimit ndaj Rusisë.

11:19/NATO zotohet për më shumë ndihmë për Ukrainën

SHBA dhe anëtarët e tjerë të NATO-s thanë të mërkurën se bota duhet të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, duke adaptuar njëkohësisht sigurinë e aleancës me “realitetin e ri”. Diplomatët vlersojnë se aleatët e NATO-s kanë shpenzuar më shumë se 20 mijë anti-tanke dhe armë të tjera për Ukrainën, që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. “Ne qëndrojmë të bashkuar për ta mbështetur Ukrainën”, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, para takimit emergjent të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel. Vendet anëtare të NATO-s do të vazhdojnë të ofrojnë armë për Ukrainën, ka thënë Kajsa Ollongren, minisrja holandeze Mbrojtjes, duke shtuar se Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet.

11:08/Një i vrarë nga sulmi në Kharkiv

Si pasojë e sulmeve ruse në Kharkiv, një person ka mbetur i vdekur, njoftojnë Shërbimet ukrainase të Emergjencave. Gjithashtu janë dëmtuar edhe dy ndërtesa banimi. “Nata ishte kryesisht e qetë, madje bëmë edhe pak gjumë”, tha për Al Jazeeran një prej banoreve të qytetit, nënë e dy fëmijëve. Dyert e dritaret e apartmentit të saj janë thyer nga bombardimet e mëhershme dhe ato i ka mbuluar ato me qese. Ajo tregon se netët, bashkë me familjen, i kalojnë në banjo, të ulur në tokë.

10:54/Rreth 1.89 milionë ukrainas kanë ikur për në Poloni

Më shumë se 1.89 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i luftës, ka njoftuar Garda Kufitare polake. Prej tyre, më shumë se gjysmë milioni ka mundësi që e kanë lëshuar edhe Poloninë, ka thënë profesori polak Maciej Duszczyk. Nga shifra e përgjithshme, 94% prej tyre që kanë kaluar kufirin janë ukrainas. Vetëm të martën, 66,600 persona kanë kaluar kufirin me Poloninë. Shumica e refugjatëve kanë shkuar në qyete të mëdha, sikurse Varshava apo Krakova.

10:43/Pas Kievit, kryeministrat ndalen në Poloni

Delegacioni i përbërë nga kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë kanë arritur në Poloni, pas vizitës së tyre në Kiev, ka thënë një zëdhënës i qeverisë polake. “Delegacionet e Polonisë, Sllovendisë dhe Çekisë janë kthyer shëndosh e mirë nga Kievi në Poloni”, ka shkruar në Tweeter, Piotr Muller.

10:27/Vritet edhe një gjeneral rus

Zyrtarët ukrainas thonë se kanë vrarë një general rus, i katërti me radhë. Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, ka thënë në Telegram se forcat ukrainase kanë vrarë gjeneralin rus Oleg Mityaev, gjatë luftimeve të ashpra në periferi të Mariupolit. Moska zyrtare ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me këtë pretendim të palës ukrainase. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zenensky gjithashtu ka raportuar për vrasjen e një gjenerali tjetër rus, gjatë adresimit të tij të përnatshëm nga Kievi, por nuk ka përmendur emra. Mendohet se Rusia i ka 20 gjeneralë-majorë që po e udhëheqin pushtimin rus në Ukrainë.

10:20/Lavrov: “Shpresë për kompromis”

Bisedimet për paqe në mes të Rusisë dhe Ukrainës nuk janë “të lehta” por ka “shpresë për kompromis”, ka tënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “Po flas bazuar në vlerësimet e negociatorëve tanë”, ka thënë ai. “Ata thonë se negociatat nuk janë të lehta për arsye të qarta. Megjithatë, ka shpresë se mund të arrihet një kompromis”, ka thënë Lavrov, raporton Reuters.

09:50/Zelensky kërkon dorëheqjen e zyrtarëve rusë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë zyrtarëve të lartë rusë dhe udhëheqësve të medieve që të japin dorëheqje nga postet e tyre dhe njëkohësisht të mbajnë qëndrim kundër pushtimit të vendit të tij. Ai u është drejtuar “të gjithë zyrtarëve të Federatës Ruse”. “Nëse vazhdoni të qëndroni në këto pozita, nëse nuk e kundërshtoni luftën, komuniteti ndërkombtar do t’ua heq të gjitha të drejtat, nga gjithçka”, tha Zelensky.

09:27/Zyrtarët ukrainas: Rusia ka targetuar civilët në Zaporizhia

Rusia ka targetuar infrastrukturën civilë në qytetin juglindor të Zaporizhias, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit, ka thënë kreu i ushtrisë rajonale ukrainase. Në një mesazh të postuar në Telegram, Oleksandr Starukh shkroi se një stacion treni dhe një park publik në qytet është goditur nga raketat ruse. “Mëngjesi nuk ka qenë i mirë…Raketat janë lëshuar në zonën e stacionit të trenit të qytetit. Sipas të dhënave preliminare, askush nuk është vrarë. Raketa e dytë ka rënë në zonën e një kopshti botanik”, ka thënë ai. Oleksandr Starukh tha se zyrtarët rajonalë veçse “kanë risistemuar më shumë se 3 mijë njerëz, përfshirë 772 fëmijë”.

09:20/SHBA ndan edhe 186 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se SHBA ka ndarë edhe 186 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për të mbështetur refugjatët ukrainas dhe personat e zhvendosur brenda vendit për shkak të luftës në Ukrainë. “SHBA po ofron mbi 186 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për të mbështetur personat e zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se tre milionë refugjatët e prekur nga lufta e paramenduar, e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë në Ukrainë. Kjo do të ofrojë mbështetje të mëtejshme për organizatat humanitare që i përgjigjen krizës dhe do të plotësojë bujarinë e vendeve fqinje që po mirëpresin dhe mbështesin refugjatët”, tha Blinken. Blinken shtoi se SHBA “lavdëron mikpritjen e vendeve fqinje që po presin ata që ikin nga Ukraina”. “Mbështetja financiare shtesë e SHBA-së do të shkojë në mbështetjen e nevojave themelore që kanë nevojë refugjatët dhe do të kanalizohet përmes organizatave humanitare në terren”, tha ai.

09:15/Zelensky: Bisedimet po duken më realiste

Negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak ka thënë se ka “kontradikta themelore” gjatë bisedimeve, por “sigurisht hapësirë për kompromis”. Raundi i katërt i negociatave të paqes ka bërë disa përparime. Kjo vjen pasi tre udhëheqës evropianë – kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë – rrezikuan një udhëtim me tren për në Kiev, për t’u takuar me Zelenskyn dhe për të treguar mbështetje për Ukrainën. Kievi ka hyrë në një shtetrrethim 35-orësh, pasi kryeqyteti mbetet një objektiv i bombardimeve të rënda – me sulmet ajrore që vranë të paktën pesë persona. Zyrtarët e Kievit thonë se forcat ruse bombarduan një bllok apartamentesh në mëngjes, pasi qyteti vendosi një shtetrrethim gjatë “një momenti të vështirë dhe të rrezikshëm”. Videot e qarkulluara më herët në mediat sociale treguan shtëllunga të mëdha tymi që dilnin në ajër nga ndërtesat. Banorët në të gjithë qytetin mbeten të strehuar në strehimore nëntokësore dhe shtëpitë e tyre mes një shtetrrethimi dyditor. Zyrtarët kanë paralajmëruar se është një moment “i vështirë dhe i rrezikshëm” për kryeqytetin. Trupat ruse po mbajnë 400 persona, përfshirë mjekë dhe pacientë, “si pengje” brenda një spitali në Mariupol, ka thënë nënkryetari i bashkisë. Rreth 20,000 njerëz ishin në gjendje të largoheshin nga qyteti të martën, sipas një zyrtari të lartë ukrainas E në zhvillime tjera, Kremlini i është përgjigjur sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj disa prej zyrtarëve të tij të mbrojtjes, duke ndaluar 13 amerikanë të hyjnë në Rusi, përfshirë presidentin Joe Biden. E Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin 1 miliard dollarë të tjera ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.