Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Nurie Emrullai

Perëndimet i ngjajne irisit

Provo të shtrydhësh një iris në dorën tënde,
ka për të të lënë ngjyrën e qiellit në lëkurë.
Provo të mbash një iris në jastëkun tënd,
fytyrat e paformuara do të qajnë në vesh.
Provo të ngjisësh të thepitat rrugë të fatit,
irisët do të presin në çdo kapërcim jete.
Gjurma e qiellit të ka mbështjellur gjakun,
rrënjët e irisit të kanë mbirë nën lëkurë,
petalet e saj midis këmbëve tua çelin,
dhe afshi i tokës ndjell shiun,
dhe kështu një iris i mbijeton perëndimit,
një tjetër tretet në thatësi të vetes.

Në orën moderne të Perëndive, 2021.

Hapa të mësuar

Jetoj në brendinë e një zhgualli të tejdukshëm.
Dal prej tij duke përsëritur rregullat.
“Çdo gjë që s’përsëritet, harrohet.”
As edhe një rregull s’e kemi të shkruar,
Po nëna m’i pat kënduar në djep.
M’i pat pëshpëritur kur më lante,
M’i pat dhënë t’i përpija bashkë me bukën.
“Ti, thoshte ajo, Je vajzë.
Këtë mbaje mend”!

Ç’më dallonte nga të tjerët?
Kisha frikë ta shoh trupin në pasqyrë.
Kisha frikë t’i flas mendjes sime.
Një pjesë e historisë më mungonte.
Kush ishte nëna ime, aq e largët nga trupi im?
Mendoja se vuaja nga harresa.
Kush isha unë?
Njeri kurrë s’më pyeti
Mjaftoi për ta trupi im,
Flokët e mia dhe zëri im femëror.
Jetoj brenda një zhgualli
çdo ditë që dal prej tij,
Përsëris me vete zërin që më thotë:
“Mos harro, bota është e ashpër për gratë”!

Një tjetër si unë

I njëjti fat më ra në hise dhe mua.
U përcoll nga gjyshja tek nëna, nga nëna tek unë.
Unë jam tjetra që mohohem.
Por nuk jam e vetmja.
Jam pjesë e historisë.
Në vetminë time presin gjithë gratë për t’u parë e dëgjuar.
Nuk harroj: “Unë duhet ta shoh veten!”
Po qe bota një çmendinë,
pacientet gra do përjashtohen veç se janë gra.
Po, s’jam vetëm.
Jemi të gjitha në radhë për t’ia mësuar vetes: “Lirinë e mendjes.”
Lufta jonë është luftë vështrimesh. Luftë dufmash e mërmërimash.
Nuk jam vetëm as në shtëpi, as në histori.

Nuk jam vetëm kur jap veten për dashuri.
Nuk jam vetëm kur gjykohem.
Nuk jam vetëm kur them:
“Se unë dua kështu”!
Nuk jam vetëm kur them:
“Jo! Sonte nuk të dëshiroj”.
Nuk jam vetëm kur qaj dhe shpreh lëndim.
Jam e vetëdijshme se nuk është dobësi.
Nuk jam vetëm kur ngre zërin dhe ia ndal dorën atij
që për çdo natë bie i pirë mbi mua,
Kur erën e alkoolit nuk e duroj në frymë.
Nuk jam vetëm kur them:
“Dua, dëshiroj, ëndërroj”
Kur them:
“Unë, vetja ime”
Se të gjithë jemi tjetra
Me kujtesë të trashëguar.
kujtesa vlen të mos harrojmë kush ishim
“Evë që fton në mëkat”
Mëkati është pjesë e jona.
Nuk do fsheh hyjnoren time ndër njerëzoren.
Kam lejuar yjet e trupit tim të vezullojnë.
Hap diellin tim dhe shumohem në pafund diej që do e ecin tokës sime.
Ti dëgjo: Unë, s’do jem tjetra që mohohem.

Për gjyshen dhe nanën dhe mue
(Evat dhe Havat)

U linda femën.
Më pagëzuen me emën,
Ngadalë hoxha t’u ma thanë ndë vesh.
Dhe aq.
Festë nuk u bâ për mue,
Veç uronin nji djal(bekim) pas meje të vjen…

Pastaj,

ma vonë,
Filluen me m’tregue
Si duhet unë me qenë vajzë.

Si duhet sytë t’i mbaj…
Hapat si duhet me i bâ…
Dhe kryet si me e mbajt…
Kur dikush âsht n’sy t’u t’fol.
Qésh e vogël atëherë,
Po duhej vajzë me qenë, than!

Pastaj,
ma vonë,
Më urdhnonin
Si duhet femën me u bâ,
Për sy të tjetrit,
Për nder të familjes,
E asgjë të imes…

Pastaj,
ma vonë,
Mue,
nanën,
mikeshat e mia,
Kanë me na varros
Njí metër ma thellë se tjerët

Veç se ishim gra…

Please follow and like us: