Agresioni rus në Ukrainë – Dita 24
Forcat ruse kanë kryer një sulm me raketa në një depo të raketave dhe municioneve në vendbanimin Deliatin, në rajonin Ivano-Frankivsk në perëndim të Ukrainës, tha një zyrtar ushtarak ukrainas. Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, tha se ende nuk është konfirmuar nëse raketa e përdorur nga rusët ishte me të vërtetë një Kinzhal, raketë më e re hipersonike apo bëhet fjalë për ndonjë lloj tjetër arme. Më herët, Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se ushtria ruse ka goditur dje magazinën nëntokësore në Deliatin me një raketë hipersonike Kinzhal, të cilën tani e përdorin për herë të parë në luftime. Sipas zyrtarëve rusë, Kinzhal, i cili e mbajnë aeroplanët luftarakë MiG-31, ka një rreze veprimi deri në 2000 kilometra dhe fluturon 10 herë më shpejtë se shpejtësinë e zërit.
10:06/Deputeti ukrainas: Gjendja në Mariupol është mesjetare
Deputeti i Ukrainës, Dmytro Gurin ka përshkruar gjendjen në qytetin e rrethuar Mariupol si ‘mesjetare’. Gurin, prindërit e të cilit kanë ngecur në këtë qytet, tha për BBC se furnizimet me ushqim dhe ujë po pakësohen gjithnjë e më shumë. “Njerëzit kanë mbetur pa ushqim e çka është më e rëndësishme, kanë mbetur edhe pa ujë. Para disa ditësh, tanket filluan të qëllojnë ndërtësat nëntë-katëshe duke pamundësuar largimin e njerëzve nga aty. Të gjithë gati po qëndrojnë në banesat dhe bodrumet e tyre me mendimin se do të vdesin pas një ore. Bombardimet dhe të shtënat nuk po ndalen. Edhe avionët po hedhin bomba gjatë 24 orëve”, tha Gurin. Ai po ashtu shprehu pesimizëm për planin e korridoreve humanitare nga qyteti, duke thënë se “ana jonë po tenton me arritë marrëveshje, por Rusia i ka vetëm fjalë” Ai shtoi se bombardimet e qytetit nga forcat ruse e kanë bërë qytetin të panjohur. “Nga fotot që kam parë, nuk ka më qytet. Nga llogartitjet e komunës, 30% e ndërtesave janë krejtësisht të shkatërruara dhe 50% prej tyre janë skajshëm të dëmtuara. Shtëpia ime është djegur totalisht deri në tokë”, thotë Gurin.
08:40/Rusia thotë se ka përdorur armë hipersonike në perëndim të Ukrainës
Rusia ka përdorur raketat e reja hipersonike Kinzhal për herë të parë në Ukrainë të premten, duke shkatërruar një depo të armëve në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë. “Sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aerobalistike hipersonike ka shkatërruar një depo të madhe nëntokësore ku ruheshin raketa dhe municione të aviacionit në fshatin Deliatin në rajonin Ivano-Frankivs”, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes së Rusisë. Agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, Ria Novosti tha se kjo është hera e parë që janë përdorur armët hipersonike Kinzhal, në atë që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
07:45/Inteligjenca e Britanisë: Rusia detyrohet të ndryshojë taktikat
Ministria britaneze e Mbrojtjes ka postuar këtë mëngjes një përditësim të inteligjencës mbi situatën në Ukrainë, duke paralajmëruar se një ndryshim në taktikat ruse mund të rezultojë në më shumë vdekje civilësh. “Kremlini deri tash ka dështuar të arrijë objektivat e tij fillestarë”, postoi ministria në Twitter, duke shtuar se Rusia ishte “e habitur nga përmasat dhe egërsia e Rezistencës së Ukrainës”. “Rusia është detyruar të ndryshojë qasjen e saj operacionale dhe tani po ndjek një strategji të rrënimit”, thotë kjo ministri. “Kjo ka mundësi të përfshijë përdorimin pa dallim të fuqisë së zjarrit që rezulton në rritje të viktimave civile, shkatërrim të infrastrukturës ukrainase dhe intensifikim të krizës humanitare.”
07:34/Hapet korridori humanitar në Luhansk
Guvernatori i regjionit lindor të Ukrainës, Luhansk, thotë se korridori i evakuimeve do të hapet pasditen e së shtunës. Serhiy Gaiday në një postim në Telegram thotë se forcat ruse janë pajtuar që t’i lejojnë banorët të evakuohen në disa qytete në regjion. “Korridori humanitar është miratuar nga nivelet e larta. Shpresoj që marrëveshjet e arritura nga rusët të respektohen”, thotë Gaiday.
06:30/Zelensky fton Rusinë për bisedime paqësore
Ai tha se është mundësia e vetme e Rusisë për të kufizuar dëmet nga gabimet e saj që nga fillimi i agresionit të saj. “Kjo është mundësia e vetme për Rusinë për të pakësuar dëmet nga gabimet e saj. është koha të takohemi, të flasim, është koha të rivendoset integriteti territorial dhe drejtësia për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë aq të mëdha, saqë do t’u duhen disa gjenerata për t’i rikuperuar”, tha Zelensky përmes një video mesazhi.