Aktorja ukrainase Oksana Shvets ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, pasi banesa ku ndodhej në Kiev u godit nga raketat ruse, raporton Fox News. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Teatri i të Rinjve, ku ajo ishte pjesë e trupës. Kolegët shprehën ngushëllimet për vdekjen e saj.

“Gjatë bombardimeve me raketa të një ndërtese banimi në Kiev, u vra një artiste e merituar e Ukrainës, Oksana Shvets,” thuhej në deklaratën e Teatrit të të Rinjve. “Kujtim i ndritur për aktoren e talentuar! Nuk ka falje për armikun që ka ardhur në tokën tonë!”

 

Vdekja e Shvets u raportua gjithashtu përmes mediave sociale nga llogaria në Twitter e Kyiv Post. Aktorja pati një karrierë shumë vjeçare në teatër dhe film. Ajo ishte një nga artistet më të arrira të vendit.

Vdekja e Shvets pason atë të një aktori tjetër ukrainas, Pasha Lee, i cili vdiq në moshën 33-vjeçare pasi u regjistrua në Forcat e Mbrojtjes Territoriale të ushtrisë ukrainase.