A mund të bëjë kërkesë për Green Card një artist i njohur shqiptar?
Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Jam artist dhe mësues. Po vizitoj SHBA-në dhe pikturat e mia do të qëndrojnë të ekspozuara për dy javë në një galeri artesh. A është e mundur që në bazë të punës sime të kualifikohem për të marrë green card në SHBA? Nuk kam ende një ofertë pune, por mendoj që mund ta siguroj një vend pune si mësues në bazë të rezymesë që kam. Jam nderuar me çmime në ta kaluarën si në vendin tim ashtu dhe në katër vende të tjera europiane. Më kanë thënë që këto çmime mund të më ndihmojnë të kualifikohem për green card.
Anonim
Po, është e mundur që të arrini të merrni green card bazuar në ekspertizën që keni në fushën e artit. Diçka e tillë kërkon punë dhe që t’ia dilni mbanë, do t’ju duhet të dokumentoni në mënyrë të kujdesshme aplikimin tuaj. Ligjet e emigracionit të Shteteve të Bashkuara parashikojnë disa kategori të ndryshme vizash emigracioni me bazë punësimin. Emigrimi me bazë punësimin kërkon zakonisht ose që punonjësi që është nënshtetas i huaj të tregojë me prova të forta që është një nga më të mirët në fushën e tij/saj ose që nuk ka asnjë punëtor që është nënshtetas amerikan apo rezident i përhershëm që të jetë në gjendje, që të jetë i gatshëm, në dispozicion dhe i kualifikuar për të zënë atë vend pune.
Kategoria më e lartë është ajo e Preferencës së Parë – Punëtorët Prioritarë EB-1. Kjo kategori ka tre nënkategori, të cilat së bashku përbëjnë klasifikimin EB-1: Personat me aftësi të jashtëzakonshme; Profesorë dhe studiues të shquar; Drejtues dhe menaxherë shoqërish shumëkombëshe.
Është e mundur që të mund të kualifikoheni si person me aftësi të jashtëzakonshme. Me aftësi të jashtëzakonshme nënkuptohet ai nivel ekspertize që tregon se personi në fjalë është dikush mes një përqindjeje të vogël njerëzish që ka kapur majën më të lartë në fushën ku ushtron aktivitetin e tij. Punëtorët me aftësi të jashtëzakonshme janë ata të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme në fushën e shkencës, të artit, të arsimit, biznesit apo të atletikës, aftësi që i kanë treguar nëpërmjet suksesit të vazhdueshëm në shkallë kombëtare ose ndërkombëtare dhe arritjet e të cilëve janë bërë të njohura në fushën përkatëse përmes një dokumentacioni të gjerë.
Një ndër avantazhet kryesore në rastin kur një individ klasifikohet për vizë EB-1 si punëtor me aftësi të jashtëzakonshme është që atij ose asaj nuk i kërkohet të ketë ofertë pune apo çertifikatë pune. Ndonëse një punëdhënës mund të paraqesë një lutje për një punëtor me aftësi të jashtëzakonshme, nënshtetasi i huaj mundet gjithashtu të bëjë vetë kërkesë pa patur nevojë për një ofertë pune apo për një punëdhënës që të bëjë lutje në emër të tij.
Qoftë si punëdhënës qoftë si nënshtetas i huaj, lutësi duhet të paraqesë prova që personi në fjalë do të vazhdojë të punojë në Shtetet e Bashkuara në fushën e tij ose të saj të ekspertizës.
Në këto prova përfshihen: Letra nga punëdhënësit e ardhshëm; Dëshmi të angazhimeve dhe zotimeve paraprake për punësim; ose një përshkrim të mënyrës se si ai ose ajo do të vazhdojnë të punojnë në fushën përkatëse në Shtetet e Bashkuara.
Për t’u kualifikuar si person me aftësi të jashtëzakonshme, nënshtetasi i huaj duhet të tregojë që arritjet e tij ose të saj njihen në fushën ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe që individi është brohoritur për këto arritje. Ligji lejon që prova të vijë dhe nga një arritje e vetme, siç është rasti i marrjes së një çmimi të njohur dhe të madh ndërkombëtar si çmimi Nobel apo Pulitzer. Edhe çmime të tjera jo kaq të njohura mund të kualifikohen gjithashtu, por nënshtetasi i huaj duhet të paraqesë dokumenta që provojnë që çmimi ndërkombëtar në fushën përkatëse është i nivelit të çmimit Nobel apo Pulitzer.
Në praktikë, shumë pak nënshtetas të huaj kualifikohen për të marrë statusin e aftësisë së jashtëzakonshme nëpërmjet një arritjeje të vetme, dhe ligji parashikon disa kërkesa alternative që duhen përmbushur. Për t’u kualifikuar përmes kërkesave alternative, nënshtetasi i huaj duhet gjithsesi të tregojë që është vlerësuar në mënyrë të pandërprerë në nivel kombëtar ose ndërkombëtar dhe lutja duhet të përmbajë dokumentacion bindës të përbërë nga të paktën tre prej dokumentave të mëposhtëm:
•Çmime për kontribute të jashtëzakonshme, të njohura në shkallë kombëtare ose ndërkombëtare, më pak të rëndësishme se të lartpërmendurat;
•Dëshmi anëtarësie në shoqata të fushës përkatëse të cilat kërkojnë që anëtarët e tyre të kenë arritje të shquara të gjykuara si të tilla nga ekspertë kombëtarë ose ndërkombëtarë;
•Materiale të botuara për nënshtetasin e huaj në publikime që lidhen me profesionin apo zanatin dhe aftësitë përkatëse apo në forma të tjera të mjeteve të komunikimit;
•Dëshmi që nënshtetasi i huaj është autoritet gjykues i punës së të tjerëve në fushën përkatëse;
•Dëshmi e kontributit origjinal me rëndësi të madhe që nënshtetasi i huaj ka dhënë në fushën përkatëse;
•Autor i artikujve akademikë;
•Ekspozim i punës së nënshtetasit të huaj në ekspozita arti apo skena të tjera artistike si shfaqje, sfilata, etj;
•Dëshmi që nënshtetasi i huaj ka luajtur rol kryesor apo kyç në organizata me emër të madh të fushës përkatëse;
•Dëshmi që nënshtetasi i huaj merr pagesë të lartë në krahasim me të tjerët në fushën e tij/saj; ose
•Dëshmi të suksesit komercial në fushën e artit skenik.
Nëse kriteret e sipërpërmendura nuk janë të zbatueshme në raste të caktuara, atëherë ligji lejon paraqitjen e “dëshmive të tjera të ngjashme”. Zyrtarët e USCIS-it që merren me shqyrtimin e peticioneve të kësaj natyre dhe marrin vendim lidhur me to, kërkojnë të shohin nëse punëtori me aftësi të jashtëzakonshme do t’i “sjellë përfitime të ndjeshme në të ardhmen Shteteve të Bashkuara.”
Urojmë që së shpejti do të mund të krijoni artin tuaj në SHBA.
Aplikimet për EB-1 janë të ndërlikuara.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net