Alfons Zeneli: Mars
Ditët e lindjes nuk janë më njëlloj
secila mbi shpinë bart një gur Sizifi.
Fryjnë erëra të marra marseve të mi
dridhen ditët, vitet. Dridhem unë i gjithi.
Por ditët bëjnë muaj. As muajt nuk janë
ashtu si dikur, ashtu si më parë.
Drithërojnë këngët, drithëron gjithë jeta.
Marseve të mi fryn një erë e marrë.
Vitet bëjnë shekuj dhe shekujt epoka,
kryqeve të tyre pikëlloj si Krisht.
Gjithë ç`pata frymë, gjithë ç`linda shikim
erë përmbi marse fryn përjetësisht.
Please follow and like us: