Albspirit

Media/News/Publishing

Kur vëllezërit janë të ngrirë: Emergjenca e hyrjes së shpejtuar të Kosovës në NATO, rruga si arrihet, roli i Shqipërisë

Nga Shaban Murati

 

“Vëllezërit janë të ngrirë” mund të parafrazohej titulli i një vepre të njohur për Kosovën i shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadare, me titull “Krushqit janë të ngrirë”. Në qarqet diplomatike atlantike dhe europiane janë të shtangur që vëllai “Shqipëri”, anëtar i NATO-s, ka ngrirë dhe nuk po shpreh mbështetje zyrtare për kërkesën zyrtare të Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Në datën 27 shkurt ministri i mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, parashtroi kërkesën që Kosova të ketë anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Në datën 3 mars kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi në parlament se “Do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s”.

Në datën 3 mars Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, ku i kërkon qeverisë të paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO dhe të nisë bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në 9 mars radio shtetërore e SHBA “Zëri i Amerikës” njoftonte se qeveria e Kosovës themeloi grupin ndërinstitucional të punës, që synon anëtarësimi e Kosovës në NATO.

Menjëherë në datën 1 mars për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO erdhi mbështetja e fortë ndërkombëtare nga presidenti i Turqisë mike, Rexhep Taip Erdogan. Ai deklaroi se “Turqia si një shtet i rëndësishëm i NATO-s mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”.

Presidenti turk evidentoi dy elemente të rëndësishëm të veprimit diplomatik për këtë çështje. Së pari, presidenti turk njoftoi se Turqia “ka ndërmarrë hapa” në drejtim të kësaj mbështetje për anëtarësim të Kosovës në NATO, njësoj siç veproi Turqia për procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, ku Ankaraja ka dhënë një kontribut historik. Së dyti, presidenti i Turqisë deklaroi se “ne nuk kemi nevojë t’i marrim leje ndokujt për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

Janë dy elemente tepër të rëndësishëm diplomatikë, që tregojnë se Turqia ka nisur një proces përçapjesh diplomatike, ende i brendshëm në radhët e aleancës atlantike, me objektiv kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Në të njëjtën kohë kemi paralajmërimin e fuqishëm diplomatik të Turqisë në adresë të atyre shteteve jashtë aleancës, të cilat mund të kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Mendimi është se Turqia ka parasysh Serbinë dhe Rusinë, që mund të jenë kundër pranimit të Kosovës në NATO, pavarësisht se as Serbia dhe as Rusia nuk kanë asnjë mjet juridik dhe diplomatik për ta ndaluar NATO-n.

Për ecurinë e një procesi të ri brendatlantik të diskutimit të pranimit të Kosovës në NATO shkruante në 9 mars portali “lansinginstitute.org”, duke theksuar se “Kosova e ka fortifikuar mbështetjen nga disa shtete europiane për anëtarësimin në NATO”.

Në 4 mars mbështetje për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO shprehu Talat Xhaferri, kryetar i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, një shtet i NATO-s dhe fqinj me Kosovën. Në 6 mars kongresisti amerikane Ritchie Torres i dërgoi një letër presidentit Bajden dhe sekretarit të shtetit Blinken, ku shprehet se “është e rëndësisë jetike të ndihmojmë aleatin tonë Kosovë të anëtarësohet në NATO”.

Me një fjalë kemi në zhvillim e sipër një dinamikë të re atlantike dhe dëshminë e pamohueshme të një procesi brendatlantik lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kjo nuk është e rastit, por produkt i një klime të re gjeopolitike në Ballkan, e krijuar pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Situata e re e agresionit rus dikton një konfigurim të ri të arkitekturës atlantike të sigurisë në Ballkan për të mos lejuar më gjatë vakume strategjike apo gropa të zeza, të cilat mund t’i përdorë Rusia për qëllimet e saj aneksioniste dhe për akaparimin e zonave të tjera të influencës ruse pas Ukrainës.

Rrethana e dytë, që e dikton tani trajtimin e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në NATO, është fakti që Rusia po e përdor Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën si vatra tensionesh dhe të ndërhyrjes ruse në Ballkan. Në situatën e re ushtarake në kontinentin europian me agresionin rus në Ukrainë është bërë iminent rreziku i provokimit rus të një konflikti në Ballkanin Perëndimor.

Pas pushtimit të Ukrainës dhe realizimit të objektivave të saj strategjike atje, Rusia pritet ta spostojë qendrën e përplasjes së saj gjeopolitike me NATO-n në Ballkanin Perëndimor dhe Kosova mund te jetë planifikimi i parë i saj, duke ndezur zjarrin me dorën e Serbisë.

Ndaj anëtarësimi i shpejtuar i Kosovës në NATO i heq Rusisë pretekstin dhe terrenin e ndezjes së një konflikti të ri në Veriun e Kosovës dhe në Ballkan.

Rrethana tjetër e re e rëndësishme, që dikton nevojën e anëtarësimit të shpejtuar të Kosovës në NATO, është rreshtimi i Serbisë me Rusinë për agresionin në Ukrainë. Serbia jo vetëm refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE ndaj Rusisë, por as presidenti serb, as kryeministrja serbe, as ministri i jashtëm dhe as kryetari i parlamentit serb, nuk kanë thënë gjysmë fjale për të dënuar agresionin rus.

Vërtet Serbia ndërmori hapin demagogjik të votimit në 2 mars të rezolutës së 141 shteteve të OKB, që dënuan ndërhyrjen ruse në Ukrainë, por edhe para, edhe pas rezolutës, nuk ekziston as edhe një fjali apo fjalë e dënimit nga Beogradi zyrtar të agresionit rus.

Përkundrazi presidenti serb Vuçiç çdo ditë po shan dhe sulmon ndërhyrjen humanitare të 19 shteteve demokratike të NATO-s në Serbi në vitin 1999 për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin shtetëror serb kundër popullit shqiptar të Kosovës. Madje kryetari i parlamentit serb I.Daçiç në 14 mars u lavdërua se “Ne kemi luftuar kundër NATO-s”.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës në 13 mars akuzoi Serbinë se po grumbullon mercenarë për t’i dërguar në Ukrainë për t’u bashkuar me forcat agresore ruse.

Duke anëtarësuar Kosovën në NATO Perëndimi forcon arkitekturën e tij të sigurisë në Ballkan dhe i heq Serbisë një shkak të madh të saj për varësinë nga Rusia. Nëse Kosova hyn në NATO, Serbia nuk mund ta ketë më ambicien për rikolonizimin e saj.

Kështu NATO zgjidh edhe çështjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe eliminon vatrën e vazhdueshme të tensionit ushtarak serb në kufijtë e Kosovës.

Çështja e anëtarësimit të përshpejtuar të Kosovës në NATO doli si nevojë emergjente nga situata e re e agresionit rus në Ukrainë, i cili shkatërroi strukturat e marrëdhënieve, të ligjeve dhe të normave ndërkombëtare. Kjo do të thotë që situata e jashtëzakonshme dikton hapa dhe masa të reja jo të zakonshme, që nga sistemi i procedurave të pranimit e deri te aktivizimi i mekanizmave të reja të përshtatshme me rrethanat e reja pas agresionit rus.

Ndaj kërkesa për pranimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO ka dalë si nevojë urgjente e kohës së krizës dhe e koniukturave të reja të rrezikshme kontinentale pas luftës ruse në Ukrainë. E gjykuar në planin imediat strategjik dhe gjeopolitik përputhet më shumë me nevojën e NATO-s se sa të Kosovës.

Formalisht ka disa pengesa për anëtarësimin e Kosovës në NATO, të cilat funksionojnë në kohëra normale, por në kohërat anormale të agresionit dhe të agresivitetit kontinental rus duhen parë ndryshe gjërat. Burokracia nuk vlen në kohë lufte dhe pengesat formale duhen kapërcyer me akte dhe me nisma diplomatike, juridike dhe organizative, që reflektojnë situatën e re të përplasjes gjeopolitike NATO-Rusi.

Pengesa e parë formale është se katër shtete anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën, ndaj duhet të ndërmarrin sa më parë aktin e njohjes së saj të menjëhershme dhe të mënjanohet kështu pengesa e nenit 10 të Traktatit Themelues të NATO-s, që kërkon unanimitetin për pranimin e një shteti europian në radhët e aleancës.

Ish-zëdhënësi i mirënjohur i NATO-s në vitin 1999, profesor Jamie Shea, deklaroi në 11 mars se “Kosova në NATO është e mundur dhe çështja e mosnjohjes nga katër shtete anëtare duhet zgjidhur e para”, duke lënë të nënkuptohet se shumica e shteteve anëtare të NATO-s janë dakord me anëtarësimin e shpejtuar të Kosovës. Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja duhet ta trajtojnë tani çështjen e njohjes së Kosovës në dritën e rrethanave të reja strategjike dhe gjeopolitike për NATO-n në Ballkan pas agresionit rus.

Nuk qëndrojnë më argumentet e deritanishme të këtyre shteteve për mosnjohjen e Kosovës. Katër shtetet e panë rrezikun, që përfaqëson Rusia për gjithë anëtarët e NATO-s. Katër shtetet e panë se përballë rrezikut rus, për ta e vetmja mburojë dhe shpëtim është NATO dhe jo izolimi individual.

Nëse NATO ka nevojë për Kosovën, kjo do të thotë që katër shtetet duhet të venë në plan të parë interesat atlantike. Për Kosovën si pjesë e NATO-s ka nevojë arkitektura atlantike e sigurisë dhe e gjithë shteteve anëtare.

Ka një mënyrë tjetër zgjidhje, që është diskutuar në qarqet e mbyllura atlantike dhe lidhet me ndryshimin e mekanizmit të vendimmarrjes dhe për zëvendësimin e nenit 10 të konsensusit. Ka propozime nga shtete të fuqishme të NATO-s që sistemi i vendimmarrjes të heqë dorë nga kushti i unanimitetit dhe të zëvendësohet me sistemin e marrjes së vendimeve me dy të tretat e votave të shteteve anëtare.

Kjo do të ishte një zgjidhje realiste, sepse do të shmangte pengesën e konsensusit për pranimin e Kosovës në NATO. Ka edhe një propozim tjetër brenda aleancës që katër shtetet anëtare, që nuk e njohin Kosovën, të abstenojnë tani në një votim të mundshëm dhe të mos pengojnë pranimin e Kosovës dhe ta bëjnë njohjen pas pranimit të Kosovës në NATO.

Këtu ekziston precedenti, sepse katër shtetet anëtare të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, kanë pranuar në BE, ku janë anëtarë, që Kosova të futet në rrugën e anëtarësimit në BE.

Çështja e anëtarësimit të përshpejtuar të Kosovës në NATO është bërë çështje dite e diplomacisë dhe e opinionit publik. Ka kërkesë zyrtare nga qeveria dhe shteti i Kosovës për anëtarësim. Ka përkrahje të anëtarësimit të saj nga disa shtete anëtare të NATO-s. Turqia përveç mbështetjes zyrtare, ka kaluar në një fazë më të avancuar të mbështetjes me ndërmarrjen e hapave ose të lobingut diplomatik për pranimin e Kosovës në NATO.

I munguari i madh në këtë çështje jetike kombëtare, shtetërore dhe diplomatike është Shqipëria. Është ulëritëse që qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk janë shprehur në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Shteti i “vëllait të madh” ka ngrirë dhe nuk mbështet shtetin e “vëllait të vogël”.

Shqipëria është anëtare e NATO dhe ka të drejtën që të mbështesë zyrtarisht kërkesën e qeverisë së Kosovës. Shqipëria ka detyrën kushtetuese dhe kombëtare të mbështesë anëtarësimin atlantik të Kosovës, që është shteti i dytë shqiptar. Tirana duhet të ngrihej e para në përpjekjet brenda NATO-s për realizimin e kësaj kërkese. Shqipëria duhet të ndërmarrë menjëherë lobing të fortë në Uashington dhe në selinë e NATO-s në Bruksel, për të ndikuar që balanca e peshores të anojë te pranimi në mënyrë të përshpejtuar i Kosovës në NATO.

Qeveria e Shqipërisë duhet të marrë shembull nga Turqia, e cila jo vetëm shprehu fort përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës, por ka ndërmarrë veprimin diplomatik të përçapjeve në funksion të kësaj mbështetje. Shqipëri duhet të kishte mbështetur e para qeverinë e Kosovës në kërkesën për anëtarësi atlantike. Shqipëria duhet të kishte përshëndetur Turqinë për mbështetjen e kërkesës së Kosovës dhe sidomos për procesin diplomatik të nisur nga Ankaraja për këtë qëllim.

Tirana zyrtare po hesht si mumje sikur nuk është fjala për shtetin vëlla të Kosovës, por për ndonjë shtet të humbur në Oqeani. Mund të kërkoni njëmijë e një shpjegime në qiell e në tokë përse kjo mosbështetje skandaloze e qeverisë së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Është shumë e thjeshtë: Është hipoteka e qeverisë së Shqipërisë te Serbia, e cila i ka mbyllur gojën dhe veprimin. Është frika dhe servilizmi i saj ndaj Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe ky qëndrim vrasës i qeverisë së Shqipërisë ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Për efektin negativ, që ka kjo heshtje qeveritare, kemi dëshminë se Tirana praktikisht është kundër që Kosova të hyjë në NATO.

Sepse tejkalon kufijtë e skandalit fakti që kryeministri i Shqipërisë në kulmin e flakëve të luftës në Ukrainë dhe në Europë gjen kohë dhe fjalë të reklamojë projektin serb të të ashtuquajturit “Ballkan i hapur” dhe nuk i kushton as një fjalë dhe as një sekondë kërkesës së Kosovës për në NATO.

Kryeministri i Shqipërisë ka tre vjet që u ça duke bërë presione të pahijshme dhe të gjithfarshme për të detyruar me dhunë Kosovën të futet në “Ballkanin e hapur” të Serbisë dhe nuk bie ndërmend të përkrahë Kosovën në NATO.

Qysh pas agresionit të parë rus në Ukrainë të vitit 2014 dhe aneksimit rus të Krimesë, dhe pas spostimit të qendrës ruse të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, i jam drejtuar qeverisë shqiptare në vitin 2016 se është koha për një nismë të Tiranës për Kosovën në NATO: “Mendoj se bëhet e nevojshme ndërmarrja e një nisme nga ana e Tiranës brenda Aleancës Atlantike për shpejtimin e procesit të integrimit atlantik të Kosovës në NATO”. (Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018, fq.163). Nuk më dëgjuan atëherë dhe mendova se e kishin me mua. Tani në 2022 po bindem që e kanë me Kosovën.

Serbia është shqetësuar shumë nga perspektiva e pranimit të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Presidenti serb Vuçiç në 14 mars deklaroi se “disa në Perëndim duan që katër shtetet anëtare të BE, që janë edhe anëtarë të NATO-s, të njohin Kosovën që Prishtina të hyjë në NATO”. Vuçiç dha alarmin në 19 shkurt se Kosova për gjashtë muaj do të hyjë në NATO.

Serbia është e shokuar, së pari që çështja e anëtarësimit të përshpejtuar të Kosovës ka fituar përkrahje të gjerë në NATO, dhe së dyti që Serbia është e pafuqishme përballë NATO-s dhe nuk ka se çfarë të bëjë. Në datën 28 shkurt Vuçiç deklaroi se “ideja e hyrjes së Kosovës në NATO nuk është e shqiptarëve të Kosovës, por është ide e politikanëve nga SHBA”.

Alarmi i Serbisë vjen nga fakti që nëse NATO anëtarëson Kosovën, ëndrra serbe për ripushtimin e Kosovës hyn në arkivol. Por Kosova në NATO është një realitet që po afrohet dhe është pjesë e zgjedhjeve që kanë bërë: Kosova me NATO-n dhe Serbia me Rusinë. Serbia i ka duart e lidhura dhe i mbetet vetëm të pranojë edhe ajo Kosovën si shtet i pavarur, siç ia ka kërkuar presidenti amerikan Bajden.

Studiuesja Suzana Grubjesiç, e “Qendrës për politikën e jashtme” në Beograd, i deklaronte gazetës serbe “Telegraf” në 1 mars: ”Kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në NATO është e inkurajuar nga jashtë dhe Serbia nuk ka se çfarë të bëjë për këtë çështje. Situata e tanishme po ndryshon botën dhe ne nuk duhet të çuditemi nëse kjo ndodh”.

Natyrisht nuk e ndalon hyrjen e Kosovës në NATO as heshtja solidare e Tiranës në rezonancë me qëndrimin serb. Kosova në NATO është siguria kombëtare dhe jetike e Kosovës, siç është edhe siguri kombëtare dhe jetike e Shqipërisë. “Vëllai i madh” është i ngrirë nga akulli serb, por nuk e di nëse ka popull, që duhet të ngrihet dhe ta detyrojë qeverinë e Shqipërisë të përkrahë Kosovën në NATO. Le ta dëshmojmë se në 110 vjetorin e pavarësisë Shqipëria do të pavarësohet edhe nga Serbia./gazeta dita

Please follow and like us: