Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: IMZOT VINÇENC PRENNUSHI

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI, ARGJIPESHKVI I DURRSIT E TIRANËS, (1885 – 1949)

“E ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa  shprehë ankim”.

Prof. Arshi Pipa

 

Ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe, asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M.

Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”,”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën “Ora e Maleve”, mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike.

Ban pjesë në veprimet e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914 mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.

Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme.

Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi “Fabiola” dhe “Quo vadis?” janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri “Gjeth e lule” mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të nalta mbasi ashtu ishte edhe pena e tij. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisjes Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Imzot Prennushi ishte një ndër themeluesit kryesor të grupit ma të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku Ai ishte ndër penat e rëndësishme dhe ma të njohuna të kohës.

At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor’i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial ka provue mendimin se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936 At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit.

Kur asht Metropolitan i Durrësit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana, përfshihej në Dioçezin e tij (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Prennushit.

Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohuna të Klerit Katolik edhe si politikan i shquem, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranës një “epokë”, ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës dhe të kulturës sonë.

Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Imz. Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi, jo vetëm, kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo – komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue, fatkeqësisht aty asht shkrue se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij: “4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).

Si Imzot Prennushi, si Imzot Frano Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.”

“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi vëprimet e tija diheshin publikisht.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imz. Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë.

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949 dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku, edhe i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur” Tuk Jakova, kujtoj si tashti, se kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, dhe shprehu si zakonisht “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa.

Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Vinçenc Prennushi asht i parapergatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: “Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Pjeter Meshkalla.

Arësyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Vinçenc Prennushi  e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim aty në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:

-Bijt’e mijë, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjegj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem se për 40 vjet, komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!

Unë ika.

Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!

Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta ma parë tek unë se shka do t’iu gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt. Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue.”

Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin. Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja 1245).

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i banin rrobe me veshë fukaratë!

Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje).

Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947:

“Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët, né na luftojnë deri në zhdukje”.

 

Me datën 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

  1. Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindur në Shkodër.
  2. Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg.

Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (1 dhetor 1947), në të kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:

Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve.”refuzon kërkesen e tyre”.

            ***

Arësyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë: Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor.

Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që ajo të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty).

Prof. Arshi Pipa, në “In memoriam”, për Imzot Prennushin tregon: “Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: “Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë”.

Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:

Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Kishe me thanë, se, Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit.

Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e madje ma shpesh, ma shumë me të vdekun se me të gjallë.

Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste që të mos egzistonte”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai  mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje.” (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin). Edhe Imzot Çoba dha Shpirt ndër birucat e Sigurimit famkeq të Tiranës.

***

Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me Teresa NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë disa vite perpara:

  • “Do të keshë nji aksident rrugor,

Do të bahësh Ipeshkëv dhe,

Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja ndër degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun: “ PAK  DRITË ! – MEHR LICHT !”

Jo, jo ! Imzot!

Shumë dritë i dha Shpirti i Yt Imzot Prennushi, Fesë, Atdheut e kulturës sonë perparmtare, me 19 Mars 1949.

***

Një pjesë e vogel nga krijimtaria e Tij:

Ka ra hana ndër bajama,

Bijen e vet e pvet e ama:
Ç’ke moj bijë që prap po kjanë,

Kjanë e fshanë e vetllat vranë?
Kjava shumë mori lum nana,

Tu’j qendisë më ra gjylpana,

M’ra gjylpana nën balkue

E jam ulë me e kerkue.
Po çka kje qi lotët t’i nxori,

Ku kje dhima, ku kje zori?

Jam tu’j drashtë mos m’je harlisë,

Qysh se kjan-o tu’j qendisë.
Nuk asht gja, moj nanë, s’asht gja

Por as kot un’ sot s’jam vra,

Kjo dashni që m’ka pengu’

Asht e dej’ o nanë për mu’.

Melbourne, 19 Mars 2022

Please follow and like us: