Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In memoriam, At Çiprian Nika!

AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M., GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS

 

                                 “Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike fitorën!”

                                                                            At Ç. Nika.

 

At Çiprian Nika asht lé në Shosh të Malsisë së Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit aso kohe e solli Dedën e vogël prej Shoshit në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku, përfundoi edhe shkollën e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për Meshtar vëndosi me ju kushtue Urdhnit të Shen’ Françeskut. Përfundoi studimet e nalta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, shugurohet Meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një pergatitje shumë të mirë kulturore. Ishte ndër ma të ditunit Freten në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në Gjimnazin e Fretënve të Shkodres. Kishte pasion per muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër flautistët ma të mirë që cilsonte mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore të bandës muzikore.

Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht, greqishtën e vjetër, latinisht e italisht. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike.

Njihët si Provinçiali ma i ri në moshë sëpse në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës asht kundër Mbretit Zog, gjithnjë asht i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh dhe gjithnjë perkrah kerkesat e tyne. Për fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj., madje i kundershton.

Pak kujt aso kohe i shkonte mendja tek një okupacion i mundshem me armë i Italisë, mbasi ardhja e sajë mendohej se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë. Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohun antisllave. Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë jashtë kufijve të sotëm, shka përfshinë në Veri dhe Kosovën e krahinat Shqiptare perrreth, na pëlqen ose jo, në fund të fundit duhet pranue se po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë nga Shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e me lexue ashtu si duhej në gjuhën amtare Shqipe.

Në vitin 1943 At Çipriani ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por asht At Mati Prennushi, që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunistët që mund t’a pushkatonin të parin Provinçialin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen e mikut të vet At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë.

Nëse, Anglo-Amerikanët do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë titiste, atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se me hymjen e  grupeve të tjera demokratike në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan në Ballkan ishte e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e klerit shqiptar e kryesisht atij françeskan i cili njihej per veprimtari kombtare. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At Anton Harapi dhe Regjenca, në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohuna zyrtarisht në Jalta.

Askujt nuk i shkonte mendja se koha do të sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë Shqiptarëve Atdhetarë.

Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, At Matia u zgjodh Provinçial e At Çiprian Nika, mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët ma të rrafinuem që ka pasë kleri, prandej ishte i kudondodhun.

At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue n’ ato   rrethana trimnia e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji jo! E, mbet”. (Dosja 1248).

Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve. Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta dhe nuk iu la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit, ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Sejcili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane të vëndosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretënve vetëm për fjetje. Dy herë At  Çipriani e At Matia ua kërkojnë nga komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue një shkelje, herën e parë u lirue por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë ma deri me datën 29 nandor 1944, që gjermanët janë largue përfundimisht nga Shqipnia.

Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin, mbasi gjermanët kur u larguan kanë lanë disa armë të prishuna në oborr të cilat, atë ditë, pra, më 29 nandor 1944, At Çipriani i nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell, si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas Lëvizjes së Veriut dhe asaj të Koplikut, më 14-15 janar 1945, At Matia urdhnon që të treten armët jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna si dhe jashtë përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë aty afer do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte vet At Çipriani, ky vëndosë groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë tokën e dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër, tue i çimentue edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob që aso kohe shërbente në shtëpinë e tij.

At Filip Mazrreku mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim, mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At  Çiprianin i cili ia merr të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit, që kishte vdekë pikërisht ato ditë, kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve mëshefet nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinjerit të kuvendit Martin Tarri.

Qëllimi ishte që kjo armë e vjeter të mos i grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë të kuvendit nga komandanti Sheuqet Peçi.

Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit prej Mirditet para se të arratisej nga Shqipnia.

Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia urdhnon që të digjen ata bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës e dokumenta të Shtjefen Gjeçovit, janë disa dokumenta muzeale me vlerë historike si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vende. At Pal Dodaj mendon me ua ndrrue vendin, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë “, por nuk i premton koha me i heq mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët në burg të gjithë janë të arrestuem. Luk Kaçaj nuk përmendet ma mbasi siduket nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij, sëpse kur ishte me tregue vedin para një gjyqi fals kunder tij në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrestuem kur shohin materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit dhe n’ oborr, asht i pari At Donat Kurti, Drejtor’i Gjimnazit Françeskan, qe u thotë: “Një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot”. (po aty, Dosja 1248).

Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”,  në fakt aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm. Ndersa xhakoni Luk Kaçaj, pak ditë perpara ishte largue prej kuvendit e shkue në fshat mbas një bisede t’ At Matisë me baben e Lukës.

At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nesti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrestimit!?). Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët por nuk duhet lanë pa u shkrue se kur komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te në hetuesi, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: “Kush je ti?”, këtë fat të zi pat  At Çiprian Nika.

Në proces-verbalin me numur aktesh: 558, dhe nr. vëndimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “Gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor. Duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni, me anën e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen, ata kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër Pushtetit. Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej nenëve  2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke. Shkodër, 26 dhetor 1947”.

Sekretari: Sh. Dautaj d.v.

Kryetari: Misto Bllaci d.v. (firma).

 

Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon:

Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaci,

Antarë: Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi.

Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja:

U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe tha: Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër. Kam pasë shok At Frano Kirin. Austria e mori në dore çështjen e Klerit Katolik që të mos merrej nëpër kambë. Interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam pasë lidhje zyrtare. Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot. Mue nuk mu ndalue me marrë frymë por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe nuk dij kujt ia dha. Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë, në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista. Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët atje ku shërbenim. Me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër doktrinës së Krishtenë, këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju si dhe në radio “Shkodra”, që asht vue në tallje Kristjanizmi. Kishat nuk janë prishë akoma, por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë dhe jo me politikë. Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroj ma shumë ne, u dogjën fshatra e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku. Padër Antoni u dënue, por nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit. Unë kam kenë profesor dhe nuk dij se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve. Nuk kemi punue për ardhjen e fashizmit në Shqipni. Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe të mbanim shkollat. Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe, shumë gjana që i bante ky i nxirte në skenë me anë të At Palajt.

Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e krijoi. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij, se nuk më erdhi mirë që u ba nga partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti.

Sistemi i qeverimit asht kundër parimëve të mija. Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë studjue mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë. Në Tiranë ishte Imzot Gjini për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja. Padër Mati Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më shpjegoi se shka kanë shtrue kur kanë shkue në Tiranë. Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej Postribës nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri. Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend. Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por nuk dij se u gjetën armë. Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit. Për votime kam shkue në Troshan.

Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin s’kena dalë fare ndër votime. Nuk kam pasë lidhje me të arratisun. At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok dhe nuk e njof si trathtar. Përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj se mohohen të gjithë ligjët morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj., dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet  shoqnia njerzore.

Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe të filozofisë.

Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor. Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Perëndim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë. Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri se nuk kishëm frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri, por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né. Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni.” (Dosja 1248).

Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit të At Çiprianit para pushkatimit, nuk kam pasë mundësi me i pa.

Avokat Dr. Emid Tedeschini shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue.Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimëve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave.

Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçes-verbalin hetimor kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit.”(Dosja 1248, po aty).

Fjala e fundit e At Çiprianit në gjyq ishte: “Lutem, të merrni parasyshë mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”.

Me datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vëndimin:

  1. At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me pushkatim.

 

Sekretari: Tish Tukja,                     Antarë. B. Beqiri,  A. Koroveshi.

Kryetari Misto Bllaci,  d.v. (Firma)

***

AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e Tij të gjithë jetës, si ushtar besnik i Shen Françeskut t’ Asizit.

Ndoshta, kanë me kalue jo vite por shekuj dhe, kurrma një brezni e këtillë as nuk ka me u dukë sado larg në horizontin e botës Shqiptare. Nuk flas fare per pergatitjen kulturore as fetare, po per perkushtimin Shpirtnuer të Atij brezi të papersëritshem që, vdekja per “Atdhe e Fe” ishte si me lé.

Asht e vertetë se Shqipnia e Shekullit XX, edhe pse u shpall e pavarun ishte nder vendet ma të mrapambetuna t’Europës, po s’ duhet harrue asnjëherë formimi Shpirtnuer dhe brumosja me parimet Besë, Burrni e Bujari, tipare të pavdekshme të krejt Shqipnisë Veriore nder Shekuj. Janë pikrisht ato cilsi per të cilat edhe pse kanë kalue 80 vjetë, vazhdon urrejtja e pashueme.

Se cili ishte piksynimi i vertetë i Klerit Katolik në qytetin e Shkodres, ate e kanë tregue shkollat e tyne dhe kuadrot që nxori Ai qytet në shumë fusha.

E mos harroni se kur serbët e malazezët na gjuenin me topa në 1912-13, në fillim të Shekullit XX, Shkodra e shkodranve të vjeter kishte 28 pianoforta.

 Melbourne, 16 Mars 2022.

Please follow and like us: