Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën
Më poshtë është lajmi i rrjetit të televizionit të Tiranës, ABC News i datës 10 janar, 2022. Pothuaj, për tre muaj as nuk e përmendi kush më këtë lajm se busti i Stalinit po rishfaqej në “mesin e Tiranës”. Por mbrëmë në një program tek Syri TV u treguan fotografi aktuale të bustit të Stalinit dhe të Leninit, rivendosur një hapësirë publike në Tiranë. Si është e mundur që për tre muaj nuk i vuri re askush bustet e Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës? Ashtu siç kishte ndodhur me monumentin dedikuar “heronjve” të Erdoganit, që u vendos në Tiranë ashtu në heshtje dhe pa publicitet. Punët e këqia ashtu bëhen gjithmonë, larg syve të publikut. Ku është “media e lirë” në Shqipëri? Apo nuk i bën askujt, asnjë përshtypje një shfaqje e tillë e shëmtuar në kryeqytetin e shqiptarëve, një kombi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi. I mrekullueshëm është fakti që rinia shqiptare dhe elementë të tjerë të shoqërisë shqiptare, më në fund, po zgjohen dhe po protestojnë padrejtësitë. Nuk mjafton të protestohet për çmimet e larta, sado që keni të drejtë të protestoni, sidomos, nën kushtet ekonomike të atij vendi. Ia vlen të protestohet edhe për vlera të tjera, për vlerat kombëtare, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë – jo për “lirinë dhe demokracinë”, që simbolizojnë bustet e Stalinit dhe të Leninit, të rivendosura, sipas disa lajmeve, në hapësirat publike të Tiranës.
Çfarë qeverie është kjo dhe çfarë shteti është ky që lejon një gjë të tillë? Dhe me çfarë shoqërie kemi të bëjmë pas 32 vjet të shembjes së Murit të Berlinit, që toleron rishfaqjen dhe vendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit, m’u në mes të Tiranës. Ku janë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë, përfshirë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, që nuk reagojnë ndaj dukurive të tilla në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian. More me Stalinin e Leninit do futeni ju në Evropë?
Shoh se Ambasada jonë, përmend shpesh dhe me krenari, se ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Po çfarë të festojmë more të nderuar në këtë 100-vjetor, rivendosjen e busteve të Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës? Në një kohë që Stalini i ri në Moskë, ‘Putini’, adhurues i Stalinit të “madh”, siç e quante Enver Hoxha, pushton një vend paqësor e demokratik dhe po kërcënon botën me Luftën e Tretë Botërore dhe me armë bërthamore. Do festoni me këtë qeveri shqiptare, që lejon rivendosjen e busteve të këtyre kriminelëve të huaj komunistë në tokën shqiptare? 32 vjet pas, gjoja shembjes së komunizmit në Shqipëri ju do të festoni 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare me këta apologjetë të komunizmit ndërkombëtar? “Krah për krah”, me këta përfaqësues sot, që pretendojnë të jenë të Kombit shqiptar, por që promovojnë figura të tilla kriminale të historisë botërore dhe armiq të përbetuar të shqiptarëve gjatë historisë, duke lejuar ose injoruar rishfaqjen e busteve të baballarëve të komunizmit në Tiranë. Çfarë vlerash përfaqësojnë këta njerëz, si liderë të shqiptarëve të vuajtur nga komunizmi, që meritojnë respektin tonë.
Dikush mund të pyes, po çfarë ka të bëjë 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me rivendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në mes të Tiranës. Ka të bëjë shumë! Ka të bëjë me vlerat e përbashkëta midis dy popujve, për të cilat shpesh janë shprehur diplomatët tanë në Tiranë. Dy popujt tanë, shqiptarët dhe amerikanët, kanë vlera të përbashkëta, por jo me këta politikanë shqiptarë, që lejojnë praninë e këtyre kriminelëve komunistë, qoftë edhe bustet e tyre, m’u në qëndër të Tiranës. Për mua vlerat, që simbolizojnë Stalini dhe Lenini, si dhe prania e busteve të tyre në mes të Tiranës – si në kohën e Enver Hoxhës – nuk përbëjnë “vlera të përbashkëta” shqiptaro-amerikane, që duhet të festohen, “krah për krah”, me këtë klikë politike të papërgjegjëshme ndaj popullit të vet dhe ndaj historisë kombëtare, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Të paktën ne shqiptaro-amerikanët – taksapagues të këtij vendi të dashur e të bekuar për ne – meritojmë një konsideratë pak më të madhe se kaq nga përfaqësuesit tonë diplomatikë, sidomos për ata mijëra shqiptaro-amerikanë, familjet e të cilëve janë burgosur e pushkatuar, pikërisht sepse kundërshtonin komunizmin ndërkombëtar që përfaqësonte Enver Hoxha me mikun e tij të madh, Stalinin. Merreni me mend se si u duket atyre shqiptaro-amerikanëve kur të vizitojnë Tiranën dhe të shohin bustet e Stalinit, Leninit e ndoshta edhe të Enver Hoxhës, mund në mes të Tiranës?
Të nderuar diplomatë amerikanë dhe evropiano-perëndimorë në Tiranë, mos heshtni përballë dukurive të tilla në Tiranë, siç është rivendosja e bustit të Stalinit, dishepullit dhe mësuesit të Enver Hoxhës, i cili i shkaktoi aq vuajtje, dhimbje e krime Kombit shqiptar. Rishfaqja e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë të Shqipërisë, “post-komuniste”, anëtare e NATO-s, janë rezultat i drejtë për drejtë i dështimit politik të kësaj klase politike shqiptare “post-komuniste” për t’u distancuar nga komunizmi, por edhe dështim i diplomatëve perëndimorë në Tiranë gjatë këtyre 32- viteve, të cilët asnjëherë nuk kanë kërkuar – të paktën jo publikisht -nga kjo klasë politike “post-komuniste”, që të dënojnë krimet e komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të përballen njëherë e mirë me krimet e regjimit komunist në atë vend. Siç e shihni, marrja e fotove “krah për krah” me këta përfaqësues të qeverisë shqiptare sot, që lejojnë ringritjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë – fotot nga platformat e anijeve amerikane të ankoruara në Durrës, disa muaj më parë nuk mjaftojnë. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Mos heshtni të nderuar diplomatë! Mos u bëni pjesë e sallës së turpit (Hall of shame) me ata politikanë shqiptarë, që refuzojnë për 32 vjet tani të dënojnë krimet e komunizmit dhe të përballen zyrtarisht dhe seriozisht me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri. Flisni për vlerat e vërteta perëndimore, që bashkojnë dy popujt tanë!